E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Palët të afrohen, duhet dialog i qëndrueshëm

"Ka ardhur koha të shohim një dialog të qëndrueshëm, normalisht në Parlament. Ka ardhur koha që të dyja palët të fillojnë të afrohen me njëra-tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë". Kjo ishte deklarata e djeshme e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Robert Bosch. Mesazhi u dha dje në një prononcim për mediat, pas një fjalimi që Bosch mbajti në kuadër të seminarit rajonal të sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve. Qëndrimi i OSBE-së vjen në një moment kur mes faktorëve politikë ka shpërthyer një valë sulmesh denigruese dhe personale. Më parë, zyrtarët e Komisionit Europian dhe OSBE-së kanë deklaruar haptazi se nuk do të luajnë rolin e interlekutorit mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Që nga muaji shtator, kur u deklarua bojkoti i Kuvendit, faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje që palët të gjejnë një zgjidhje dhe të ulen në tryezën e bisedimeve. Deklarata më e qartë ishte ajo e dhënë nga komisioneri për zgjerimin në BE, Olli Rehn. Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin Ilir Meta në Bruksel, zyrtari europian theksoi se i takon qeverisë të punojë për zgjidhjen e situatës. Përtej situatës politike, gjatë fjalës së tij në seminar, Bosch tha se "përdorimi i instrumenteve bashkëkohore elektronike të komunikimit po bëhet gjithnjë e më thelbësor për një funksionim sa më efektiv dhe eficent të Parlamentit". Teknologjia e informacionit dhe komunikimit, tha ai, apo me shkurtim e njohur si ICT, është bërë një mjet thelbësor në procesin ligjvënës, në mbikëqyrjen e qeverisë dhe komunikimin me publikun. Shumë vendime tani merren në bazë të informacionit elektronik, vijoi ambasadori, ku dokumentet bëhen më lehtë të aksesueshëm dhe të disponueshëm se më parë. "Me përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), parlamentet kombëtare mund të jenë më transparente me qytetarët dhe median, ku këta të fundit kanë më shumë mundësi të ndjekin procesin ligjvënës. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit është duke ripërcaktuar të tërë strukturën e ndërveprimit ndërmjet Parlamentit, qeverisë dhe publikut", sqaroi ambasadori. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është duke ndihmuar në krijimin e qeverisjes elektronike në Parlament. "Personeli mbështetës i Parlamentit është duke u trajnuar aktualisht për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; dosjet e arkivit të Parlamentit janë duke u dixhitalizuar; brenda ambienteve të Parlamentit është duke u ndërtuar një dhomë kompjuterësh dhe janë krijuar faqe interneti për disa deputetë", u shpreh Bosch.

E gjithë kjo ka ndodhur, shtoi ai, dhe po ndodh si pjesë e projektit për mbështetjen e Parlamentit, të financuar nga Mbretëria e Vendeve të Ulëta. "Duke pasur parasysh se të gjitha parlamentet e rajonit ballafaqohen me të njëjtat sfida, shkëmbimi i përvojave është si rrjedhojë një veprimtari e dobishme", theksoi Bosch. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit, nënvizoi ai, vetëm sa siguron "infrastrukturën", sepse ajo nuk është një "qëllim" në vetvete dhe e vetme nuk mund ta bëjë një parlament modern dhe demokratik. "Ajo është e dobishme vetëm në duart e deputetëve, që janë të gatshëm të punojnë fort, me një frymë transparence dhe llogaridhënieje, për të mirën e mbarë publikut. Të gjithë deputetët duhet t‘i përkushtohen miratimit të legjislacionit të nevojshëm për përmbushjen e standardeve për integrimin në BE. Të gjithë deputetët duhet t‘i përkushtohen informimit dhe konsultimit me publikun gjatë hartimit të ligjeve", u shpreh Bosch.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›