Kutia e zezë e qenies së Gazmend Lekës në galerinë Zeta
Gazmend Leka, ashtu si tek “Onufri 2010”, i rikthehet diskutimit mbi qenien. Piktori hapi në galerinë Zeta “kutinë e zezë” të qenies së tij, në ekspozitën e tij më të fundit të titulluar “Black Box”. Se çfarë fsheh artisti në brendinë e qenies së tij dhe udhëtimet drejt së vërtetës, për të njohur veten, ai vendos t’i ndajë me të gjithë ata që do të jenë vizitorë në galerinë Zeta sot në mbrëmje. “Black Box” është një kuti e zezë e qenies, është ajo pjesë që ku i flet vetvetes. “Është një njohje e vetvetes. Monologët e mi vendosa t’i ndaj me dialogë. Unë e hap, sepse dua të shoh në errësirën e thellë brenda meje, por dëshiroj që t’ju kem edhe publikun dëshmitarë”- shprehet Leka. Një kuti ku është regjistruar një memorie personale, klithma, ulërima, vuajtja, mërzia, dashuria, urrejtja, xhelozia dhe në fund afshi i krijimit. “Kutia e Zezë”, në fakt, është një term i përdorur në fushën inxhinierike të avionëve, por për piktorin Gazmend Leka kjo kuti ndodhet te secili prej nesh. Në një cikël tablosh të mbledhura në një ekspozitë, Leka ka hapur për publikun kutinë e zezë të qenies së tij. Quhet e zezë, sepse ajo mban brenda të vërtetën. Artisti rikthen pas gati 15 vitesh artin e grafikës dhe vizatimin. Nëpërmjet lapsit të zi, ai hedh dritë në mënyrë ezauruese mbi thellësinë, aty ku ndodhen të fshehtat e të fshehtave. Ekspozita e titulluar “Black box” është më tepër një ekspozitë filozofike se sa komerciale. Qëllimi i saj është të zbulojë se çfarë ka ndodhur përpara se njeriu të jetë veçse mbetje.