E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i bujshëm i Sarës nga Alaska

Sarah Palin, ish-guvernatore e Alaskës dhe kandidatja republikane për zv/presidente në zgjedhjet e fundit presidenciale, përfundoi brenda një afati rekord prej katër muajsh librin me kujtime të saj, që doli në qarkullim më 17 nëntor në të gjitha libraritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Guvernatorja Palin ka qenë shumë e ndërgjegjshme dhe shumë e përqendruar në të gjitha fazat e shkrimit të librit, duke i kushtuar një investim maksimal dhe pasionant këtij projekti", deklaroi Jonatan Burnham, botues i "Harper", shtëpia botuese që ka marrë përsipër botimin e librit. "Ajo shpreh edhe në detajet më të vogla jetën e saj dhe ky është një libër i mrekullueshëm", vazhdoi ai.
Libri i Palin, i pari i shkruar prej saj, përmban 413 faqe dhe konsiderohet si një nga librat më të mirë të shkruar në një periudhë kaq të shkurtër. Libri i titulluar "Going Rogue - Një jetë amerikane", është tashmë një bestseller, duke sfiduar gjithë librat e tjerë të botuar kohët e fundit në këtë gjini. Shtëpia botuese "HarperCollins" ka hedhur në qarkullim 1.5 milionë kopje, e barabartë me numrin e kopjeve të hedhura në qarkullim nga shtëpia botuese "True Compass" për kujtimet e senatorit Ted Kennedy.
Palin, që shokoi botën politike dhe mediatike me dorëheqjen e saj nga posti i guvernatores së Alaskës verën e shkuar, kur i kishte mbetur dhe rreth një vit për të përfunduar mandatin, është sot figura më tërheqëse dhe kontradiktore në jetën amerikane. Ajo u transformua nga një personalitet gati i panjohur, në një figurë me përmasa të mëdha pas zgjedhjes që iu bë nga ish-kandidati republikan për President, Xhon MekKein, në zgjedhjet e 2008-ës. Gjatë fushatës së fundit, shumë analistë ngritën pyetjen nëse Palin e dëmtoi përpjekjen e MekKein për President me sjelljen e saj, apo sfidoi rregullat e fushatës së tij.
Megjithëse kandidati demokrat, Barak Obama, fitoi zgjedhjet me lehtësi dhe Palin u kritikua edhe nga disa republikanë si e papërvojë dhe shkak për humbjen e MekKein, ajo mbetet shumë e favorizuar në mes të konservatorëve në Amerikë dhe grave, si dhe konsiderohet prej disa si një kandidate e mundshme për zgjedhjet e 2012-ës. Ajo është një figurë e tillë populiste që tërheq si magnet masa të gjera simpatizantësh dhe interesi për të është kaq i madh, sa një përkrahëse e saj pagoi 63500 dollarë për të kaluar një darkë me të, pjesë e një ankandi në internet, ku paratë e grumbulluara do të kalonin për ushtarët amerikanë të plagosur në luftë.
Palin, 45 vjeçe, jep një përshkrim të detajuar të jetës së saj në Alaska, të karrierës së saj politike dhe përse ajo është vendosur në qendër të vëmendjes në shtypin amerikan. Në këtë libër, Palin përpiqet që t‘i verë pikat mbi "I" për çka ndodhi gjatë fushatës së kaluar presidenciale, dhe ajo thekson me forcë se zgjedhjet nuk u humbën për shkak të "gafave" të saj gjatë kësaj fushate, por për shkak të ekonomisë dhe të perceptimit se ekipi republikan u konsiderua dhe portretizua si një kopje e administratës "Bush". Sipas Palin: "Ekonomia pësoi një rënie të dukshme gjatë një administrate të drejtuar nga republikanët. Njerëzit kërkonin ndryshim. Ata ishin të shqetësuar për rrugën që kishte marrë ekonomia amerikane. Ata nuk donin status quo, dhe fatkeqësisht ekipi ynë konsiderohej si i tillë", shkruan ajo.
Palin shkruan me hollësi për konfliktin me përfaqësues të fushatës së MekKein, të cilët e injoronin ose e urdhëronin se çfarë duhej të bënte. Pas përfundimit të zgjedhjeve, drejtuesit dhe organizatorët e fushatës së MekKein shpejtuan për t‘i dhënë informacion medias, ku akuzonin Palin si shkakun e humbjes. Ata e quajtën atë një "divë" që kishte shumë kërkesa dhe që nuk dëgjonte këshillat që i jepeshin. Kampi i Palin qëndroi kryesisht i heshtur gjatë këtyre muajve pas fushatës, por në librin e saj Palin flet për trajtimin që ju bë që në momentin kur ajo u zgjodh për të qenë kandidate për zv/presidente, për politikën bunker që u vendos rreth saj dhe për frenimin në komunikimin me mediat.
