U grabitën nga rrëmbyesi i vajzës, zhduken 1.2 mln lekë

Dyshohet se paratë u morën nga kureshtarët që ndodheshin pranë rrethimit të policisë, kur rrëmbyesi i shpërndante ato në rrugë me forcë
Fakti është konstatuar pas numërimit të parave nga specialistët e policisë dhe ekspertët. Pritet auditi i bankës
TIRANË- Zhduken 1.2 milionë lekë të vjetra që ndodheshin në thesin e vjedhur nga i arrestuari Romeo Leka në bankën brenda ambienteve të hotelit të njohur buzë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytet, pranë kryeministrisë.
Lajmi u konfirmua dje nga zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët pohuan se një fakt i tillë është konstatuar pasi është bërë dokumentimi i tri ngjarjeve ku si protagonist është i arrestuari 25 -vjeçar Leka.
Sipas prokurorisë, konstatimi i zhdukjes së sasisë prej 1.2 milionë lekësh të vjetra është bërë në momentin e administrimit të procesverbalit të mbajtur nga efektivët blu, kur kanë kryer mbledhjen e parave të hedhura nga i arrestuari Leka në rrugën "Abdyl Frashëri", pak minuta pas grabitjes së kryer prej tij.
"Nga të dhënat e mbledhura nga banka dhe dëshmitë e siguruara nga punonjësja që ia dorëzoi një qese të madhe me para 25- vjeçarit Leka si dhe dëshmia e drejtoreshës së këtij filiali të bankës është mësuar se shuma që ndodhej në thesin e vjedhur arrin në shifrën e 30 milionë lekëve të vjetra.
Ndërkohë, në procesverbalin e numërimit të lekëve të grumbulluara nga policia pas hedhjes së Lekës rezultojnë se janë vetëm 28 milionë e 800 mijë lekë të vjetra"- thanë burime të prokurorisë.
Sipas tyre, nuk dihet ende se ku kanë përfunduar 1.2 milionë lekë të vjetra, por, dyshohet se kjo shumë parash është "marrë" nga qytetarë të ndryshëm apo njerëz të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes së ndodhur përballë "Librit Universitar" në kryeqytet.
Sipas dëshmisë së punonjësve të bankës, Leka ka marrë thesin që mbante në të 30 milionë lekë të vjetra, të sapo sjellë nga punonjësit e transportimit të parave në bankë.
Gjithsesi, pritet që veç dëshmive të punonjësve të bankës, që kanë pasur kontakt apo informacion me paratë, hetuesit pritet të marrin edhe një raport auditi të bankës si dhe një informacion të hollësishëm mbi paratë që duhej të depozitoheshin në bankë, origjinën e tyre si dhe elementë të tjerë për hetimin.
Veç tyre pritet që hetuesit të marrin dëshmi edhe të punonjësve të tjerë të policisë me qëllim sqarimin e rrethanave se si mund të kenë përfunduar paratë në të vërtetë. Gjithsesi dyshimi i hetuesve është se paratë mund të jenë marrë nga njerëzit e ndryshëm që vështronin skenën mesditën e të premtes në rrugën "Abdyl Frashëri"
Priten ekspertimet biologjike dhe balistike
Me urdhër të prokurorit të çështjes, Adnan Xholi, janë dërguar për tu analizuar gjaku dhe urina e të arrestuarit Leka, për të parë se mos kishte konsumuar ndonjë sasi të lëndëve narkotike apo nëse ka qenë në gjendje të dehur për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike.
Përveç pritjes së kësaj përgjigje, grupi hetimor pret edhe përgjigjen e laboratorit të kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme për armën pa fishek të sekuestruar në momentin e arrestimit të Lekës, që do të verifikohet se a është përdorur në ndonjë krim tjetër.
Babai i emigrantit të vrarë në Greqi. Leka vrau tim bir në lagjen e Athinës
Krimet në SHBA dhe Greqi, përgatiten letër porositë
Prokurora ka provuar nëpërmjet dëshmisë së dhënë nga vetë, i arrestuari Leka, dhe dajës së tij se brenda territorit shqiptar "pengmarrësi", për herë të fundit, kishte hyrë më datë 11 mars.
