Kushtetuesja rrëzon ushtarakët
Aristir Lumezi
Gjykata kushtetuese rrëzoi dje një nga kërkesat e shoqatave të ish-ushtarakëve, që ishte pezullimi i zbatimit të ligjit, deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate. Shoqatat kishin kërkuar moszbatimin e ligjit deri në vendimin përfundimtar të gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit e hodhi poshtë këtë pretendim, duke i hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës kryesore. Por Gjykata shtyu dje për në 12 nëntor seancën për shqyrtimin kërkesë së ish-ushtarakëve për pezullim të ligjit për pensionet suplementare. Vendimi u mor pas kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave, të cilat kërkonin shtyrjen e seancës për arsye objektive. Kërkesa u mbështet edhe nga përfaqësuesit e Kuvendit, të cilët pohuan se kjo është një çështje që kërkon më shumë kohë për t’u përgatitur. Kundër shtyrjes u shprehën pala paditëse, “Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë” dhe shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, shoqata e policëve dhe Avokati i Popullit. Sipas tyre ligji mohon disa të drejta të fituara me anë të ligjeve të miratuara vite më parë, duke shënuar kështu regres dhe duke shkelur parimin e sigurisë juridike. Një pikë tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se sipas ligjit të ri nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë. Ndërkohë, që në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë argumenton se e drejta e punësimit të tyre është sanksionuar një herë në nenin 35/2 të ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për pensionin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ndërpritet në rastin e punësimit të përfituesit.
Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë si dhe Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” prisnin të argumentonin dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tyre për pezullimin e ligjit “Për sigurimin suplementar të ushtarakëve të FA, punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH”, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Të njëjtën kërkesë kanë paraqitur edhe Shoqata “Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim”. Ndërsa Avokati i Popullit dhe Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, kanë paraqitur para Gjykatës Kushtetuese kërkesat e tyre për papajtueshmëri të ligjit me Kushtetutën për vetëm disa nene të saj. Për shkak të objektit të njëjtë të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i ka bashkuar ato në një shqyrtim të vetëm gjyqësor, shqyrtim që pritet të nisë sot paradite në Gjykatën Kushtetuese.
pensionet e ish-ushtarakëve
Ligji për trajtimin me pensione suplementare të ish-ushtarakëve u miratua në vitin 2005 Me ardhjen në pushtet, qeveria e PD e amendoi ligjin e socialistëve në shkurt 2006 Ish-ushtarakët i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe në shkurt 2007, rrëzohen 3 nene të ligjit Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohet, ndërsa Qeveria harton nga e para një ligj të ri për ish-ushtarakët Ligji i dytë, përkeqëson të gjithë parametrat e trajtimit të ish-ushtarakëve Gjykata Kushtetuese nuk e atakoi çështjen e masës së pensionit të ish-ushtarakëve, ndërsa ligji i ri bëri ndërhyrje dhe në këtë çështje Qershor 2009, shoqatat e ish-ushtarakëve i drejtohen për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese Shqyrtimi i çështjes nis në 12 nëntor