“Kushtëzimi destruktiv është në kundërshtim me frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon”

Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të SEECP
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani nuk do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të SEECP, që do të zhvillohet në Ohër më datë 1-2 qershor 2013. Sipas Zyrës për Shtyp të Presidencës, shkak për këtë vendim është bërë mosftesa e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. “Duke e konsideruar bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe NATO, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij”, thuhen në deklaratë. Jahjaga, nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë eveniment, në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut që mbizotëron në rajon dhe që lehtëson arritjen e synimit të përbashkët, atë të integrimit evropian, thekson Presidenca shqiptare. “Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon. Në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në Samitet e Ohrit të datave 1 dhe 2 qershor.” theksohet më tej ne deklarate.