E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë: Hapen apo s‘hapen?!

1. Ndërsa pritej, në mënyrë të arsyeshme, që zgjedhjet e vitit 2009 të mos kontestoheshin nga humbësi, opozita vendosi të kundërtën. Vendimi i saj për mosnjohjen e legjitimitetit të rezultatit zgjedhor sfidon vendimet e të gjithë sistemit institucional e ligjor të administrimit të zgjedhjeve deri në nivelin gjyqësor, në të cilin sistem, opozita ka gëzuar dhe/ose ka ushtruar të gjitha të drejtat organizative, informative, vëzhguese, vendimmarrëse, ankimuese. Vendimi i opozitës sfidon konkluzionet e institucioneve të specializuara ndërkombëtare mbi këto zgjedhje. Ky vendim, i pasuar nga aksioni politik i bojkotit të Kuvendit dhe protestat, po sfidon në tërësi sistemin kushtetues.

2. Të bojkotosh është një e drejtë, të protestosh një e drejtë edhe më e lartë. Por ushtrimi i të dy të drejtave, aq më shumë kur me to sfidohet sistemi kushtetues kërkojnë: I) një arsye madhore; II) përdorim i mjeteve e mënyrave më të përshtatshme, proporcionale e të përshkallëzuara. Aksioni opozitar duhet t‘i shërbejë dobisë neto publike dhe jo dëmit neto publik. Dobisë publike i shërbehet kur harmonizohen mes tyre qëllimi dhe mjeti. E njëjta kërkesë vlen edhe për mazhorancën. Natyrisht, secila palë mendon dhe/ose shpall se qëndrimet dhe veprimet e veta janë në shërbim të dobisë publike dhe ai i palës tjetër është në dëm të interesit publik.

3. Qëndrimet dhe veprimet e palëve janë mpiksur tashmë në mënyrë anektodike apo "të portokalltë" te shprehja "Të hapen apo të mos hapen kutitë e zgjedhjeve". Opozita kërkon hapjen e tyre nga një komision hetimor parlamentar, apo me një ligj të posaçëm. Mazhoranca i përgjigjet se mund të hetojmë për shumë gjëra, por kutitë s‘mund të hapen se cenohet pavarësia e gjykatave. Opozita bojkoton Kuvendin me afat të pacaktuar deri në hapjen e kutive dhe hidhet në protesta. Mazhoranca vazhdon t‘i qëndrojë fort pozicionit të saj. Përsëri shfaqet me forcë qëndrimi ekstremal i palëve që paska vetëm një mënyrë për të trajtuar çështjen. Pra, "o kjo mënyrë o s‘ka tjetër". Këtyre dy qëndrimeve ekstreme u bashkohen si zakonisht edhe të tjerë, grupe a individë, media apo analistë.

4. Në vendimin e saj nr. 8, datë 22.07.2009, Kolegji Zgjedhor arsyeton gjatë, thellë e në mënyrë sistematike çështjen që njihet si "hapja/moshapja e një numri kutish votimi" të kërkuara nga opozita, përfshirë edhe interpretimin e së drejtës se dy anëtarëve të KQZ për të kërkuar "rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara". Në diskutimin politik e mediatik të kësaj çështjeje konstatohet se vendimi në fjalë i gjykatës nuk i është ofruar publikut në masë të mjaftueshme. Në fakt, ka ndodhur e kundërta. Në diskutimin politik e mediatik është hedhur më shumë hije se dritë. Një taktikë e tillë është më se e kuptueshme për palët në konflikt, qoftë për protagonistët respektivë që e kanë lexuar vendimin në fjalë, qoftë për të tjerët protagonistë që hyjnë në debat pa lexuar, gjë kjo që ndodh rëndom. Ajo që të bën përshtypje është se thuajse mungon përpjekja e të tretëve, veçanërisht mediatike dhe/ose profesionale, për t‘i ofruar publikut arsyetimin origjinal të Kolegjit Zgjedhor dhe pra t‘i krijojnë atij lehtësitë për të krijuar vetë një gjykim. Besoj se çdo njeri me formim mesatar dhe i çliruar nga emocionet e ditës do të gjente në arsyetimin e gjykatës përgjigje të mjaft pikëpyetjeve.

5. Duke iu rikthyer hapjes/moshapjes së kutive nga Kuvendi s‘kemi se si të mos shtrojmë çështjen se sa e mundur është kjo. Hapësira e lirisë së Kuvendit, pra dhe kufizimi i të drejtës së tij, gjejnë trajtim në vendimin nr. 18 datë 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për një vendim me natyrë interpretuese të Kushtetues mbi komisionet hetimore parlamentare, i kërkuar nga 32 deputetë të Partisë Socialiste, në pushtet në atë kohë, për më tepër, lidhur me komisionin hetimor i njohur me llagapin "Komisioni hetimor (anti)Rama". Në faqen 7 të këtij vendimi thuhet: Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Pavarësia e gjykatave nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët, por artikulimi i këtyre vlerësimeve nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese".

6. Trajtimet kushtetuese lidhur me pavarësinë e pushteteve dhe hapësirat e lirisë dhe/ose kufizimit të veprimit të Kuvendit apo komisioneve hetimore të tij gjejmë edhe në vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese si p.sh., ato lidhur me shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, qoftë rasti i z. Rakipi, qoftë rasti i z. Sollaku. Ndërsa palëve në konflikt mund të mos u interesojë leximi, shfrytëzimi dhe/ose vënia në dispozicion të publikut të kësaj pasurie juridike është interes dhe detyrim mediatik dhe profesional i palëve të treta për ta bërë, ndërkaq që një përpjekje e tillë mungon njësoj si në rastin e vendimit të sipërcituar të Kolegjit Zgjedhor.

