Ofertat "Club Med" dhe refuzimi i niviciotëve
Hyrja në Shqipëri e një prej emrave më të mëdhenj në fushën e turizmit has prej tre vjetësh në vështirësi të mëdha. Bëhet fjalë për francezët e "Club Med", që kanë marrë lejen për të ndërtuar një fshat turistik në zonën e rivierës, më saktësisht në Gjirin e Kakomesë. Në vitin 2005, kur filloi ndërtimi i këtij resorti turistik, banorët e zonës pranë bllokuan rrugën, duke pretenduar pronësinë mbi tokën. Më pas nisi një kalvar i gjatë përballjesh me institucionet shtetërore për këtë pretendim që u rrëzua si nga zyrat e pronave, por edhe më tej. Megjithatë, zgjidhjen që nuk e dhanë dot institucionet shtetërore u munduan ta gjenin vetë investitorët e këtij projekti. Në një letër drejtuar Kryeministrit Berisha, Qarkut të Vlorës dhe Komunës së Nivicës, ata thanë se ishin të gatshëm që të ofronin aksione, duke bërë kështu pronarë në fshatin turistik banorët e zonës. Kjo zgjidhje e paprecedentë synonte të zgjidhte një konflikt që linte zonën sërish në një boshllëk investimesh, por edhe turizmin shqiptar të mangët. Por banorët e Nivicës nuk e pranuan as këtë ofertë, duke vazhduar të mbajnë bllokuar një nga investimet më të mëdha turistike në Shqipëri. Nivicjotët, që udhëhiqen nga kryetari i Komunës Lukovë, as që e morën në konsideratë ofertën për t‘u bërë aksionerë, por përkundër kësaj, iu bashkuan në verë të këtij viti një tubimi të organizuar nga shoqatat e minoritetit grek në Shqipëri, për mbrojtjen e pronës.