E Diel, 1 Nëntor 2026

“ÇEZ” bëhet gati të investojë 200 milion euro në 5 vite për OSSH-në



Kompania çeke “ÇEZ” që ka privatizuar 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, po bëhet gati që të nisë nga menaxhimi dhe investimi qindra miliona eurosh i kompanisë. Në pak javë drejtimi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë OSSH-ë do të jetë në duar të një ekipi ekspertësh të ardhur tashmë nga Çekia. Lajmin e ka konfirmuar dje drejtori i blerjeve të grupit “ÇEZ”, Tomas Plasnek, sipas të cilit emërtimi i një ekipi drejtues çek në një kompani jashtë Çekisë ndodh për herë të parë në historinë e zgjerimit dhe blerjeve të “ÇEZ”-it. “Kemi ngritur një grup ekspertësh çekë, nga më të mirët në disa fusha, të cilët do të jenë të aftë ta drejtojnë kompaninë sapo ne të jemi pronarë të saj. Ata, së bashku me stafin shqiptar, do të hartojnë planet e zhvillimit në të ardhmen e afërt e më tej”- shprehet Plasnek. Përfaqësuesi i lartë i kompanisë çeke ka preferuar të jetë i rezervuar për çështje të ndjeshme të kompanisë që po blen, siç janë tarifat e energjisë apo shkurtimet e punonjësve të OSSH-së. “Sa i takon numrit të punonjësve ende është herët për të folur. Por ne do të bëjmë një organizim të ri të kompanisë. Çdo vendim që do të merret, do të diskutohet me punonjësit dhe sindikatat dhe pastaj do t’i bëhet i ditur edhe publikut. Sa i takon tarifave, ne nuk mund të flasim për to për sa kohë që nuk i kemi të gjithë argumentet në duar, por e garantojmë publikun se do të veprojmë konform vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë”- sqaron Plasnek. Pas kalimit të kontratës nga kuvendi pritet që në 2 javët e para të muajit maj të bëhet nënshkrimi përfundimtar i kontratës me çekët dhe kalimi simbolik i kompanisë në duart e tyre. “ÇEZ”-i është kompania e shtatë në Evropë për sa i takon numrit të konsumatorëve dhe e para për normën e fitimit. Në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke "ÇEZ" do të derdhë për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit 102 milionë euro, në një kohë që ajo do të investojë rreth 200 milion euro të tjera në sistemin e shpërndarjes në 5 vitet në vijim.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›