E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan premton zgjerimin e Nabucco-s drejt Shqipërisë

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi dje në Romë se po punon për zgjerimin e rrjetit të gazit natyror Nabucco drejt Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, duke konfirmuar idenë se vendi ynë mund të marrë rolin e furnizuesit transit të gazsjellësit më të rëndësishëm të Europës. Erdogan gjendej në Romë për të marrë pjesë në samitin për sigurinë botërore të ushqimeve të organizuar nga OKB.
"Nabucco është një nga projektet më të rëndësishme të BE-së. Ky projekt ka tre partnerë. Ju e dini se ne furnizojmë me gaz Greqinë aktualisht dhe po përpiqemi ta zgjasim atë drejt Shqipërisë dhe Italisë", tha ai.
"Ne nuk e konsiderojmë Nabucco-n si një alternativë ndaj Rrymës së Jugut. Ato janë projekte që konkurrojnë njëra-tjetrën. Nëse Rryma e Jugut nuk i plotëson kërkesat e BE-së për energji, Nabucco do të jetë një opsion i rëndësishëm", shtoi ai.
Brukseli synon të ndërtojë gazsjellësin me gjatësi prej 3,300 kilometrash për të lidhur rajonin e detit Kaspik, Lindjen e Mesme dhe Egjiptin me Europën Qendrore e Perëndimore përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë e Hungarisë. Ideja e BE-së është që të ndërtojë një tubacion të madh me shumë pika furnizimi dhe shumë degëzime shpërndarëse.
Ekziston mundësia që nëpër Shqipëri të ndërtohet një regazifikator në Seman, si dhe një gazsjellës që do të lidhë bregdetin shqiptar me Bullgarinë. Qeveria shqiptare ka hyrë sakaq në bisedime me Katarin për të siguruar furnizime me gaz të lëngshëm. Projekti i përgatitur nga ASG Power synon të ndërtojë një regazifikator me madhësi 30 miliardë metër kub.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›