E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baruti i Gërdecit dërgohej në Belgjikë

I akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, nëpërmjet avokatit mbrojtës, Maks Haxhia, ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë, duke u vetëshpallur i pafajshëm, ndërsa ka përcaktuar se përgjegjësia e shpërthimit është e kompanisë SAC që administronte barutin e fituar në fabrikë. Avokati Haxhia tha se firma "Albademil" përfitonte nga demontimi i municioneve vetëm pjesët metalike të armatimeve si gëzhojat, predhat dhe djegoret, ndërsa baruti administrohet nga firma amerikane SAC, e cila me trajlerë të ardhur nga Izraeli e dërgonte lëndën në Belgjikë. "Shpërthimi ka ndodhur nga djegia e 4000 tonëve barut dhe jo nga predhat. Përgjegjësia kryesore është e firmës SAC dhe jo e ‘Albademil‘. Prokuroria ka bërë selektime në çështjen", tha avokati Haxhia, duke theksuar se klienti i tij, Mihal Delijorgji, nuk kishte ndërhyrë në Ministrinë e Mbrojtjes për të përcaktuar vendin e demontimit. Sipas tij, ministri i Mbrojtjes ka përcaktuar Gërdecin si vend që do të kryhej çmontimi.

Jam i pafajshëm!
Në seancën e djeshme gjyqësore, avokati mbrojtës i Mihal Delijorgjit, Maksim Haxhia, deklaroi se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me pasojat e rënda në Gërdec, megjithëse prokuroria e akuzon si personin kryesor për vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindrave të tjerë. Sipas Haxhisë është Ministria e Mbrojtjes e cila zgjodhi pikërisht Gërdecin si vend për demontimin e municioneve dhe Delijorgji nuk ka lidhje as me demontimin, proces i cili, sipas tij, është kryer në bazë të vendimeve të qeverisë. "Klienti im është i pafajshëm si në dëmet në njerëz edhe në dëmet materiale që ka sjellë shpërthimi i 15 marsit 2008. Akuza është ndërtuar nga presioni i medias, ndërsa janë mënjanuar shoqëri dhe individë, të cilët kanë kryer veprime dhe mosveprime për ngritjen e fabrikës së demontimit" ka deklaruar avokati Haxhia, ndërsa shtoi se prokuroria ka fshehur disa fajtorë. Ai vijoi se asnjë individ, përfaqësues i kompanisë amerikane SAC, nuk është marrë i pandehur. Më tej, avokati shpjegoi në mënyrë të përmbledhur bazën ligjore dhe procedurat e fitimit të tenderit nga firma e klientit të tij për demontimin e municioneve. Haxhia tha se Shqipëria kishte municione në depot e armatimit të trashëguara nga koha e diktaturës, ndërsa qeveria kishte vendosur demontimin e tyre, pasi përbënin rrezik për popullatën. Sipas avokatit, deri te zhvillimi i tenderit, firma "Albademil" nuk kishte asnjë lidhje me demontimin. "Është zhvilluar tenderi dhe janë përcaktuar se firmat që duhet të fitonin duhet të plotësonin dy kushte: personelin e trajnuar dhe pajisjet për demontimin e municioneve, si dhe duhet të kishin përvojë në këtë fushë. Janë futur në tender firmat që kanë pasur këto cilësi... dhe për ironi firma SAC nuk është marrë përgjegjëse", shtoi më tej avokati, duke nënvizuar se ministri i Mbrojtjes ka përcaktuar vendin e demontimit.

Rruga e municioneve
Avokati i Delijorgjit ka shpjeguar edhe mënyrën e demontimit të municioneve në Gërdec. Sipas tij, nga demontimi, firmat SAC-"Albademil" përfitonin barutin, gëzhojat, predhat dhe djegoret.
Barutin e merrte SAC, ndërsa pjesët metalike i përfitonte "Albademil". Shoqëria SAC ka qenë e lidhur me disa trajlerë që vinin nga Izraeli, të cilët merrnin barutin në Shqipëri dhe e transportonin në Belgjikë. Sipas avokatit, ditën që ndodhi ngjarja në fabrikën e demontimit kishte 4000 tonë barut, pasi trajlerët e kompanisë SAC kishin disa ditë që nuk kishin shkuar në Gërdec. "Pra, shpërthimi ka ndodhur nga baruti dhe jo nga tunxhi dhe si pasojë Mihal Delijorgji, apo firma e tij ‘Albademil‘ nuk ka pasur lidhje me ngjarjen në fjalë", përfundoi avokati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›