E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon padinë e pensionistëve për Tiranën

15/07/2011  Një javë më parë Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankesën për tabelat e KQZ-së

Sot vendimi i Kolegjit Zgjedhor për konstituimin e këshillit të bashkisë

Gjykata Kushtetues ka rrëzuar dje kërkesë-padinë e dorëzuar po dje nga Partia e Pensionistëve shqiptarë, të cilët kërkonin pezullimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit në Tiranë. Në objekt-padinë e tyre, pensionistët theksonin se zhvillimi i zgjedhjeve lokale është në bërë në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Por pretendimet e ngritura nga pensionistët nuk janë pranuar nga trupa gjyqësore, e cila e konsideroi padinë e djeshme si të pambështetur në prova. Pavarësisht rrëzimit të djeshëm, pensionistët vijojnë të kenë të hapur një tjetër çështje ligjore në Kushtetuese sa i përket garës elektorale të 8 majit në Shqipëri. Në muajin prill, kreu i pensionistëve shqiptarë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi tjetër, ku sërish theksojnë antikushtetutshmërinë e organizimit të zgjedhjeve vendore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një çështje kjo në të cilën kreu i opozitës po mundohet ta shfrytëzojë për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit të Tiranës, dhe rrëzimin e vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, i cili la në fuqi vendimin e 25 qershorit të KQZ-së, ku kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha u shpall fitues me 93 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama. Gjithsesi, padia e prillit ende nuk është futur në kalendarin e çështjeve për t’u gjykuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kolegji rrëzon padinë e pensionistëve

Pas rrëzimit të kërkesë-padisë së Partisë Socialiste, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar edhe kërkesën e depozituar nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve, me argumentimin si të pabazuar në ligj. Pensionistët kërkonin nga Kolegji, nëpërmjet padisë së tyre, pavlefshmëri të procesit dhe pezullim të procesit të shpalljes së rezultatit deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e depozituar prej tyre në muajin prill të këtij viti. Sipas pensionistëve, në tabelat e rezultateve të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket qartë se ka mospërputhje të numrit të fletëve me votuesit. Por pretendimi i tyre u rrëzua një javë më parë nga Kolegji Zgjedhor, menjëherë pas shpalljes së vendimit për padinë e PS-së, për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë.

Sot vendimi i Kolegjit për PD

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, ku më pas do të japë vendimin e tij për konstituimin e këshillit bashkiak të Tiranës. Relatorja e çështjes, gjyqtarja Meriban Mullai, do të shqyrtojë kërkesën e PD-së, e cila i kërkon Kolegjit ndarjen e mandateve të 55 anëtarëve të këshillit bashkiak të Tiranës. Nga tabela e nxjerrë nga KQZ-ja rezulton se 28 mandate janë marrë nga koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin”, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen” do të ketë 27 mandate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›