E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të konkurrojmë të vetëm në zgjedhjet e 2009-s

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka bërë dje të qartë në qytetin e Elbasanit se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, forca që ai përfaqëson nuk do të jetë në koalicion me PS-në. Në një takim me strukturat e LSI-së në sallën e teatrit “Skampa” në Elbasan, Meta tha se “LSI do të hyjë në zgjedhje me koalicionin e saj dhe PS me të vetët”. Kreu i LSI-së nuk bëri të ditur se cilat do të jenë forcat politike me të cilat LSI do të jetë në koalicion, por nënvizoi se “bejlerët e PS-së kanë frikë të përballen drejtpërdrejt me votën e popullit, ndaj duan lista shumëemërore të mbyllura”. Duke folur për reformën zgjedhore, Meta tha se “LSI ka qenë dhe mbetet e hapur që qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë, por ata të zgjedhin dhe kandidatët ndërmjet partive, sepse Parlamenti ka nevojë më shumë për individualitete, sepse Parlamenti ka nevojë për më shumë qytetarë të përfaqësuar nga elektorati shqiptar”. Pasi kishte akuzuar Berishën për politikë pa moral, Meta shtoi se “politikë pa moral për fat të keq nuk bën vetëm Berisha, por po bën edhe Edi Rama”. "Me thënë të drejtën, u shpreh Meta, kam filluar ta vlerësoj tashmë deputetin tuaj të Librazhdit, zoti Balla, për ato që thoshte para dy vjetësh për Edin, kur ne bënim marrëveshje për koalicion me të, pasi atë kohë Balla përkrahte z. Nano dhe thoshte se Edi ka shumë mangësi, nuk është serioz dhe nuk është socialist", - tha ai. Duke e akuzuar Ramën për bashkëpunimet me Berishën, Meta shtron pyetjen “si ka mundësi që Rama të ketë më shumë besim tek Sali Berisha, dhe jo tek Ilir Meta, tek Paskal Milo apo tek Neritan Ceka?”. Në këtë prizëm ai kritikon bashkëpunëtorët e Ramës, duke shtuar se “këta që pranojnë politikën e Ramës, që mohon gjithçka, nuk janë gjë tjetër, veçse janë kameleonë, që nuk kanë një moral politik, sepse si mund të mohosh ti punën 8-vjeçare të së majtës, pavarësisht problemeve që kishte kohët e fundit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›