“Kushtetuesja u kaloi shqiptarëve të drejtën për të vendosur”

Reagon Kreu i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për “Importin e mbetjeve”
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka reaguar pas publikimit të lajmit se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të lejojë referendumin kundër importit të plehrave.
Sipas tij, ky vendim është keqinterpretuar, pasi Kushtetuesja as nuk lejon dhe as nuk ndalon importin e plehrave. Me këtë vendim ajo ua lë në dorë shqiptarëve, të cilët mund të shprehen me votën e tyre
Kreu i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e njё referendumi kundër importit tё mbetjeve duke ka sqaruar se me këtë vendim, nuk është parashikuar vullneti i shqiptarëve, por u është lënë atyre e drejta sovrane për të vendosur. Në një deklaratë për shtyp në kryesinë e Kuvendit, ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese shumë i rëndësishëm. “Sot njerëz dhe media kanë hedhur idenë sikur Kushtetuesja me vendimin e vet ka ndaluar importin, ky është keqinterpretim me dashje i vendimit të Kushtetueses dhe përfitoj nga ky komunikim për të sqaruar thelbin e vendimit. Kushtetuesja është pjesë e procedurës ligjore për shqyrtimin e nismave për referendum. Ajo çmon nëse çështja që i shtrohet me kërkesë duhet t’i drejtohet popullit dhe të vendosë populli apo jo, ajo as nuk ndalon dhe as nuk lejon. Ajo ka marrë një vendim të rëndësishëm që konfirmon të drejtën e shqiptarëve që përmes votës të vendosin për çështje që i vlerësojnë, nuk ka parashikuar vullnetin e shqiptarëve për të vendosu, u ka kaluar atyre të drejtën për të vendosur”, deklaroi Rusmali.
Sipas tij, Kushtetuesja e di që nga referendumi, për shkak të defekteve të kërkesës krijohet vështirësi, pasi kërkesa hap krahun për importin total të listës së plehrave, por Kushtetuesja duke respektuar të drejtën sovrane të shqiptarëve ka njohur edhe instrumentet që ka parlamenti, për të mos lejuar krijimin e situatave kaotike në vend.
“Ne si maxhorancë respektojmë sikurse dhe Kushtetuesja të drejtën e shqiptarëve, e provuam edhe dje me kërkesën për referendum, demokracia e shëndoshë e përsos sistemin demokratik në vend. Efektet negative që mund të na vijë nga një kërkesë e tillë do të përballohen nga, jo shteg abuzuesve që e kanë me hile pozicionimin e tyre ndaj çështjes” shtoi ai.
Debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011 kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi. Ambientalistët i kundërshtuan me forcë këto dy nene duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji është hartuar në përputhje me standardet europiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi. Në fillim të vitit të shkuar, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ambientalistët mblodhën mbi 60 mijë firma, duke dorëzuar kërkesën për referendum.