Dita e Flamurit kremtohet edhe në zemër të Bukureshtit

Në Bukuresht, më 20 nëntor 2008, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksia e revistës Shqiptari, në prani të një numri të madh pjesëmarrësish nga komuniteti shqiptar, por dhe rumunë, arumunë, hungarezë, gjermanë, hebrenj, miq e dashamirës të kulturës shqiptare, në sallën Dalles të Universitetit Popullor të Bukureshtit, organizuan një manifestim të denjë kushtuar 28 Nëntorit, Ditës Kombëtare të Shqipërisë. Ishin të pranishëm autoritete institucionesh të ndryshme, qeveritare, shkencore e minoritare, mass/media radio/televizive, përfaqësues të ambasadës shqiptare, veteranë të komunitetit dhe studentë. Me këtë rast, Shkëlqesia e Tij, zt. Dashnor Dervishi, Ambasador i Shqipërisë në Bukuresht, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se më 28 Nëntor 2008, mbushen 96 vjet nga dita e shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë. Këtë përvjetor, populli dhe kombi shqiptar e përkujtojnë duke jetuar çaste shumë të rëndësishme, politike, ekonomike dhe sociale. Sot, Republika e Shqipërisë është shumë afër realizimit të objektivave të saj strategjike dhe kombëtare. Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo forcoi institucionet demokratike dhe shtetin ligjor. Reformat zgjedhore dhe juridike po përparojnë me shpejtësi, të mbështetura nga një konsensus i fuqishëm politik. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje me ritme nga më të shpejtat në rajon dhe me potenciale të mëdha për të ardhmen. Viti 2008, sipas shefit të diplomacisë shqiptare në Bukuresht, ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura mesatare dhe është një Shqipëri krejtësisht tjetër. Qëllimet dhe aktiviteti diplomatik i Shqipërisë ka qenë në radhë të parë i fokusuar drejt Brukselit, në shtimin e kontakteve me NATO-n dhe Bashkimin Europian, duke përballuar me sukses dinamikën integruese për t’i ofruar politikës shqiptare modele, standarde dhe programe zhvillimi për një Shqipëri të integruar. Në Samitin historik të Bukureshtit Shqipëria mori ftesën për në NATO, nënshkroi ne korrik protokollin e anëtarësimit dhe po pret ratifikimin e tij nga të gjitha vendet anëtare me synim anëtarësimin me të drejta të plota para Samitit të Strasburgut. Samiti i Bukureshtit, siç pritej, kurorëzoi përpjekjet tona për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO duke bërë kështu realitet njërën pjesë të ëndrrës euroatlantike shqiptare. Shqipëria në NATO do të thotë Shqipëria demokratike e sigurtë dhe e zhvilluar. Ftesa në Samitin e Bukureshtit dhe ngjarjet që rrodhën janë konfirmim i këtyre arritjeve. Përpjekjet tona do të vazhdojnë në kursin e reformave për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej të gjitha standardet, kriteret dhe normat e një vendi anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve është Pavarësia e Kosovës Në këtë tubim madhështor, ambasadori shqiptar theksoi faktin se Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve është Pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës u prit nga Shqipëria me gëzim dhe realizëm. Lufta e vazhdueshme që shqiptarët bënë ndaj padrejtësisë, ndaj dhunës dhe gjenocidit etnik, kalbëzimi i sistemit diktatorial jugosllav dhe angazhimi serioz i aleatëve euroatlantike kulmuan logjikshëm me shtetin e ri të Kosovës. Ky realitet i ri gjeopolitik përfaqëson një investim dyplanësh. Sot, Kosovën e kanë njohur vetëm 52 vende, me konsideratën se asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës si një akt armiqësie ndaj kombit serb apo si favor ndaj shqiptarëve. Këto kombe e kanë njohur Kosovën sepse janë të bindura se kjo është rruga më e sigurt për të kontribuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Dashnor Dervishi potencoi faktin se Rumania si një vend mik në rajonin tonë, ka qenë dhe mbetet një vend i vlerave me tradita të lashta në marëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit me Shqipërinë.. Me politikën e saj konstruktive të jashtme, ajo jep një kontribut të rëndësishëm në Rajonin tonë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Anëtare e BE dhe NATO-s, Rumania mbetet jo vetëm një aleat i sigurt që mbështet unitetin e këtyre organizatave, por edhe një vend pa rezerva në gjithëpërfshirjen e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, duke dhënë kështu një kontribut mjaft të rëndësishëm në krijimin e një zone të sigurisë për vendet tona që përfshihen në hapësirat nga Deti i Zi deri në Adriatik. Rumania ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Shqipërisë edhe në përpunimin e politikave të përbashkëta si në proçeset e ngjashme politike e sociale qe dy vendet tona po kalojnë në rrugën konsolidimit të reformave demokratike, ashtu edhe në ato të ekonomisë së tregut. Në fjalën e tij, Dr. Xhelku Maksuti, kryetar nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, theksoi faktin se Komuniteti i Shqiptarëve të Rumanisë me një vjetërsi prej mbi katër shekuj në tokën rumune dhe me një aktivitetit meritor në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare, me kontribut të veçantë për krijimin e kushteve për shpalljen e pavarësisë, pavarësisht nga lajthitjet e historisë, ka kremtuar për çdo vit Ditën e Flamurit Shqiptar. ...