Sherr me thika në bilardo, plagoset 19-vjeçari
Tiranë - Një 19-vjeçar u plagos rëndë me thikë pas një konflikti me disa bashkëmoshatarë të tij në një bilardo në kryeqytet. Eugert Sina është qëlluar tre herë me thikë nga dy persona që tashmë janë identifikuar nga policia. Ngjarja ka ndodhur në rrugicën prapa ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, disa minuta pas mesnatës së djeshme. Burime nga policia thanë se konflikti mes dy grupeve të bashkëmoshatarëve, banues në rrugën “Myslym Shyri” ka nisur prej disa muajsh. Fillimisht kanë qenë sherre mes “të fortëve” të lagjes, e që më pas kanë përfunduar në plagosje. Disa minuta para se të ndodhte ngjarja, të rinjtë kanë qenë duke luajtur bilardo, pranë vendit ku më pas Eugert Sina është goditur me thikë. Konflikti në bilardo sipas dëshmitarëve ka nisur për motive banale, të tipit “pse me sheh shtrembër”. Pasi kanë shkëmbyer fyerje mes njëri-tjetrit, të rinjtë kanë dalë në rrugë dhe më pas konflikti ka marrë përmasa më të mëdha. Pas fyerjeve dhe goditjes me grushte, dy bashkëmoshatarë të 19-vjeçarit Eugert Sinani e kanë goditur atë 3 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas janë larguar me shpejtësi nëpër rrugicat që lidhin rrugën “Myslym Shyri” me rrugën “Muhamet Gjollesha”. Inatet e vjetra mes dy grupeve të të rinjve kanë përfunduar me grushte dhe plagosje me thika. Disa minuta pas mesnatës së djeshme, policia e Komisariatit nr.2 është njoftuar se në rrugicën prapa ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, ka ndodhur një konflikt mes disa të rinjve dhe njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Patrullat e policisë janë nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes, por pa arritur të kapin autorët, të cilët pasi kanë plagosur “kundërshtarin” e tyre, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Eugert Sina, 19-vjeç, i cili ka mbetur i plagosur nga përleshja, është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësorë, ndërkohë policia ka shoqëruar për të dhënë deklarime në komisariat disa dëshmitarë. Sipas dëshmive, mësohet se konflikti mes të rinjve kishte nisur prej kohësh, ndërkohë që natën kur ndodhi ngjarja ata kanë rastisur në të njëjtën bilardo dhe kanë shkëmbyer fyerje me njëri-tjetrin. Kanë dalë jashtë ambienteve të bilardos për t’u sqaruar, por aty konflikti ka marrë përmasa të reja dhe njëri prej protagonistëve ka mbetur i plagosur. e.d
Policia identifikon dy autorët
Tiranë - Brenda pak orëve nga momenti kur ka ndodhur plagosja e 19-vjeçarit, Eugert Sina, policia e Komisariatit nr.2 të Tiranës, ka bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve. Sipas burimeve nga policia mësohet se personat që kanë plagosur Sinën, janë dy bashkëmoshatarë të tij, por që për momentin emrat e tyre nuk mund të publikohen, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Të dhënat që më pas bënë të mundur identifikimin e tyre janë siguruar për policinë nga disa dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes dhe që ishin në dijeni të konfliktit që kishte nisur prej kohësh mes dy grupeve të të rinjve. Ndërkohë deri mbrëmë në orët e vona, autorët ende nuk janë arrestuar.