E Diel, 1 Nëntor 2026

“Burimet nga turma” dhe tallja me Prokurorinë e Përgjithshme

Dy ditë më parë, ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu shumë i kujdesshëm, zbuloi ekzistencën e mundshme të një prove për dosjen Gërdeci. Në një intervistë të tijën te “Alsat” TV, Mediu saktësisht u shpreh në ligjëratë të drejtë se, “Ç’mund të them unë për Prokurorin e Përgjithshëm i cili nuk vlerëson një material konfidencial i ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i cili thotë se janë vendosur 2 mina me sahat në Gërdec”.
Më tej Mediu, duke mos “i vënë vulën” ekzistencës së kësaj prove të mundshme, brenda kujdesit për të mos abuzuar nuk linte pa shprehur dyshimet e tij, për faktin se “një material i cili mund të qëndrojë edhe të mos qëndrojë”, por që gjithsesi sipas tij, “në fund është një material bazë i cili duhet t’i bëjë njerëzit të gjykojnë realisht për atë që nuk është interesi i Fatmir Mediut, por interesi i sigurisë së këtij vendi”.
E pra, deklaratat e mësipërme dhe të tjera, janë bërë nga Fatmir Mediu dhe kush nuk ka pasur mundësi ti dëgjojë e ti shohë me zë e me figurë, të artikuluara nga ish-Ministri i Mbrojtjes te “Alsat” TV, i lexoi dje nëpër gazeta dhe nuk kishte dyshime se ato ishin shqiptuar në ligjëratë të drejtë, prej Mediut, për faktin e thjeshtë në dukje se ato ishin vendosur mes thonjëzave (“...”).
Por ç’ndodhi po dje, pasi titujt “bombastik” të gazetave kishin “goditur” ata që nuk kishin mundur të dëgjonin Fatmir Mediun në intervistën e tij te “Alsat” TV.
Nëpër televizione të njohura për “dashamirësinë” e tyre për Fatmir Mediun, në masën e “dashamirësisë” për Maqo Lakrorin, thuajse në të njëjtën kohë (në edicionet e tyre të lajmeve midis orës 15.00 dhe 16.00), “rrëzonin” pa zërin dhe pa figurën e askujt nga Prokuroria e Përgjithshme, apo Prokuroria e Tiranës, deklaratat e Fatmir Mediut.
Saktësisht, ajo që ndodhi dje midis orës 15.00 dhe 16.00 dhe që natyrisht vazhdoi edhe në të gjitha edicionet e radhës të të njëjtëve televizione, ishte as më shumë e as më pak, “kundërshtimi” i zërit dhe i figurës së Fatmir Mediut, nga “zëri” dhe “hija” e Prokurorisë së Përgjithshme, por që diku shfaqej me të njëjta pamje arkivore, të cilat prej 15 marsit 2008 bëjnë të njëjtën xhiro nëpër të njëjtat televizione dhe diku shfaqej me zëra gazetarësh. Edhe sot, gjithsesi ato deklarata nëpër gazeta, në shkrimet e mundshme për këtë “argument”, nuk do të mund të jenë të futura në thonjëza (“...”).
Pse?!
Sepse, me aq sa dëgjuam dje nëpër këto televizione të njëjta, nuk pamë me figurë dhe nuk dëgjuam me zë “të kundërshtonin” Fatmir Mediun, ish-Ministrin e Mbrojtjes, qoftë Ina Ramën, Prokuroren e Përgjithshme, apo qoftë ndonjë nga prokurorët e dosjes “Gërdeci”, që të besojmë se “kundërshtitë” e televizioneve janë bindëse. Për “forcë zakoni” apo “për traditë”, ndërsa pritet që gazetat sot të çahen me “nxirjen” e faqeve të tyre, nga “zbardhjet” e kronikave të djeshme të televizioneve, e sigurt, që nuk do të kemi fraza në thonjëza (“...”), që të besojmë që “kundërshtimin” me zë e figurë të deklarimeve të Fatmir Mediut, ish-Ministri i Mbrojtjes, ta kenë bërë qoftë Ina Ramën, Prokuroja e Përgjithshme, apo qoftë nga prokurorët e dosjes “Gërdeci”, për faktin e thjeshtë dhe banal se askush nuk i pa dhe dëgjoi ata dje me zë e figurë nëpër televizione që ti shoh sot “të konvertuar” mes thonjëzash (“...”) nëpër faqe gazetash.
Po atëherë kush foli dje realisht, aq sa disa televizione të sajonin kronika për të hapur edicionet e tyre të lajmeve?
Askush nuk foli.
Më saktë folën “burimet nga turma”.
Fraza “burimet nga turma”, është përdorur për herë të parë në vitin 1997, nga një korrespodente e mediave në Vlorë, e cila raportonte se “burimet nga turma, bëjnë të ditur se SHIK-u, do të ndërhyjë me forcë për të nxjerrë studentët grevistë të Universitetit të Vlorës”.
Pas kësaj ndodhi ajo që dihet, turmat e motivuara nga “burimet nga turma”, rrethuan dhe sulmuan degën e SHIK-ut në Vlorë, ku përgjakën deri në kufijtë e vrasjes efektivë të këtij shërbimi.
Duket terminologjia “burimet nga turma” është zhvendosur në Prokurorinë e Përgjithshme, kur “turmat” e këtij organi qendror të akuzës, më e pakta veprojnë si burrecë, duke dezinformuar në mënyrën më të ulët dhe më të shëmtuar nëpërmjet keqpërdorimit të disa televizioneve dhe më e shumta këto “turma” apo “burime nga turma” ka dhënë në përdorim (as me qira jo), frazën “burime konfidenciale, që nuk duan të identifikohen të Prokurorisë së Përgjithshme deklaruan se...”, dhe kaq duhet që të njëjtat televizione të shpërndajnë lajme pa zë e pa figurë, të gatuara në të njëjtën kuzhinë.
Çfarë i ngelet Prokurorisë së Përgjithshme pas kësaj?!
Natyrisht asgjë...!
Nuk është çudi, që sot, nesër e mandej, të dëgjojmë versionin “remix”, të anekdotës që u përhap, pas hapjes së “hetimeve” të Prokurorisë së Përgjithshme në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, për të gjetur se kush e shpërndau dosjen “Gërdeci”, nëpër gazeta.
E pra, kur “turma” të Prokurorisë së Përgjithshme, bridhnin redaksi më redaksi, gjatë xhiros “ekskluzive” që dosja “Gërdeci” bënte gazetë më gazetë, për të gjetur “burimin nga turma” që ju kishte dhënë dosjen për botim gazetave, një kryeredaktor gazete, “interesimit” të prokurorit “se ku e gjeti dosjen ‘Gërdeci’ që botonte në gazetën e tij”, iu përgjigj, “në një kosh plehrash”.
Ndoshta dje jo, por sot, qoftë Ina Rama, Prokurorja e Përgjithshme, apo qoftë prokurorët e dosjes “Gërdeci”, duhet të dalin, sigurish me zë dhe figurë, e të deklarojnë se ai lajm pa zë e pa figurë që “kundërshtonte” deklaratat e Fatmir Mediut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, që u transmetua dje në disa televizione, ishte gjetur sërish në një kosh plehrash, ndryshe do të na duhet të besojmë se vërtet dosja “Gërdeci” ka përfunduar në një kosh plehrash, plehra të cilat “riciklohen” nga “turma” në Prokurorinë e Përgjithshme apo në media...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›