“Leksione demokracie”

Leksione demokracie mund ta quash shembullin e fundit bullgar, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, i cili thuhet se ka vendosur të "fshijë" nga jeta publike të gjithë personat publikë, gazetarë, politikanë, deputetët dhe diplomatët, që në vend t'i shërbenin postit të tyre gjatë Luftës së Ftohtë, u zbuluan se u shërbyen agjenturave të Sigurimit të Shtetit - Darzhavna Sigurnost (DS). Dhe morën në "qafë" me mijëra bullgarë të pafajshëm, duke i spiunuar dhe dënuar me burg ose duke i internuar.
E para gjë që mund të na shkojë në mendje, kur dëgjojmë lajme të tilla, për të parë nivelin e demokracisë në një shtet kaq të ri si Kosova apo edhe tek Shqipëria, që ka 20 vjet demokraci dhe 100 vjet shtet i pavarur e sovran, Maqedonia, "fragile", dhe të tjera, është se natyrshëm nuk është jo i njëjtë me atë që mund të ketë një vend perëndimor me demokraci të konsoliduar. Dhe kjo as që mund të mendohet...
Por, edhe më e keqja është se as që u afrohet demokracia në Shqipëri dhe
Kosovë, për sa u përket qëndrimeve që janë mbajtur, deri tani për ata që i
shërbyen komunizmit dhe shërbimeve sekrete të Sigurimit të Shtetit, duke u
krahasuar me shtetet të tjera ish-komuniste, si: Polonia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, vendet baltike, Kroacia dhe Sllovenia.
Kjo, sepse për zhvillimin dhe konsolidimin e parimeve demokratike në një shoqëri në radhë të parë dihet se nevojiten morali, tradita, dëshira dhe vullneti i hekurt për të bërë të mundur një demokraci të tipit perëndimor. Dhe, në fakt, një vend si Kosova dhe Shqipëria, do të duhet të kalojë nëpër etapa të tilla sprove të institucioneve dhe shoqërisë, për të parë më pas rezultatin e përpjekjeve të tyre. Por, keni parasysh se sa u kundërshtua dhe nga kush u kundërshtua aq me forcë ligji i lustrimit në Shqipëri për të mësuar se sa thellë i ka rrënjët në politikë ish-Sigurimi i Shtetit në Shqipëri.
Një gjë që të bën përshtypje dhe është për të ardhur keq se në Kosovë e Shqipëri, ka me dhjetëra diplomatë (që janë edhe sot në ambasadat tona nëpër botë), gazetarë e analistë (në televizionet dhe gazetat kryesore), politikanë (në krye të disa partive) dhe deputetë (të disa partive) që dihet fare hapur edhe pa parë dosjet e tyre, që ata kanë qenë 20 vjet më parë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Sa profesorë (edhe këtu në Amerikë), politikanë, gazetarë e diplomatë ka sot, që janë me "damkë" sigurimsa dhe kanë qenë në poste publike para 20 vjetëve, por që edhe janë ende nëpër ambasada, universitete, deputetë apo gazetarë e analistë në televizionet dhe radiot e gazetat më të mëdha dhe kryesore të Shqipërisë e Kosovës.
Madje, edhe ish-ministri i Kulturës i kohës ramiziane, profesor Gjinushi, u shfaq sa në një televizion në tjetrin, duke qeshur me ironi, i paraqitur tërthorazi këto ditë si "heroi" i heshtur i Lëvizjes Studentore.
Njerëzit në Shqipëri, sot pas 20 vjetësh, ende nuk po e kuptojnë se ishte Ramiz
Alia e Skënder Gjinushi në njërën anë të atij takimi - dhe kush ishin ata që iu kundërvunë këtyre të dyve me të vërtetë. Por, edhe kush kanë qenë qysh në atë kohë "ushtari" i tyre ose "Kali i Trojës" në mesin e studentëve, që bënë një akt heroik, të cilit duhet t'i përkulemi të gjithë me respekt e nderim.
Andaj, edhe ish-studenti i Arteve, u tha këto ditë përkujtimi, atë ditë që po kujtojmë të gjithë ne sot (8 dhjetor 1990), i la studentët, kolegët e tij dhe shokët e klasës në baltë. Njëri prej ish-studentëve të takimit me Ramiz Alinë tregoi se Rama ato ditë ia mbathi në Korfuz, ku shkoi të hapte po më datën 8 dhjetor, ekspozitën e tij personale me pikturat e realizmit socialist. Shihni se "çfarë koincidence!?" na sjell historia e kësaj ngjarjeje të madhe...
Nuk ka asnjë statistikë, sa prej tyre sot shkruajnë ose japin leksione për demokracinë dhe i tregojnë me mburrje "bëmat" e tyre se si e sollën ata demokracinë. Kjo duket se nuk pati të sosur dhe kulmoi në një vend si Shqipëria, që kaloi regjimin më të egër komunistë në Evropën Juglindore dhe ishte e fundit që i hapi dyert e demokracisë, sidomos, këto ditë kur po festohet 20-vjetori i demokracisë në Shqipëri, përkatësisht, Lëvizjes Studentore, e cila solli edhe ndryshmin më të madh në sistemin komunist – duke lejuar 20 vjet më parë partinë e parë demokratike, krijimin e Partisë Demokratike dhe duke shënuar pluralizmin dhe rrëzimin e diktaturës, duke i dhënë fund edhe sistemit monist, atij njëpartiak.