E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, 10 përgjigje për emigrantët

 

zirina llambro

Dhjetë përgjigje për pyetjet më të shpeshta të emigrantëve në SHBA. Ministria e Punës në vendin tonë u vjen në ndihmë shqiptarëve që jetojnë atje. Specialisti i çështjeve të emigracionit në këtë dikaster, Durim Hatibi, sqaron gjithçka që duhet bërë.
Jemi të sapomartuar dhe nuk dëshirojmë të jemi të ndarë për kaq shumë kohë. Ç’duhet të bëjmë për ta shmangur këtë?
Nganjëherë për të shmangur një ndarje të gjatë, çifti kthehet në SHBA, menjëherë pas lidhjes së martesës (duke përdorur një vizë vizitori) dhe vazhdon në paraqitjen e kërkesave të nevojshme, sapo që ato janë që të dy në SHBA. Shpesh kjo nuk pëlqehet nga Shërbimet mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA (USICS-). Nuk është e rrallë që USICS-i ta ndalojë bashkëshortin e huaj në Portin e Hyrjes dhe ta largojë atë si një imigrant i synuar. Sidoqoftë, nëse, bashkëshorti i huaj arrin të hyjë në SHBA, USCIS nuk do ta refuzojë kërkesën  për “Green Card”-in, vetëm ngaqë personi ka  hyrë në SHBA me një vizë të përkohshme, ndërkohë që synimi i tyre ishte të qëndronin vazhdimisht aty. Më e mira është që të paraqisni kërkesë për një vizë për motive familjare, që të punoni dhe të jetoni ligjërisht në SHBA, ndërkohë që prisni për rezidencën tuaj të vazhdueshme.
Jemi martuar rishtas. A është e rëndësishme kjo për të përfituar bashkim familjar?
Nëse martesa është lidhur prej më pak se dy vitesh, kur bashkëshorti i huaj bëhet rezident i vazhdueshëm, “Green Card”-i përfundon pas një periudhe 2-vjeçare. Të dy bashkëshortët duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët (Formulari I-751) për të hequr kushtin e 2 viteve. Këtë duhet ta bëni 90 ditë para përfundimit të vlefshmërisë së “Green Card”-it.
Martesa jonë ka përfunduar. A mund të qëndroj në SHBA?
Nëse martesa përfundoi, pasi jeni divorcuar, apo bashkëshorti juaj ka vdekur, bashkëshorti i huaj mund të jetë e përzgjedhshme për një përjashtim të paraqitjes së përbashkët të kërkesës. Sidoqoftë, kësi përjashtimesh janë shumë të vështira për t’u arritur.
Jam shtetas i SHBA, e fejuara jeton në Shqipëri. Për çfarë lloj vize duhet të aplikojë ajo?
Nëse jeni shtetas i SHBA-së, që keni ndërmend të martoheni me dikë që nuk është shtetas i këtij vendi, e fejuara juaj do të ketë nevojë për një vizë që të hyjë në SHBA. Më specifikisht ju do të keni nevojë për një vizë K-1, që do t’ju mundësojë të martoheni dhe pastaj të vazhdoni rezidencën e vazhdueshme. Procedura për të paraqitur kërkesë për një vizë K-1 visa është  e tillë.
Tek Shërbimet për Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA (USCIS) duhet paraqitur një formular I-129F-Kërkesë për të Fejuarën e Huaj. Nëse ajo ka fëmijë të pamartuar, nën 21 vjeç, ata janë të përzgjedhshëm për të shoqëruar të fejuarën tuaj, por vetëm nëse janë listuar në atë formular. Paraqisni 2 Formularë G-325A-Fletë me të Dhëna Biografike (një për vete dhe një për fejuarën, plus fotografi me ngjyra të secilit prej jush. Një kopje të çdo vendimi divorci, certifikata vdekjesh, apo zgjidhje martese, nëse ndonjëri prej jush ka qenë i martuar më parë.
Ka pengesa burokratike për të kryer procedurat e martesës?
Ju që të dy duhet të jeni të lirë për t’u martuar Ju duhet ta keni takuar të fejuarën të paktën një herë në dy vitet e fundit. Këtë mund ta provoni duke treguar fotografitë tuajat së bashku, bileta avioni. E rëndësishme është të mbani parasysh se nëse të fejuarës suaj i lëshohet viza përkatëse, ju duhet të martoheni brenda 90 ditëve nga arritja e saj në SHBA, ose përndryshe ajo do të detyrohet të largohet. Nëse ndodh kjo, këtij personi nuk do t’i lëshohet një vizë tjetër e SHBA-së. Kjo vizë nuk mund të shtyhet përtej 90 ditëve. Po kështu, personi që ka ardhur për t’u martuar në SHBA, duhet të martohet me kërkuesin për vizë K-1 (d.m.th.ju) dhe jo me dikë tjetër, që të qëndrojë ligjërisht në SHBA.
Pasi të martohemi, a do të lejohet bashkëshortja ime të punojë në SHBA?
Pasi të martoheni, ju duhet të paraqisni kërkesë për Rregullim Statusi-Formulari I-485 për t’u bërë rezidente e vazhdueshme. Po kështu ju duhet të paraqisni kërkesë për Dokumentin e Autorizimit të Punësimit (EAD).
A mund të punojë e fejuara pas ardhjes në SHBA dhe para se të martohemi?
Pas ardhjes në SHBA, e fejuara juaj duhet të paraqesë kërkesë për një autorizim/leje punësimi, duke përdorur Formularin I-765. Sidoqoftë, ky formular nuk mund të përpunohet brenda kufirit kohor 90-ditor të martesës suaj. Nëse i e fejuari/a juaj paraqet kërkesë për rregullim statusi, si rezident i vazhdueshëm, ju duhet të riparaqisni kërkesë për një autorizim të ri punësimi, pas martesës.
Nëse nuk martohemi, a mund të qëndrojë në SHBA i/e fejuar/a ime?
Ju duhet të martoheni brenda 90 ditësh, pas arritjes së të fejuarës suaj në SHBA, ose ai/ajo duhet të largohen nga SHBA-ja. Nëse ndodh diçka e tillë, mund të mos ju lëshohet një vizë tjetër e SHBA-së. I fejuari juaj duhet të martohet me kërkuesin për vizë K-1 (pra me ju) dhe me askënd tjetër që të qëndrojë ligjërisht në SHBA.
Kërkesa jonë për vizë u refuzua. Ç’mund të bëjmë për të apeluar vendimin?
Zakonisht keni 33 ditë për të apeluar nga dita që merrni njoftimin e refuzimit. Apelimi duhet paraqitur pranë zyrës, e cila mori vendimin.
Po për fëmijët e bashkëshort/es sime të huaj, për çfarë lloj vize duhet të aplikoj?
Bashkëshortët e shtetasve të SHBA-së dhe fëmijët e tyre mund të vijnë në SHBA me një vizë jo imigratore dhe të presin atje për të përfunduar procesin imigrator. Para se një fëmije t’i lëshohet një vizë K-4, prindi duhet të zotërojë një vizë K-3.

