E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teliti: “Çdo ditë aplikojnë për karta rreth 17 mijë shqiptarë”



Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, konfirmoi dje se çdo ditë në të gjithë vendin aplikojnë afërisht 17 mijë qytetarë për kartat e identitetit. “Aktualisht procesi i letërnjoftimeve po ecën shumë mirë dhe mund t’ju jap një shifër rekord të ditës së djeshme, ku në të gjithë Shqipërinë kanë aplikuar më shumë se 17 700 qytetarë shqiptarë për këtë dokument. Shpresojmë që dhe me rezultatin e ditës së sotme do të arrijmë në nivelin e 700 mijë qytetarëve që kanë aplikuar në të gjithë vendin dhe që konsiderohet një shifër shumë e mirë”, - është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Ai bëri të ditur se nëse ecet me të tilla ritme, do të arrihet pajisja me karta identiteti, shumë kohë para zgjedhjeve, e qytetarëve që nuk kanë pasaporta.
“Shifra e përditshme me mbi 17 mijë qytetarë është një shumë entuziaste, sepse plotëson të gjitha nevojat tona, që për një kohë të shkurtër dhe para limitit të zgjedhjeve, t’i plotësojmë të gjithë qytetarët që kanë dëshirë dhe nevojë për të aplikuar”, - është shprehur Teliti.

Miratohet ligji për gjendjet civile, studentët do të votojnë në institucionet arsimore

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me votat e maxhorancës projektligjin e ri për gjendjet civile. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit ishte drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Ai bëri të ditur se amendimet e Nenit 14 të projektligjit janë hartuar nga ekspertët e PD-së në bashkëpunim me ekspertët e PS-së. Megjithëse në mbledhjen e djeshme mungonin deputetët e PS-së, 10 nenet e reja të projektligjit u miratuan vetëm me votat e maxhorancës. Ndryshimet parashikojnë që studentët duhet të votojnë pranë institucioneve arsimore. Madje ndryshimet në këtë ligj parashikojnë që studentët duhet të deklarojnë vendbanimin e ri në rast se ata jetojnë në të më shumë se tre muaj. “Kemi përcaktuar se nëse studenti, brenda vitit, është më shumë se tre ose gjashtë muaj në një banim të ndryshëm nga vendbanimi i tij, atëherë ai duhet të regjistrohet në vendbanimin e ri”,- është shprehur Teliti. Kjo, sipas tij, synon një kontroll më të madh të territorit dhe një regjistër më të pastër të Gjendjes Civile. Ky nen parashikon të njëjtin detyrim dhe për ushtarakët, të cilët do të votojnë dhe do të kenë vendbanim të përkohshëm në qytetin ky kryejnë shërbimin për më shumë se 3 muaj. Projektligji parashikon se edhe të burgosurit duhet të votojnë në institucionin ku kryejnë dënimin. Dhe për këta vlen detyrimi i ndryshimit të vendbanimit. Pra të dhënat e tyre personale do të transferohen në qytetin ku kryejnë dënimin, ndërkohë që pas lirimit institucioni kryen sërish transferimin e të dhënave.
Një tjetër moment i rëndësishëm i projektligjit është Neni 43, i quajtur neni i "deklarimit të vdekjes", për të cilin drejtori Teliti shpjegoi se në ligj janë parashikuar procedura administrative të posaçme. Kështu, në bazë të projektligjit, administrata çregjistron nga Regjistri i Gjendjes Civile personat që kanë mbushur 100 vjeç, për të cilët nuk është deklaruar ende akti i vdekjes. Pas miratimit të draftit, drejtori i Gjendjes Civile tha se “projekti nuk bëhet në funksion të zgjedhjeve aktuale, por ai lidhet me jetëgjatësinë e shërbimit të Gjendjes Civile”.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›