7. Një mënyrë e dobishme e trajtimit të "çështjes së kutive" do të ishte vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese. Neni 134 i Kushtetutës jep disa mundësi. Vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese është një e drejtë e opozitës. Aq më shumë që bëjmë fjalë për këtë gjykatë e cila s‘ka ngurruar që të rrëzojë akte të mazhorancës së radhës, e në veçanti të mazhorancës dhe qeverisë së PD-së në këto katër vitet e fundit. Mosbesimi i opozitës ndaj Gjykatës Kushtetuese, nëse është kjo arsyeja që opozita nuk vë në lëvizje këtë gjykatë, do të ishte i paargumentueshëm, pra një paranojë.

8. Analizat e qeta juridike flasin për ekzistencën e mjaft mundësive të tjera ligjore e procedurale lidhur me çështjen e kutive, shumë më efektive dhe në dobinë neto të publikut krahasuar me bojkotin dhe protestën. Një nga partitë e djathta ka vënë në lëvizje prokurorinë. Kjo është e lavdërueshme. Tek e fundit, prokuroria s‘ka ngurruar të përballet me mazhorancën dhe qeverinë e saj. Një tjetër mundësi do të ishte përdorimi i ligjit për të drejtën e informimit, sipas së cilës, s‘kërkohet as edhe detyrimi që të shpjegosh arsyet e kërkimit të dokumentit zyrtar. Këtë të drejtë universale mund ta ushtrojë drejtpërdrejt opozita apo çdo subjekt tjetër.

9. Palët në konflikt kanë të drejtë të mbajnë gjykimin e tyre mbi zgjedhjet. Por mënyra "rrugore" dhe ultimative nuk është as mënyra e vetme edhe as mënyra e parë mes atyre të mundshmeve për të kërkuar të vërtetën mbi zgjedhjet. Mënyra të tilla nuk justifikohen as edhe nga numrat e njerëzve në sheshe, qofshin pak apo shumë. Kjo nuk është çështje numrash, por parimesh të shtetit ligjor e demokratik. Kapërcimi i radhës së arsyeshme të veprimeve dhe i parimit të proporcionalitetit të veprimit janë veçse kosto dhe risqe mbi interesin publik, janë dëme neto publike. Përpara se sa të zgjidhte bojkotin dhe/ose protestën opozita, ajo socialiste në veçanti, duhej të kishte eksploruar njërën, disa apo secilën nga mundësitë e sipërcituara apo të tjera të mundshme. Në mos më parë bojkotit dhe protestave, qoftë edhe paralelisht me to. Në mos sot, qoftë edhe nesër, por sa më shpejt. Koha po skadon. Po afrohet me shpejtësi momenti kur dëmi i akumuluar publik i bojkotit dhe protestës do të bëhet i konsiderueshëm dhe i pakthyeshëm e natyrisht, e si efekt bumerang, edhe për vetë opozitën. Ndaj më shumë se një e drejtë, përdorimi i mënyrave alternative po bëhet çdo ditë e më shumë, sa mënyra më e dobishme për vetë opozitën po aq, në mos më shumë, edhe një detyrim i saj ndaj publikut.

10. E nëse opozita lajthit? Po nëse gradualisht shfaqen tendencat e anarkisë dhe vetëgjyqësisë? Historia botërore, përfshi ajo shqiptare, njeh plot raste të lajthitjes së liderëve dhe/ose grupeve, plot raste të tjera të devijimeve të rrezikshme, me apo pa paramendim. Pra si i bëhet nëse opozita s‘kupton, s‘mundet apo s‘do të bëhet faktori i zgjidhjes, por mbetet vetë problemi? T‘i kërkosh mazhorancës të gjejë zgjidhjen është si t‘i kërkosh dikujt që pasi ka fituar një garë të lodhshme e të certifikuar nga të gjithë arbitrit e përzgjedhur me konsensus nga garuesit, të vërë vetë në dyshim fitoren e vet. Kjo do të ishte një kërkesë që mazhorancës mund t‘ia bënim në kushte ekstremale. S‘përjashtohet si mundësi gjithsesi.

12. Pas opozitës dhe para mazhorancës, janë palët e tjera, jashtë, mbi apo përtej së majtës e së djathtës që duhet të lëvizin lidhur me çështjen e kutive. Kërkimi i së vërtetës mbi zgjedhjet është e drejtë e të tretëve dhe e publikut tashmë. Ushtrimi i kësaj të drejte, ndërkaq po bëhet një domosdoshmëri. Mundësitë e përshtatshme ligjore dhe institucionale të trajtuara më lart janë të vlefshme edhe për këto. Çdo palë e tretë, shpresoj që, sipas mundësive që ka, të ndërmarrë qëndrimet dhe/ose veprimet e përshtatshme. Aq më shumë që, si jashtë, mbi apo përtej palëve në konflikt, të tretët e tillë, janë edhe më të besueshëm, të paktën për pjesët e arsyeshme të dy palëve në konflikt. Ndryshe do të përfundojmë te varianti me më pak kuptim, do t‘i kërkojmë mazhorancës të iniciojë zgjidhjet alternative të sipërpërmendura, duke i thënë: "Opozita lajthiti, në të përtejmit s‘kemi fuqi a s‘na e mban, ndaj zgjidhe ti, se kështu e patëm kismet". Këto duket ka pasur parasysh edhe Olli Rehn kur i kërkoi zgjidhje qeverisë. Duket edhe gjermanët e kanë ndonjë variant të shprehjes, "s‘ke ç‘bën, hapi të marrit rrugë". Po deri në ç‘masë kjo këshillë e urtë mbetet e tillë?

*Instituti për Studime Bashkëkohore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›