E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësorë për programin dhe organizimin

15/07/2011  Grupet e punës pranë Partisë Socialiste nisin punën për përthithjen e ideve në bazë

Deputetët socialistë në takime, draftet gati në shtator për ndryshimet në statut

Hartimi i programit të ri politik dhe reformimi organizativ i Partisë Socialiste janë dy momentet kyçe në të cilat është përqendruar puna e përfaqësuesve të kësaj partie. Të ndarë në këto dy grupime deputetët socialistë kanë nisur formulimin e detajuar të axhendës që do të ndjekin për thithjen e ideve në bazë. Më pas, përfaqësuesit socialistë do të hartojnë draftet paraprake, për t’ia deleguar kongresit të ri për të miratuar programin dhe ndryshimet në organizimin e saj.

Organizimi

Por përmes këtyre ndryshimeve, Partia Socialiste pritet të ndërhyjë sërish në statutin e saj, pasi në takimet me anëtarësinë socialiste, grupet e punës të ngritura mbi këto dy çështje do të prekin të gjithë mënyrën se si funksion kjo parti, si në organet që e përfaqësojnë dhe të zgjedhurit e tyre. Kështu, për të bërë të mundur që gjatë takimeve në bazë të evidentohen të gjitha problematikat e shfaqura brenda PS-së, për mënyrën se si është organizuar dhe ka funksionuar ajo, lidershipi socialist ka menduar që përthithja e ideve të mundësohet nga hartimi i pyetësorëve, ku të jenë të përfshira çështje të ndryshme. Kjo për vetë faktin se duke qenë në një fazë të tillë pune, kupola rozë, përmes analizës mbi procesin zgjedhor të 8 majit, do të synojë që të bëjë dhe vlerësimet përkatëse lidhur me mënyrën se si janë ngritur degët e kësaj partie në rang vendi, moment ky i saktësuar në statutin e PS-së. Njëkohësisht, krahas ndërhyrjes në këtë pikë të statutit, pritet që grupet e punës të shtrojnë dhe disa pyetje, të cilat konsistojnë në marrjen e mendimeve mbi mënyrën se si janë zgjedhur anëtarët e forumeve drejtuese të PS-së, por dhe si duhet të zgjidhen. Kjo do të çonte në një tjetër ndryshim të kushtetutës së PS-së. Megjithatë, gjatë këtyre takimeve, grupi i punës për programin e ri politik do të synojë që të qartësojë dhe disa nga propozimet e ardhura nga vetë deputetët e PS-së, siç është platforma “Malaj”.

Takimet

Të dyja grupet e punës, si ai për programin e ri politik, ashtu dhe ai për reformën organizative kanë zhvilluar takimet e para për të rakorduar mënyrën se si do të operojnë deri në fund të muajit gusht. Konkretisht, të dyja këto grupe janë ndarë në nëngrupe, ku për riorganizimin janë katër të tilla të përfaqësuara nga pesë deputetë. Ndërkohë që kjo ndarje bëhet me qëllim që secili nëngrup të mund të përfaqësojë kategori të ndryshme sociale, pasi do të synohet që përveç anëtarësisë, të jetë dhe shoqëria civile ajo e cila të mund japë mendimet e saj mbi mënyrën se si duhet të funksionojë PS-ja.

Nisma e PS-së, Kodi rrëzon hetimin e gjyqtarëve të Kolegjit

Partia Socialiste ka ngritur një grup pune për të hetuar mbi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Kështu, burime pranë selisë rozë, bënë me dije se një hap i tillë është ndërmarrë nga PS, për vetë faktin se kjo e fundit është e bindur se gjykata zgjedhore është përfshirë në marrjen e shumave të konsiderueshme apo shpërblime të tjera nga pushteti, për të dhënë vendimin për Tiranën pro kandidatit demokrat Lulzim Basha. Por vetë Kodi Zgjedhor përcakton qartë se hapa të tilla nuk mund të merren ndaj gjyqtarëve të zgjedhjeve. Neni 149

i Kodit, që ka të bëjë me mbrojtjen e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, përcakton se “gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor nuk mund t’i nënshtrohet procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Gjatë kësaj kohe, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë nuk mund të lëvizen nga detyra e gjyqtarit, për shkaqe që lidhen me nenin 32 të ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’, si dhe për pamjaftueshmëri profesionale. Ndaj tyre nuk mund të jepet vlerësimi ‘i paaft뒔.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›