E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", shkon në 26 numri i të vdekurve

Shkon në 26 numri i personave të vdekur nga tragjedia e Gërdecit. Dje në orët e paradites ka ndërruar jetë në spitalin e Brindisit në Itali 19-vjeçarja Resmije Kraja. Sipas informacioneve nga Ministria e Drejtësisë, Kraja ishte shtruar në spital me djegie të rënda. Mjekët ekzaminuan se trupi i saj ishte djegur në masën 80%, duke mos lënë asnjë mundësi për t‘i shpëtuar jetën. "19-vjeçarja Resmije Kraja, e cila punonte në fabrikën e çmontimit të armëve në Gërdec ka ndërruar jetë në orët e para të së dielës në spitalin e Brindisit në Itali si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i 15 marsit në fabrikën e sipërpërmendur", thanë burime nga Ministria e Shëndetësisë, burime nga e cila bëjnë të ditur se 19-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë, pasi shkalla e djegies në trup ishte në masën 80%. Me Krajën, numri zyrtar i viktimave nga tragjedia e Gërdecit arrin në 26 të vdekur. Para pak ditësh, qeveria shqiptare është njoftuar nga spitali i Brindisit se ka vdekur një tjetër i plagosur nga tragjedia e Gërdecit. Qemal Deliu, 48 vjeç, ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda që mori nga shpërthimi i 15 marsit. 48-vjeçari është viktima e 5-të e familjes Deliu, më e goditura nga tragjedia që shkaktoi edhe rreth 300 të plagosur. Një javë më parë, një tjetër i plagosur nga shpërthimi, Edison Durda, vetëm 6 vjeç, ndërroi jetë në Itali, pasi nuk mundi të mbijetonte nga plagët e rënda në trup.

Në datën 7 prill të këtij viti, qeveria shqiptare mbylli zyrtarisht kërkimet në Gërdec për gjetjen e trupave të humbur pas shpërthimit tragjik të 15 marsit, duke saktësuar se numri i të vdekurve ishte 24 persona, ndërkohë që numërohen edhe rreth 300 persona të plagosur. Por, me kalimin e ditëve dy viktima të tjera janë shënuar në Itali. Mësohet se 24 persona janë të rrethit të Tiranës, kryesisht banorë të fshatit Marqinet dhe Gërdec. Ndërkohë, policia sqaroi se dy të tjerë janë banorë të rretheve Kurbin dhe Mat. 19 persona nga të humburit u konfirmuan edhe nga morgu i Tiranës, ku u kërkua edhe ndihmë e specializuar për shkak se trupat e viktimave, në shumicën e rasteve, u gjetën të djegura me përqindje të konsiderueshme. Pas tragjedisë, mësohet se në spitalet italiane, ku ishin dërguar të plagosurit, kanë humbur jetën shtatë persona dhe kjo si rezultat i djegies së trupit në një pjesë të madhe. Edhe kurimi më i specializuar nuk ka mundur dot t‘i mbajë në jetë ata. Bilanci përfundimtar i asaj që ndodhi në mesin e muajit mars mbetet 26 të vdekur dhe rreth 300 persona të plagosur, ndërkohë që është deklaruar zyrtarisht se nuk figuron më asnjë i humbur


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›