"Porta, Shqipëria s‘ka vuajtur kurrë"
Nuk luan në Kombëtare që nga ndeshja historike ndaj Portugalisë në Braga (0-0) për shkak të një dëmtimi, që la për shumë kohë jashtë fushave të futbollit. Por tashmë është rikthyer në radhët e ekipit të tij, Anorthosis Farmagusta, dhe beson se shumë shpejt do të veshë edhe bluzën e përfaqësueses. Bëhet fjalë për portierin Ajan Beqaj, 33-vjeçarin nga Prizreni, i cili prej disa vitesh ka qenë një siguri më shumë për portën e Shqipërisë. I pranishëm në emisionin e përjavshëm "Prag Sfide" në platformën dixhitale "SuperSport" nëpërmjet telefonit nga Qipro, ai ka rrëfyer periudhën e vështirë të këtij dëmtim dhe ambiciet për të ardhmen. "Është një çast i rëndësishëm për mua. Është diçka që më ka munguar gjatë kësaj kohe. Momenti më i vështirë që mund të përjetojë një futbollit, është periudha e dëmtimit", pohon Beqaj. Edhe pse larg saj Beqaj nuk ka humbur asnjë ndeshje në Kombëtare, të cilën e ndjekur nga TV dhe shprehet i kënaqur me lojën e skuadrës, edhe pse së fundmi humbi thellë me Suedinë (4-1): "Në Suedi, pavarësisht humbjes 4-1, mendoj se kjo nuk ishte pasqyra reale e asaj që u pa në fushë. Shqipëria tregoi se mund të luajë futboll. Sigurisht që katër gola të pësuar janë shumë, por kombëtarja jonë nuk e meritonte atë". Një nga temat e nxehta të këtyre eliminatoreve pa Beqajn në portë, ka qenë pikërisht garancia e portierëve: Hidi, pas disa gafash në ndeshjet me Danimarkën në Kopenhagen dhe Portugalinë në Tiranë, humbi besimin e trajnerit të ri, Josip Kuzhe, i cili i besoi vendin e titullarit të riut Ujkani. "Gardiani" veteran i kuqezinjve i lejon vetes të bëjë edhe një analizë të kaluarës së portës shqiptare, por edhe del në mbrojtje të të dy zëvendësve të tij. "Edhe para meje, por edhe pas dëmtimit tim, Shqipëria ka pasur portierë të talentuar, nënvizon Beqaj. Problemi ynë nuk ka qenë asnjëherë porta. Megjithatë, ndeshjet që Hidi ka luajtur deri tani, nuk e kanë ndihmuar shumë. Gabimet janë pjesë e lojës. Nuk duhet t‘i gjykojmë portierët në këtë mënyrë. Duhet t‘i japim kohë, të luajnë disa ndeshje, që të fitojnë edhe ata siguri me ekipin, që të fitojnë edhe ata ambientimin me ekipin. Më vjen keq për Hidin që ishte i pafat dhe u gjykua rëndë. Samiri është një portier shumë i talentuar. Këtë e kam thënë dhe e them gjithmonë, këtë vit po luan edhe me ekipin e tij, kjo është shumë e rëndësishme për një portier për të fituar eksperiencë. Mendoj se është e ardhmja e portës shqiptare". Kombëtares i mungon prej shumë kohësh, por Kuzhe nuk e ka harruar asnjëherë. "Me trajnerin kemi pasur biseda telefonike, i kam sqaruar situatën në lidhje me dëmtimin tim dhe i kam garantuar atij se kur të jem në 100% të formës, do të vihem në dispozicion të ekipit. Për momentin e ndiej që kam nevojë për më shumë praktikë loje", shton portieri, i cili përgëzon atmosferën e mirë në Kombëtare: "Lojtarët kanë fituar besim, por ashtu në ekip ka kualitet. Kjo skuadër, me moshën mesatare që ka, mund të bëjë gjëra të mira në të ardhmen". Kur i kujton që trajneri Kuzhe e ka cilësuar si të padiskutueshëm në formacionin e parë të Kombëtares, ai përgjigjet se askush nuk e ka vendin e sigurt në 11-she, për ta merituar atë duhet gjithmonë të japësh maksimumin në fushë, pasi për një portier, çdo ndeshje është një test i ri", përfundon Beqaj.