Rajmonda Stefa: “Edi Ramës nuk i punon (mendja) për drejtim politik”

TIRANE – Ish-deputetja e Partisë Socialiste Rajmonda Stefa, deklaroi dje në mbledhjen e parë të “Lëvizjes për mendim ndryshe”, se Edi Rama duhet të largohet nga PS dhe ta lerë drejtimin e saj një politikani dhe vetë të ushtrojë detyrën e administratorit në bashki. “I bëj thirrje Ramës se PS-ja ka nevojë të ketë në krye një politikan dhe bashkia një administrator, prandaj t’ia lërë vendin në parti një politikani dhe të drejtojë bashkinë”, u shpreh ish deputetja e PS-së, Stefa. Sipas saj, PS-ja humbi zgjedhjet edhe për gabimet tona dhe këto gabime nuk pranohen nga pjesëtarët përreth kryetarit sepse kanë përgjegjësi së bashku me Ramën. Këta materialistë nuk sqarojnë sesi do t’i fitojnë zgjedhjet pa marrë pjesë në institucione, si do e bashkojnë të majtën kur Rama i cilëson armik ata që flasin ndryshe, si do t’i fitojë PS-ja zgjedhjet vendore dhe me çfarë formule taktike dhe strategjie elektorale. Ajo shtoi gjithashtu se edhe kushtet e vëna nga Rama, do të gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit duke shtuar se mbajtja e grupit parlamentar jashtë këtij institucioni i ul atij personalitetin politik dhe juridik sepse debati i vërtetë sipas saj bëhet brenda Parlamentit. “Ne nuk duhet të shqetësohemi për fatin politik të Ramës, por për fatin e PS-së shtoi Stefa duke theksuar se kjo lëvizja ka për qëllim ta kthejë PS-në në një forcë reformatore sepse vetëm të bashkuar mund të fitojnë.
...