E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta e Shqipërisë, e amenduar dy herë brenda 10 vjetësh

Me amendamentet kushtetuese të miratuara dje në komisionin parlamentar të Ligjeve, Kushtetuta e Shqipërisë pritet të pësojë ndryshimin e dytë brenda dhjetë vitesh. E miratuar më 21 tetor 1998, gjatë punimeve të legjislaturës së XV-të të Kuvendit,  Kushtetuta shqiptare u adoptua më 28 nëntor 1998, përmes një referendumi mbarëpopullor, duke u cilësuar nga ekspertët ndërkombëtare në përputhje me rregullat e standardet europiane. Dokumenti themeltar i shtetit e përkufizon Shqipërinë republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm dhe me një qeverisje të bazuar "në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike". Zhvillimet e vrullshme politiko-shoqërore në vend gjatë këtyre dhjetë viteve kanë krijuar premisa për ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit, i cili duhet t'i përgjigjet progresit të vendit në çdo hap. Nisur nga këto zhvillime politika ka ndërmarrë nisma për prekje të saj, në ato nene ku shihet e domosdoshme. Por jo gjithmonë iniciativat për ndryshime kushtetuese janë përkrahur nga spektri politik, i cili në jo pak raste ndan mendime të ndryshme për këtë çështje. Për herë të parë ligji kushtetues u amendua në Kuvend më 13 janar 2007, me ndryshimin e nenit 154. Përmes këtij ndryshimi mandati i të zgjedhurve vendorë nga 3 vjet u bë në 4 vjet, si dhe numri i anëtarëve të KQZ-së, nga 7 anëtarë shkoi në 9. Një vit më pas, ndërmerret nisma për një reformë kushtetuese, e cila pritet të prekë një gamë më të gjerë çështjesh, duke filluar nga sistemi zgjedhor në Shqipëri, procedurat e zgjedhjes së Presidentit, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe mocioni i besimit e mosbesimit ndaj Kryeministrit.  Paketa me problematikën e mësipërme, e iniciuar me vullnetin e përbashkët të dy forcave më të mëdha politike, PD e PS, u miratua dje në tërësi në komisionin e Ligjeve, vetëm me dy vota kundër (PBDNJ dhe LSI). Kjo paketë i është përcjellë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Pika e debatit në këtë paketë  mbetet amendimi i nenit 87 të Kushtetutës, që lidhet me procedurat e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Për këtë nen komisionit të Ligjeve iu paraqitën dy drafte, njëri që propozonte zgjedhjen e Kreut të Shtetit me shumicë të thjeshtë votash (70+1), dhe tjetri zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli. Paketa me amendimet kushtetuese, përfshirë këtu dhe dy propozimet, do të shqyrtohet në seancën e Kuvendit, që pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›