Gjithashtu, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka administruar në dosje edhe kallëzimin dhe dëshminë e hollësishme të babait të emigrantit Renato Krasniqi. Krasniqi është vrarë me mars të këtij viti në rrethana ende të panjohura në kryeqytetitn grek Athinë. Babai i emigrantit kuksian, e akuzon direkt "pengmarrësin" 25- vjeçar si autor të vrasjes me thikë të të birit me 9 mars të këtij viti në rrugën "Pratinu" në lagjen "Pagrati" të Athinës.
Sipas dëshmisë së burrit të moshuar, autoritetet greke kanë siguruar dy dëshmi të dhëna nga shqiptari i mbetur i plagosur nga thika e Lekës, shtetasi Kleo Kaçi nga Mirdita dhe motra e viktimës Krasniqi, e cila ka parë ngjarjen e vrasjes së vëllait të saj nga 25- vjeçari tashmë i arrestuar.
Përveç kësaj ngjarjeje të ndodhur në Greqi, për të cilën autoritetet shqiptare po përgatisin dhe pritet t'i kërkojnë nëpërmjet letër-porosisë materialet e vrasjes së ndodhur më 9 mars, vrasje të cilat Leka nuk i ka pranuar, do kërkohet edhe nga autoritetet amerikane të dhëna për njeriun që bëri bujë në qendër të Tiranës, kur grabiti një bankë dhe për t'iu shpëtuar policisë mori peng një vajzë .
Një procedurë të tillë në drejtim të SHBA-së, prokuroria pritet ta kryejë pasi gjatë komunikimit me vajzën me inicialet L.H, që ishte për 30 minuta pengu i Lekës, ajo ka treguar se 25- vjeçari herë pas herë i thoshte se nuk dorëzohem se kam probleme në SHBA.
Mësohet se prokuroria tashmë i ka zbardhur tre ngjarjet që si protagonist është i arrestuari Leka, i cili edhe vete në prani të avokatit kryesisht Pelivan Luçi, ka pranuar se ka kryer vjedhjen me armë të mbetur në tentativë ndaj Union Bank në lagjen "Ali Demi" dhe taksistin të cilin e ka liruar në fshatin Mëzez.
AVOKATI
Sot pritet që prokuroria të kërkojë në gjykatë masën e arrestit për disa akuza të rënda
Klienti ka probleme psikike nga SHBA.
TIRANË- "25-vjeçari Romeo Leka është i sëmurë psikik me kartelë. Për këtë shkak ai është deportuar nga SHBA-ja". Ky është pretendimi i mbrojtësit të caktuar nga familja e të arrestuarit, Ferdinand Ndojës. Ndoja tha dje për "Shekullin": Ai ka probleme të rënda psikike pasi për këtë arsye është deportuar edhe nga SHBA-ja.
Deportimi i tij është kryer pas qëndrimit disavjeçar në një spital psikiatrik, për shkak të një tronditjeje që ka marrë në kokë, pasi është goditur nga një person me ngjyrë".
Më tej Ndoja pohoi se para pesë vitesh, Leka ka qenë i pranishëm në një sherr mes disa personave, ku gjatë ndërhyrjes së tij për t'i ndarë ka marrë një goditje me levë dhe më pas një plumb shkarazi në kokë.
Këto goditje e kanë lënë me pasoja, duke sjellë edhe precedentët e tij të mëpasëm në SHBA."Pas disa viteve mjekim, autoritetet e SHBA-së kanë vendosur ta deportojnë në Shqipëri edhe pse ai bashkë me familjen kishte shkuar atje me anë të llotarisë Amerikane"-tha avokati Ndoja.
Sipas tij, në seancën e sotme gjyqësore do të paraqitet avokatja Klojda Dashi, pasi vetë ai kishte një proces tjetër gjyqësor. "Në ditët në vazhdim do të paraqesim para Gjykatës dhe Prokurorisë një sërë dokumentesh që provojnë se klienti ynë ka probleme mendore për të cilat ka edhe një kartelë mjekësore",-tha avokati Ndoja dje për "Shekullin".
Ndërkaq, sot në 9:30 minuta gjyqtari i gatshëm Gurali Brahimllari do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj 25- vjeçarit Romeo Leka, për të cilin organi i akuzës ka kërkuar izolimin e tij në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.