Çadrat kthehen në shtëpi për protestuesit
Pjesa e bulevardit nga Kryeministria e deri tek ura e Lanës u kthye mbrëmë e deri në orët e mëngjesit, si banesa e më shumë se 2 mijë opozitarëve që bashkë me të gjithë deputetët e Partisë Socialiste me në krye, Edi Ramën, kanë gdhirë në shesh. Nga ora 20.00, pjesëmarrësit nisën të bëjnë gati çadrat për natën e ftohtë, mbyllën me mure plastike tendat ngritura, ndërkohë që disa teknikë instalonin energjinë elektrike. Kudo shikoheshin parlamentarët socialistë, por edhe krerët e bashkive ku pushtetin e ka PS-ja ndodheshin në krye të grupeve të njerëzve të ardhur nga i gjithë vendi. Ambulantët shpërndanin ushqim dhe ujë për tubuesit, që gjenin kohë të takoheshin dhe përqafoheshin me Ramën që shëtiste të gjithë perimetrin e "zonës së çliruar" nga opozita. Një grup këndonte labçe, ndërsa filmohej nga disa grupe televizionesh të huaja që po ndiqnin hap pas hapi protestën e mbrëmshme. Në fakt, interesimi i medias ndërkombëtare ka qenë mjaft i madh, dje në protestë ishin prezentë disa grupe xhirimi dhe gazetarë të medias së shkruar nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca, Greqia etj. Por gjatë protestës kanë qenë prezentë edhe një grup i rëndësishëm i ambasadorëve të Perëndimit të akredituar në Tiranë, të cilët kanë monitoruar protestën e opozitës dhe burime diplomatike bënë të ditur se në momente të caktuara, kanë qenë mjaft efikase për uljen e tensioneve të mundshme. Ndërkaq, skena e mitingut nuk është çinstaluar, por ka shërbyer si një monitor për të ushqyer tubuesit me materiale filmike të përgatitura ku i akuzuari kryesor më shumë se Kryeministri Berisha ishte pikërisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas një repertori jo të gjatë të "West Site Family", nga altoparlantët e fuqishëm të fonisë u shpërndanë tinguj të këngëve popullore të Bujar Qamilit, ndërsa përkrahësit e opozitës kërcenin duke gëzuar një zhvillim që sipas tyre ishte sukses. Çadrat e bardha mbanin tabelat e qarqeve nga të cilat kishin ardhur përkrahësit e opozitës, por interesante ishte që ata koincidonin pikërisht me qarqet ku opozita konteston zgjedhjet dhe ka kërkuar rinumërimin. Një grup militantësh socialistë nga Shkodra, të cilët në krye kishin deputetin Tom Doshi, theksuan se do të vinin edhe shumë më shumë sikur mos të ishin ndaluar nga policia. Sipas planit të "regjisë qendrore" në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u montuan 25 çadra përpara ambienteve të Kryeministrisë, në të cilat kaluan natën 30 deputetë të PS. Grupi prej 30 deputetësh do të zëvendësohet nga një tjetër grup, ditën e sotme në orën 8:00. Por mbrëmë ishte vetëm nata e parë. A do të rezistojnë me radhë ditët në vazhdim? Rama ka paralajmëruar nisjen e një mosbindjeje civile, e cila do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mbrëmë është luajtur vetëm akti i parë i një lëvizjeje të iniciuar nga opozita, të cilën kreu socialist e ka cilësuar "një lëvizje popullore".