“Përdorimi i kontraceptivëve, femrat të thyejnë tabutë”
zirina llambro
Mungesa e informacionit, paragjykimet e deri diku edhe cilësia e produkteve farmaceutike që ofron tregu, bën që femrat të jenë skeptike për metodat kontraceptive. Mjekja Lindita Myzyri, duke i konsideruar si mjaft efikase për planifikimin familjar, u jep përgjigje te gjitha pyetjeve dhe keqinterpretimeve qe na lindin për këto metoda. Së fundmi, një fushatë e gjerë sensibilizuese ka nisur në popullatë me mbështetjen e USAID.
Pak informacion dhe shumë tabu për përdorimin e tyre. Në fakt, sa grupe kontraceptivësh kemi?
Kontraceptivet i ndajmë në dy grupe, hormonale dhe jo hormonale. Tek grupi i dytë për të cilin dhe informacioni është me i vaket bëjnë pjesë kontraceptivët me një hormon (progesteron) dhe dy hormone (estrogjen-progresteron). Ato merren në formë pilulash orale.
Dikush që i ka përdorur këto kontraceptive ka shtuar ndjeshëm në peshë dhe tregon se ka pasur edhe ngarkesë emotive e psikologjike. Kanë ndikuar kontraceptivet?
Absolutisht jo. Por këtu vlen për t’u përmendur fakti se si janë përdorur këta kontraceptive. Pasi është kusht qe të përdoren në një orar te caktuar. Nëse ky orar nuk respektohet, atëherë shkaktohen probleme hormonale që ndikojnë në aspektin psikologjik, pasi prishet balanca hormonale. Ndërsa sa i përket shtimit në peshë, shumë studime kanë treguar se kontraceptivët nuk ndikojnë aspak në këtë drejtim. Por një faktor që realisht mund te ndikojë është qetësia shpirtërore e femrës, për faktin se nuk do të mbetet aksidentalisht shtatzënë.
Kjo domethënë që kontraceptivët nuk kanë asnjë efekt anësor?
Përgjithësisht jo. Por edhe nëse shfaqen gjatë tre muajve të parë të tilla si dhembje koke, pështjellime, ato kalojnë menjëherë sapo trupi mësohet me ta.
Shkaktojnë kancer kontraceptivët?
Jo. Madje studimet e fundit thonë se pilulat kontraceptive me dy hormone parandalojnë kancerin e qafës së mitrës dhe kancerin e gjirit.
Kush nuk mund t’i përdori pilulat me dy hormone ose (COC)?
Ato mund t’i përdorin gratë mbi 35 vjeç dhe që pinë mbi një pakete cigare në ditë, një diabetike për me shumë se 20 vjet, gratë që kanë probleme madhore të zemrës, gratë që kanë mëlçinë të shkatërruar, gratë me tension arterial 14-9.
Po kontraceptivët më një hormon, kush nuk mund t’i përdorë?
Përveç grave qe i përkasin kategorive te sipërpërmendura për kontraceptivet me 2 hormone, ato me një hormon nuk mund t’i përdorin gratë që kanë tension arterial 16-10. Por mund t’i përdorin femrat që pinë cigare.
Në treg ka disa lloj kontraceptivësh, a është gjithmonë me i shtrenjti me i miri?
Përpara nisjes së përdorimit të kontraceptivëve duhet të këshilloheni me një mjek specialist për t’ju rekomanduar kontraceptivin që bën për ju. Jo gjithmonë më i shtrenjti është më i miri.