E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS mbyllin negociatat, çmimi i kartave 200 lekë

Kriza e kartave drejt zgjidhjes, ekspertët e partive të mëdha hartojnë draftin e përbashkët. Partitë e opozitës nisin fushatën e sensibilizimit në drejtim të anëtarëve për të aplikuar

Shaban Sulçe
Kriza e kartave të identitetit shkon drejt zgjidhjes. Dje është bërë i ditur përfundimi i negociatave midis ekspertëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në lidhje me këtë çështje. Negociatat kanë përfunduar me sukses dhe ekspertët kanë rënë dakord për një zgjidhje të përbashkët. Ata kanë hartuar dhe tashmë kanë gati një draft në formën e Vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Ky draft do t’i paraqitet kryeministrit Berisha menjëherë pas kthimit të tij nga Praga dhe pas miratimit nga qeveria pritet që të ndikojë në shtimin e numrit të aplikimeve për kartat e identitetit.

Drafti
Drafti i përpunuar nga ekspertët e PD-së dhe të PS-së është në formën e një VKM-je, në të cilën përcaktohet çmimi i kartave të identitetit. Kështu për të gjithë shtetasit pa pasaportë, çmimi paraprak i kartës së indentitetit do të kushtojë 200 lekë, ndërkohë që pjesa tjetër prej 1000 lekësh do të paguhet na qytetarët pas një periudhe 6 mujore. Në rast se nuk paguhet kjo shumë, atëherë qytetarët do te cilësohen debitorë ndaj shtetit. Gjithashtu ekspertët e të dyja palëve kanë përcaktuar se drafti i ri nuk do të prekë skemën e qeverisë për subvencionimin e disa kategorive, si personat me ndihmë sociale, studentët dhe pensionistët, të cilët edhe do të paguajnë vetëm një tarifë prej 200 lekësh për tu pajisur me kartat e identitetit. Hartimi i draftit të ri për kartat e identitetit është bërë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, ndërhyrje të cilën e pranoi dhe kryeministri Berisha pak ditë më parë.

Opozita
Opozita, nga ana e saj, prej disa ditësh ka nisur fushatën e sensibilizimit për pajisjen me karta identiteti. Partitë kryesore të opozitës u kanë dërguar udhëzime degëve të tyre lokale në të cilat kërkohet nxitja e anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për të aplikuar sa më shpejt për pajisjen me karta identiteti. Në kushtet kur kryeministri Berisha nuk ka “lëshuar pe” për të pranuar heqjen e takës së votës si dhe në kushtet e vonesave për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët midis negociatave të ekspertëve të PS-së dhe PD-së, partitë e opozitës prej disa ditësh janë vënë nën veprim për të mos humbur më kohë. Ato kanë nisur një fushatë të brendshme sensibilizimi dhe nxitjeje ndaj anëtarësisë dhe mbështetësve të tyre për të aplikuar për karta identiteti. Kjo fushatë është zhvilluar nga të gjitha partitë e opozitës, si Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokracia Sociale, Partia Socialdemokrate, PS ’91-shi dhe G99-a. Madje drejtues të lartë të këtyre partive nuk kanë nguruar që të bëjnë edhe thirrje publike jo vetëm në drejtim të anëtarëve të tyre, por edhe të gjithë votuesve, ku i kanë ftuar ata që të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti.

PS-ja
Selia rozë ka kërkuar nga degët e saj që të evidentojë të gjithë anëtarët e saj pa pasaportë, ndërkohë që në udhëzim ka kërkuar që këta anëtarë të kryejnë sa më shpejt aplikimin, në mënyrë që të jenë të pajisur me kartë identiteti në datën e zgjedhjeve. Por gjithashtu në këtë udhëzim kërkohet që degët lokale të PS-së të bëjnë evidentimin e të gjithë anëtarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë çmimin paraprak prej 1200 lekësh për karta identiteti. E njëjta gjë vlen edhe për personat pa pasaportë, të cilët janë evidentuar nga degët e PS-së, si votues të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›