Mashtrimi, dy gra në hetim për 12 mijë USD
TIRANE - Policia e kryeqytetit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për dy gra, të cilat duke u ankuar tek fqinjët si të sëmura, i kanë mashtruar duke iu vjedhur paratë për të mos ua kthyer më. Pasi kanë humbur çdo shpresë për rikthimin e parave që u kishin vjedhur gratë, fqinjët i kanë denoncuar dhe në këtë mënyrë ka nisur edhe hetimi ndaj tyre. Burime nga policia thanë se denoncimi i parë është bërë në Komisariati nr.3, ku ka filluar procedim penal në gjendje të lirë për 48-vjeçaren Lumturie Dito, me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit. Ajo është kallëzuar nga fqinja e saj Ferdie Ferra, 48 vjeçe, e cila e akuzon se ajo i ka vjedhur 300 euro duke e mashtruar sikur ishte sëmurë dhe kishte për të marrë disa ilaçe. Gjithashtu, Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për 47-vjeçaren Mimoza Lame. Gruaja është denoncuar nga 53-vjeçari Besnik Gjongecaj, të cilit më shumë se një vit më parë ajo i ka marrë 11 mijë euro, duke pretenduar se do t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk ia ka kthyer më paratë. Burimet sqaruan se edhe Lame akuzohet për vjedhje nëpërmjet mashtrimit.