E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bangladesh nisin protestat, i kërkojnë Ilir Beqjes të mos e zmadhojë krahasimin me Shqipërinë e Edvinit

20-12-2010 / Nga Shqipe Xoxi

I dashur deputet anti-kushtetues Ilir Beqja! Ju thatë se Shqipëria s’mund të krahasohet me Bangladeshin për cilësinë e demokracisë dhe ekonominë. E thatë pa u menduar. Ju sugjeruan gabim. Më duket lajmi i djeshëm i BBC News (South Asia) për rënien e Bursës qendrore të Bangladeshit, ku pati protesta të dhunshme të investitorëve, ju përgënjeshtron gënjeshtrat që thatë publikisht para dy ditësh. Pa pikë turpi na servirët analiza demokracie dhe ekonomie për Bangladeshin duke i krahasuar me ato të Shqipërisë dhe thatë edhe se Bangladeshi ia ka kaluar Shqipërisë. Kur e kundërta është e vërteta. Pasi veç një ditë më pas, Republika Popullore e Bangladeshit u përfshi nga dhuna e protestuesve. Në kryeqytetin Daka, mijëra investitorë dolën në rrugë pasi humbën të gjitha paratë e tyre në bursën piramidale. Raportet thonë se janë lëshuar tulla dhe shkopinj ndaj policisë. Kanali prestigjioz britanik BBC, me korrespondentin e saj në Bangladesh raportonte se investitorët marshuan rrugëve të Dakës duke hedhur parulla dhe organizuan një protestë të dhunshme. Në Bangladesh njerëzit lëshonin thirrje kundër qeverisë dhe rregullatorëve financiarë. Analistët thanë se rënia e bursës ra sepse Banka Qendrore e Bangladeshit rriti normat e interesit pa pritur.
Sidoqoftë u vërtetuan brenda një ditë gënjeshtrat e deputetit Ilir Beqja. Siç e thamë edhe dje, Ilir Beqja s’ka asnjë informacion mbi ekonominë dhe demokracinë e Bangladeshit. Sepse po të kishte marrë indekset e demokracisë së Republikës popullore të Bangladeshit, në Azi, do të kuptonte se demokracia atje është në rrezik, ku ekonomia është për faqe të zezë, ku as rrjeti social Facebook nuk lejohet dhe shpesh mbyllet nga policia. Një vend i cili sipas raporteve aq të dashura nga 99-shat e Ramës, të “Transparency International”, është një nga vendet më të korruptuara në botë, dhe me cenim flagrant të lirisë së medies.
Sigurisht nëpërmjet kësaj gazete Ilir Beqja ka mësuar se lideri i Partisë Socialiste të Bangladeshit (Lega Awami) Cheikh Hasina Wajed është nën proces që nga vitit 2007 për korrupsion dhe se shumë prej deputetëve të kësaj partie kanë përfunduar në burg për abuzim me detyrën. Mjafton të lexosh apo shikon  BBC-ne apo Euronews me lajmet e djeshme dhe të sotme për Bangladeshin për të kuptuar se korrupsioni po e mbyt këtë vend.
Sakaq, është e turpshme që një deputet i Shkodrës, në vend që të interesohet për zonat e përmbytura të veriut të vendit, merret me analiza krahasuese mes demokracisë së Shqipërisë dhe diktaturës së Bangladeshit. Sigurisht ai zbaton urdhrat e shefit Edvin Rama, i cili s’ka turp që e baltos vendin me krahasime që s’qëndrojnë as në qiell e as në tokë.
E vetiu pastaj nuhatet se Ilir Beqja, i cili është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse mandati dhe imuniteti i tij është legjitim, pasi ka shumë dyshime se ka abuzuar me postin për të përfituar para publike  - do të fitojë besueshmëri publike dhe politike derisa Kushtetuesja t’ia heqë imunitetin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›