Anulohet koncerti i Eros Ramazzotti-t
Ka dështuar koncerti i këngëtarit të njohur italian Eros Ramazzotti, i parashikuar të mbahej në Prishtinë më 31 korrik. Shkak është bërë një mosmarrëveshje mes menaxhuesit të stadiumit të Prishtinës Afrim Muçiqi me organizatoren e këtij koncerti Armenda Filipaj. Ndërsa kamionët me materialet që do të përgatisnin skenën kanë mbërritur në Prishtinë, ato nuk janë lejuar të hynin në stadium. Muçiqi pretendon se organizatorja e koncertit nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratën e kërkuar prej tyre. Nga ana tjetër, Filipaj shprehet se stadiumi i Prishtinës kishte një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës së Kosovës që do t’i paguante 15 mijë euro për shfrytëzimin e ambientit dhe nuk i takonte asaj si palë e tretë të nënshkruante. Ky lajm ka zhgënjyer shumë fansa, ndërsa Filipaj ka thënë se do t’u kthehen paratë atyre që kanë blerë biletat. Nuk dihet nëse do të ketë një datë të dytë për koncertin.
#