Si të aplikoni për vizat për motive familjare

Të ndihmosh një anëtar familjeje, qoftë ai bashkëshort, i fejuar, prind, motër apo vëlla, për t’u bërë rezident i vazhdueshëm në SHBA, duhen ndjekur një sërë procedurash. Nëse në shikimin e parë duket e thjeshtë, sidoqoftë ka shumë nuanca në çdo tip të vizës bazuar në motive familjare. Së pari, duhet që Shërbimet mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA (USCIS) të miratojnë një kërkesë (I-130) tënden. Shtetësi i SHBA-së e plotëson këtë formular, në emër të të afërmit që u lind jashtë. Kjo duhet shoqëruar me prova të lidhjes familjare dhe disa dokumente të tjera, që të nisë procesi i imigrimit me motive familjare. Më tej, Departamenti i Shtetit duhet të përcaktojë, nëse ka një numër vize të disponueshëm për shtetasin e huaj, sipas kategorisë për të cilën paraqitet kërkesa, qoftë edhe në rastin, kur një person i tillë tashmë jeton në SHBA. Nëse i afërmi tashmë është në SHBA, ai duhet të paraqesë kërkesë për ndryshimin e statusit të tij në atë të një rezidenti të ligjshëm, pasi bëhet i disponueshëm numri i vizës. Ka një mënyrë për të siguruar një numër vize.
Shtetasit amerikanë kanë dy mënyra për të sjellë bashkëshortët e huaj për të jetuar në SHBA. Ju mund të “sponsorizoni” bashkëshorten tuaj për vizën imigratore të hyrjes në SHBA. Nëse ndiqni këtë proces, bashkëshortja juaj, e huaj do ta përfundojë plotësisht procesin e vizave jashtë SHBA-së dhe pastaj të vijnë në SHBA për të marrë statusin e rezidentit të vazhdueshëm, menjëherë. Juve ju duhet të paraqisni një Kërkesë për të Huajin e Afërm, Formularin I-130. Pasi USCIS, Qendra Kombëtare e Vizave dhe ambasada e SHBA-së të plotësojnë të gjithë procesin e nevojshëm administrativ, bashkëshortes suaj do t’i lëshohet një vizë imigratore. Kështu, bashkëshort/es tuaj do t’i lëshohet një vizë IR1 ose CR1 . Një vizë IR-1 (Ir1 nënkupton “Të Afërm të Shkallës së Parë” që do t’i mundësojë bashkëshort/es tuaj të migrojë në SHBA. Një Vizë CR1 (CR nënkupton “Rezidencë të Kushtëzuar) do të lëshohet, nëse martesa juaj është më pak se dy vjet në fuqi. Procesi i shqyrtimit mbi imigrimin familjar në SHBA mund të njohë përshpejtim. Nëse do të miratohej, legjislacioni i ri do të nënkuptonte që anëtarët e familjes, përfshirë edhe partnerë të të njëjtit seks, do të kenë mundësi të marrin miratim hyrjeje të përshpejtuar në SHBA. Kjo normë bën pjesë në orvatjet në vazhdim mbi reformën imigratore të SHBA-së. Parësi do t’i jepet imigrimit bazuar në motive familjare; po kështu, vizat e papërdorura nga viti paraardhës do të rrisin numrin e vizave të disponueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›