E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bashkia e Durrësit, me taksat më të larta në vend për biznesin e vogël

29-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri bashkëbisedon me Shoqatën e Transportuesve në Terminalin e portit të Durrësit

“Durrësi është qyteti ku biznesi i vogël ka taksat më të larta në të gjithë vendin”. Kështu u shpreh dje, kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me Shoqatën e Transportuesve në Terminalin e portit të Durrësit. Kryeministri tha se “Këshilli Bashkiak i Durrësit ka çuar dosjen në Prokurori për Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, pasi ai në kundërshtim me ligjin vendosi tarifat e taksat ndër më të lartat për biznesin”. Sipas kryeministrit, në çdo vend të lirë taksa është atribut i parlamentit qendror dhe për lokalet është atribut i parlamentit lokal. Duke folur për kreun e PS-së, Edi Rama, Kryeministri Berisha tha se, “e shihni shokun Rama që vrapon poshtë e përpjetë e thotë se do të ulë taksat. Këta janë filozofia e rritjes së taksave. Këtu në Durrës për biznesin e vogël janë taksat më të larta që ekzistojnë, pra ajo që bën ai është një hile shumë e ligë, pasi ti duhet të tatosh mbi bazën e të ardhurave dhe xhirove”. Lidhur me shërbimin në Doganën e Tiranës, Kryeministri Berisha i premtoi transportuesve se “kjo çështje do të marrë zgjidhje në mënyrë të padiskutueshme. Dogana e Tiranës është e detyruar të ofrojë shërbimet më të mira dhe kudo do të bëjmë gjithçka për shërbimet më të mira ndaj jush”.
Sektori i transporteve, promotor i zhvillimit të vendit/“Sektori i transporteve, është njëri prej sektorëve më jetikë të ekonomisë shqiptare, ku në një hark kohor të shkurtër përballoi me sukses një rritje shumë të shpejtë dhe të madh të vëllimit të punës suaj”, tha dje kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me shoqatën e transportuesve në terminali i pasagjereve në Portin e Durrësit, shefi i qeverisë bëri të ditur arritjet e shënuara nga ky sektor vetëm gjatë 6 viteve të fundit. “Nga viti 2006 deri në 2012, vetëm njëri prej sektorëve të punës suaj, sektori i eksporteve, është rritur nga 66 miliardë në 212 miliardë lekë. Pra është rritur mbi 3 herë dhe kjo rritje është akoma më e madhe në vëllim në tokë dhe qartësisht më të mëdha se eksportet, janë importet dhe më të mëdha se eksportet dhe importet, janë transportet. Realisht, Shqipëria lëviz mbi supermuskujt tuaj”, nënvizoi Berisha. Duke vlerësuar se ky sektor është shndërruar në promotor të zhvillimit të vendit, kreu i ekzekutivit tha se, edhe qeveria ka bërë shumë përpjekje për kushte më të mira. “Sot lëvizni në një rrjet rrugor krahasimisht tjetër me rrjetin rrugor që lëviznit pak vite më parë. Sot ju shërbeni me kapacitet dhe shërbime të tjera”, pohoi ai. Më tej, kryeministri theksoi se, këto ritme të mëdha të rritjes së vëllimit të transporteve, janë për ju një sfidë e madhe dhe shumë e rëndësishme për ekonominë dhe vendin. Ai shprehu vendosmërinë e qeverisë që të mbështesë këtë sektor, ndërsa është përpjekur dhe përpiqet të lehtësojë barrën burokratike. “Katër vitet që vijnë, janë 4 vitet e zhvillimit më të pakrahasueshëm sepse fillojmë në një stad të ri që ne kemi arritur me mund dhe djersë. Do të jenë vitet që Shqipëria do të ketë statusin e vendit kandidat dhe do të hapë negociatat për integrimin e plotë në BE”, deklaroi shefi i qeverisë, duke shtuar se, “Shqipëria është në prag të zhvillimeve të mëdha”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›