Gjatë intervistës së parë televizive, pas dorëheqjes nga posti i guvernatores, me Oprah Winfrid, personaliteti më i fuqishëm aktualisht në median amerikane, Palin diskutoi gjerësisht për kritikat e bëra gjatë fushatës, për gardërobën e saj, duke thënë se organizatorët e fushatës menduan se ajo duhej të kishte një paraqitje ndryshe nga veshjet e saj të përditshme. "Po të jesh femër në politikë, analistët flasin më shumë se si je krehur dhe veshur, se sa për çfarë idealesh qëndron", shtoi ajo.
Tashmë është një fakt i njohur se Palin u kritikua shumë ashpër pas intervistës së saj të parë me Keti Couric te CBS, dhe pas kësaj interviste popullariteti i saj ra shumë. Por Palin shkruan në kujtimet e saj se stafi i MekKein e keqtrajtoi dhe e keqmenaxhoi atë dhe "nuk ju vë faj shumë njerëzve që menduan se unë nuk isha e përgatitur për atë post", deklaroi ajo tek Oprah.
"Unë u irritova nga pyetjet e saj provokuese (Couric)", shtoi Palin, duke iu referuar në mënyrë të veçantë pyetjes së Couric, se çfarë gazetash lexon, por Palin shtoi se "nuk mendoj që kjo intervistë ishte shkaku i humbjes".
Palin shkruan për vështirësitë që has një grua së cilës i duhet të rrisë pesë fëmijë, të jetë drejtuese e një shteti dhe të bëjë fushatë në të njëjtën kohë, por ajo shton se "kurrë nuk më ka shkuar ndërmend se nuk mund të kryej obligimet e mia zyrtare për shkak të fëmijëve".
Turi për promovimin e librit nga Palin është shumë intensiv. Ajo po jep intervista gati çdo ditë në pjesën më të madhe të stacioneve televizive. Oprah dhe Barbara Walters e "20/20" tek ABC shkruan pas intervistave me të se biseda me Palin ishte shume interesante, dhe se ajo me të vërtetë di se çfarë kërkon dhe çfarë thotë.
Para dhe pas botimit të librit me kujtime, disa drejtues të stafit elektoral të MekKein shpejtuan të deklarojnë se Palin nuk shkruan të vërtetën dhe se ajo ka sajuar shumë nga të vërtetat që ndodhën gjatë fushatës, kur vetë MekKein nuk ka bërë asnjë deklaratë publike. Agjencia e lajmeve "Associated Press" bëri një kontroll të fakteve të paraqitura në libër dhe njoftoi se libri është shumë interesant, por ka disa pasaktësi. Sipas raportit të AP, Palin "nuk përmend shumë fakte të karrierës së saj. Ajo e përshkruan veten si reformatore pa asnjë lidhje me interesa të fuqishme dhe qarqe politike, si dhe një person pa shumë ambicie politike". Një grup vëzhguesish për çështjet e medias në Amerikë botoi një listë me të thëna të pavërteta, sipas tij, në libër, të cilit Palin iu përgjigj në "Facebook", që është bërë një armë e fuqishme e saj, se "...siç pritej, AP dhe një numër organesh mediatike kanë dhënë njoftime të gabuara për librin tim. Lexoni librin dhe pastaj shkruani", thotë ajo. Një zyrtar i lartë i stafit elektoral të MekKein, pasi lexoi disa paragrafë nga libri me kujtime, ku Palin akuzon drejtuesit e fushatës se e mbajtën atë larg nga media, deklaroi: "Mesa duket Palin vazhdon të bëjë deklarata që janë ose të ekzagjeruara, ose të sajuara".
Por kur media të ketë diçka tjetër me çfarë të merret, drejtuesit e stafi i kompanisë organizatore të fushatës së MekKein do t‘i kthehen biznesit të bërjes së parave nga fushatat elektorale (dhe prandaj ata shpejtojnë që ta kundërshtojnë Palin, sepse kanë frikë se humbin klientë).
Palin po e shfrytëzon këtë tur për të vënë theksin në pikëpamjet e saj politike dhe si një tribunë për të kritikuar hapur politikat e administratës së tanishme. Kur u pyet nga Barbara Walters se çfarë note i jepte Presidentit Obama, në shkallëzim nga 1 deri në 10 - ku dhjeta është nota më e lartë- Palin u përgjigj menjëherë: "4".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›