Kushti: 2 mijë lekë të vjetra për të dorëzuar A2
Maturantët duhet të paguajnë dy mijë lekë të vjetra për bazën materiale të shpenzuar për procesin e Maturës Shtetërore. Ashtu si çdo shërbim tjetër edhe matura kërkon një fond të caktuar për të realizuar testet e 4 provimeve, ku përfshihen fletët A4, boja e printerit, fotokopja, por edhe pagesa e specialistëve që përgatitën hartimin dhe bëjnë vlerësimin e tyre. Pagesa e nxënësve do të shërbejë posaçërisht për këto shërbime, por edhe për plotësimin e formularit A2. Maturantët janë të detyruar të paguajnë 2000 lekë të vjetra deri përpara ditës që do të dorëzojnë në shkollën përkatëse formularin e plotësuar. Afati i fundit për dorëzimin e tij është data 2 gusht, kështu që pagesa duhet të bëhet përpara kësaj date. Pas kësaj nxënësit do të plotësojnë formularin e preferencave, origjinalin, dhe do ta dorëzojnë atë bashkë me një mandat, që ka të regjistruar të dhënat e tij personale si ID, data dhe dita kur këto para janë depozituar në bankë.
Formulari A2 është shpërndarë në drejtoritë e shkollave të mesme më 22 korrik, datë e cila u ka dhënë mundësinë atyre të bëjnë prova mbi fotokopjen e tij, deri në momentin kur ata do të ndihen të sigurtë për të bërë plotësimin e origjinalit. Bazuar në rregulloren e maturës shtetëore nxënësve u janë premtuar plot 10 ditë për plotësimin dhe dorëzimin e tij. Por aktualisht maturantëve u kanë mbetur vetëm 5 ditë afat për të ndjekur këto procedura. Burime nga ministria e arsimit bëjnë të ditur se shkollat e mesme do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë e të dielë, kështu që nxënësit mund të paraqiten në shkolla edhe gjatë fundjavës. Plotësimi i formularit të preferencave është shumë i rëndësishëm, pasi është kriteri kryesor për t’u regjistruar në një nga universitetet e vendit.
Në gjimanzet e Tiranës, formualari A2 është tërhequr pothuajse nga të gjithë kandidatët, ndërkohë që të gjithë maturantëve iu është lënë mundësia për ta fotokopjuar A2 me qëllim shmangien e gabimeve gjatë plotësimit të origjinalit. Nxënësit i kanë tërhequr tashmë formularët. Fillimisht ata janë pajisur me kopjet e tij që të jenë më të kujdesshëm në plotësimin e formularit A2, pavarësisht se këtë vit plotësimi i formularit A2 ka pasur një sërë prioritetesh, siç është fakti që në të janë të shënuara të gjitha pikët, ato të provimeve te detyruara, mesatarja dhe provimet me zgjedhje. Në këtë mënyrë çdo nxënës është në gjendje të bëjë një përllogaritje të saktë të maksimumit të pikëve që ka grumbulluar në total.
#