E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Socialiste paraqet në Kuvend aktin normativ. Banorët do të vetëdeklarojnë dëmet

Partia Socialiste harton aktin normativ për rehabilitimin e Gërdecit. Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, kundërshtoi dje aktin normativ të qeverisë, duke qenë jo aprovuese. Leskaj nënvizoi se ligjvënësit socialistë kanë hartuar nismën e tyre dhe kërkojnë që të futet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. "Kjo është një nismë që ka të bëjë me kompensimin 100% të të gjitha pasojave të tragjedisë së Gërdecit", u shpreh Leskaj. Sipas saj, në këtë nismë, kanë punuar jo vetëm ekspertët e Partisë Socialiste, por ka pasur edhe konsulta me një grup përfaqësuesish të komunitetit të Gërdecit, të cilët janë në proces të legalizimit, pra të ngritjes së një shoqate për Gërdecin. "Ne jemi konsultuar me këtë grupim, që e konsiderojmë si faktor shumë të rëndësishëm interesi lidhur me këto mendime", nënvizoi Leskaj. Për sa i përket nismës, ajo konsiston në fillim me vetëdeklarimin, që do të thotë që ju jep mundësi të dëmtuarve nga kjo tragjedi që të bëjnë vetëdeklarimin e pasojave të dëmeve lidhur me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. "Natyrisht që këtu do të hyjë në veprim edhe komisioni i posaçëm që ka të bëjë me vlerësimin", sqaroi Leskaj. E dyta, shtoi ajo, ka të bëjë me afatet, dhe janë përcaktuar disa terma kohe, disa afate, të cilat japin mundësi që ky problem të zgjidhet sa më shpejt. "Për shkak se këta njerëz janë ende të paqartë se si do të jetë masa e kompensimit", vlerësoi Leskaj. PS sqaron se gjithashtu është parashikuar çështja e transparencës. Ka dy elemente të transparencës, i pari ka të bëjë me transparencën e vetë të dëmtuarve. Projekti i socialistëve parashikon që ata të dëmtuar që mund të bëjnë deklarime të rreme, natyrisht do të kenë penalitete dhe penalitetet do të jenë të rënda sipas nismës. "E dyta ka të bëjë me transparencën e strukturave shtetërore që ka të bëjë me këtë proces. Do të thotë që KLSH duhet të bëjë auditimin për të gjithë procesin", nënvizoi Leskaj. Grupi parlamentar i PS-së, shprehu dje shqetësim për sa ka të bëjë me të ardhmen e njerëzve të cilët janë të dëmtuar fizikisht, që mund të mbeten invalidë, qoftë edhe ata që kanë humbur jetën. "Për këtë arsye i kërkojmë sot qeverisë, që brenda dhjetë ditëve të sjellë në Parlament nismën për çështjet e pensioneve që mund t‘u lidhen këtyre personave", u shpreh Leskaj. Drejtuesja e deputetëve socialistë paralajmëroi se në rast se qeveria nuk do ta sjellë, grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës është i gatshëm të kontribuojë edhe me këtë nismë të dytë, në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e pensioneve. "Për sa i përket nismës që sapo prezantova, të cilën ne ua kemi vënë në dispozicion komunitetit dhe këtij grupi interesi, ata mund të bëjnë komentet dhe sugjerimet e tyre në mënyrë që në rast se ka vend për përmirësim, të përmirësohet", theksoi Leskaj. Ajo shfrytëzoi edhe një herë rastin t‘i bëjë thirrje qeverisë ta shikojë me seriozitet këtë nismë dhe Parlamenti shqiptar ta miratojë. Leskaj shprehu besimin se për të gjithë është e qartë që tragjedia e Gërdecit ndodhi për shkak dhe për përgjegjësi të shtetit dhe duhet të jetë shteti që të kontribuojë në zgjidhjen e saj dhe në mbylljen e plagëve të kësaj tragjedie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›