Xhufi: Çështjen greke ta çojmë në NATO
"Shfaqja e shëmtuar korri duartrokitje të qytetarëve të rastësishëm, mes të cilëve edhe të ndonjë 'shërbëtori të shpirtit e të paqes' me mjekër e veladon"
TIRANË - Historiani Pëllumb Xhufi ka dënuar dje thirrjet raciste kundër shqiptarëve në paradën e ushtrisë greke dhe ka hedhur hijen e dyshimit se ato janë pjesë e shkollave ushtarake greke, në një intervistë për "Shekullin", Xhufi shikon si tepër shqetësues edhe faktin që kënga korri duartrokitjet e një pjese të madhe të publikut.
Zoti Xhufi, si i gjykoni thirrjet raciste të ushtarëve grekë ndaj shqiptarëve dhe cila është arsyeja që këto thirrje përsëriten disa herë, ndërkohë që shteti grek nuk ka marrë asnjë masë konkrete deri më tani ndaj këtyre thirrjeve?
Shfaqjen më të fundit të ndjenjave nacionaliste antishqiptare nga një repart elitë i Forcave të armatosura të Greqisë, e shoh shqetësuese si asnjëherë tjetër. E shoh të tillë për përsëritjen e shfaqjeve të tilla, gjë që provon se nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Shoh me shqetësim vendin ku ajo ndodhi, në sheshin qendror të Athinës dhe gjatë një parade ushtarake në prani të autoriteteve më të larta greke. Pra, jo në ndonjë fushë stërvitjeje, larg syve e larg veshëve të publikut. E shoh shqetësuese, sepse kjo shfaqje e shëmtuar korri duartrokitje të qytetarëve të rastësishëm, mes të cilëve edhe të ndonjë "shërbëtori të shpirtit e të paqes" me mjekër e veladon. E shoh shqetësuese, më në fund, edhe për momentin që aktualisht po kalon Greqia, moment i karakterizuar nga një krizë e rëndë ekonomike e sociale. Dhe dihet, në situata të tilla tensionet mund të devijojnë edhe jashtë sinorëve. Më duket se këtë shpërthim të radhës të dufit nacionalist e antishqiptar nuk e priste askush, po të kemi parasysh që pikërisht atë ditë, në datën 25 mars, qeveria shqiptare i kishte bërë dhuratën më të çmuar qeverisë greke dhe, më saktë, nacionalizmit grek, që përfaqësonin ata ushtarakë grekë, pjellë e kolonelëve të zinj, që disa dekada më parë vendosën një sistem diktatorial në një vend, si Greqia, që ishte vend anëtar i NATO-s.
Si e konsideroni reagimin e shtetit shqiptar deri më tani, a është i mjaftueshëm ky reagim dhe a duhet të apelohet në organizmat ndërkombëtarë për këtë çështje, pasi ky nuk është rasti i vetëm që ushtarët grekë këndojnë këngë raciste ndaj shqiptarëve?
Reagimi i MPJ mu duk i arsyeshëm, me përjashtim me një referencë mjerane e pa vend ndaj "nacionalizmave, kudo ata shfaqen". Gjë që unë e kuptova si një tentativë për "t'ia lehtësuar" peshën e përgjegjësisë autoriteteve greke, duke i ngushëlluar ato me konstatimin se shfaqje të tilla nacionalizmi ka kudo, ka edhe në Shqipëri. Jo, shfaqje të tilla nacionalizmi dhe urrejtje nacionale si ato që ka shfaqur shoqëria dhe politika greke, nuk i gjen askund në Europë, e nuk i gjen fare në Shqipëri. Në Shqipëri gjen të kundërtën, gjen një qeveri, që në vend të "qeverisë së integrimit", shumë mirë mund ta pagëzosh "qeveria e Vorio-Epirit", pikërisht se ka lëshuar në çdo front ndaj kërkesave nacionaliste, që mbajnë era myk, qoftë të palës greke, qoftë të atyre serbe e të gjithkujt tjetër.
Si mendoni, a ka ndonjë lidhje kjo situatë me marrëveshjen e miratuar në Kuvend për varrezat e ushtarëve grekë?
Sigurisht nuk mund të thuhet se ushtarakët grekë vepruan ashtu për të "përshëndetur" lëshimin e fundit që deputetët e papërgjegjshëm të PD, të PR e të LSI (me ndonjë përjashtim). Nëse ushtarët grekë do ta kishin ditur që deputetët shqiptarë po kalonin një projekt-ligj në funksion të nacionalizmit grek, me siguri do kishin ndrydhur ndjenjat e vërteta të tyre e për një çast do kishin bërtitur "Rroftë Parlamenti shqiptar"! Thelbin e vërtetë të problemit më duket se e kapi Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, i cili vuri në dyshim vetë sistemin e edukimit në shkollat ushtarake. Sepse, është e qartë që ato vargje, që përsëriten sa nga një repart tek tjetri i ushtrisë greke, bëjnë pjesë në programin e mësimit e të stërvitjes së reparteve greke. Atëherë, ajo që më vjen në mend tani dhe që besoj duhet të jetë një hap i qeverisë shqiptare, është që kjo duhet të kërkojë me insistim pranë NATO-s, që sistemi i edukimit ushtarak grek të "mbahet nën fre" nga vetë Aleanca. Përndryshe, ne shqiptarët, maqedonasit, turqit e të tjerë rrezikojmë të ndodhemi përpara ngjarjeve të papritura, ndaj të cilave sulmi i Peshkopisë i vitit 1994 do të dukej një shaka.