Vëzhgimi /Rama imiton town halle-t e Berishës, por pyetjet i porosit vetë dhe s’i lë qytetarët të flasin
Është krejt e qartë ndjekja elektorale që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama po i bën fushatës së kryeministrit Berisha në organizimin e town Hall-eve, në të cilën qytetaret pyesin dhe politikani përgjigjet duke dhënë shpjegime dhe receta për zgjidhjen e problemeve. Mirëpo ndërsa kryeministri Berisha e ka të natyrshme të dëgjojë çdo pyetje, shqetësim dhe hall, e kundërta ndodh me kreun e opozitës Edi Rama që ka fobi pyetjet dhe shqetësimet e të tjerëve. I mbetur pa karburant intelektual ai ka zgjedhur të imitojë pa shumë detaje edhe formatin e takimeve të hapura me qytetarët. Megjithëse këto takime po i bën të “manipuluara” sepse pyetjet nuk janë të natyrshme dhe në pjesën më të madhe janë të porositura me skenar dhe përgjigjet jepen me recetat automatike të Edi Ramës. Flitet për shëndetësi dhe ja ku del pyetja dhe shqetësimi i ilaçeve që Edi Rama nuk flet për ministrinë e Shëndetësisë që ka qenë qeverisur së fundmi prej dy ministrave të LSI-së apo farmacitë e Sajmir Tahirit, por jep përgjigje populiste për shëndetësi falas për të gjithë sikur të ishte një shërbim për invalidë lufte dhe të vobektë nga lindja. Flitet për diplomacinë dhe ja ku del pyetja për kapjen për veshi të diplomatit shqiptar në Vjenë dhe këtë Edi Rama e justifikon me fjalët: “trupi diplomatik është mbushur me kalamaj, dhëndurë halla dhe teze të atyre që janë në pushtet”. Flitet për pronat dhe ja Edi Rama nxjerr çudinë më të madhe duke thënë se do të kërkojë tapinë në Stamboll. Edi Rama kërkon të njohë tapinë dhe qitapet e një vendi pushtues, duke hedhur poshtë të gjithë reformat agrare të bëra në 100 vite shtet shqiptar. Me këtë logjikë kosovarët nëse kanë një problem me pronësinë duhet ta kërkojë në kadastrat apo hipotekën e Beogradit. Në sistemin fiskal ai kërkon të rikthejë taksimin progresiv duke rritur taksat për biznesin e mesëm dhe të lartë që punësojnë qindra mijë qytetarë. Përkundër kësaj, kryeministri i ka qëndruar gjithnjë fjalës se taksimi i sheshtë është një prej motorëve në rritjen e vendeve të punës. PS-ja nuk pajtohet as me faktin që me gjithë krizën dhe recesionin në Itali dhe Greqi, Shqipëria ia doli të mbajë parametra të qëndrueshme makroekonomike, duke mbajtur një rritje ekonomike pozitive që garanton punësim dhe paga më të mirë. Edi Rama e ka të qartë se nuk po frymëzon në fushatën elektorale sepse dhe kjo nuk varet sepse nuk ka një program qeverisës, por sepse ai mbështet tek teoria e fillimit zero, nga e para dhe njerëzit pas shumë sakrificash nuk duan t’ia nisin nga e para.