E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, takim me peshkatarët në Durrës: “Do të ndërtojmë një flotë të re peshkimi”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë në Portin e Durrësit, ku takoi disa peshkatarë dhe u njoh nga afër me shqetësimet dhe problemet që kishin. I shoqëruar nga dy kandidatët për deputetë të qarkut të Durrësit, Lefter Koka dhe Artur Zheji, Meta zhvilloi një bashkëbisedim me peshkatarët për kushtet e vështira ku ata zhvillojnë peshkimin, për peshkarexhat, të cilat janë në një gjendje të mjeruar, për mungesën e garancisë për tregtimin e peshkut etj. Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre reale, Meta i garantoi peshkatarët për mbështetjen e LSI-së për zgjidhjen e këtyre problemeve menjëherë pas fitores së LSI-së më 28 qershor. Meta tha se qeverisja e re e pas 28 qershorit do të krijojë një flotë të re, e cila do të rrisë prodhueshmërinë në peshkim. “Porti i peshkimit do t’i ketë të gjitha lehtësitë që peshkarexhat tona t’i kenë të gjitha shërbimet që i mungojnë sot, që të rritet aktiviteti i tyre, të rriten kapacitetet e peshkimit, të rriten dhe kapacitet për eksportin jashtë vendit. Në një vend si Shqipëria, me 400 km bregdet, me potenciale shumë të mëdha në këtë drejtim, pa dyshim që dhe peshkimi duhet të jetë një burim mirëqenie për vendin dhe në radhë të parë dhe për ata që e ushtrojnë këtë profesion kaq të vështirë dhe në kushte për fat të keq të vështira si këto. Peshkarexhat janë në një gjendje të mjeruar, ndaj ne angazhohemi për të mbështetur, për të rinovuar dhe për të pasur sa më shpejt një flotë të re peshkimi, që të jetë shumë agresive për të rritur kapacitetet e peshkimit, për të qenë një vend që shfrytëzon këto resurse të jashtëzakonshme, që i ka dhuruar natyra. Prandaj ne angazhohemi për të ndërtuar sa më shpejt Portin e ri të peshkimit, për të cilin me letra është rënë dakord prej kohësh, por që nuk është bërë faktikisht asgjë, për të ndërtuar njëkohësisht tek ai port të gjitha lehtësitë për riparimin e anijeve, që është një problem shumë i madh dhe i kushton shumë peshkatarëve. Po kështu ne angazhohemi për të ndërtuar një merkato ku të keni një tregtim sa më dinjitoz të peshkimit si për tregun e brendshëm ashtu dhe për eksportin”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›