Juve, Bufon rikuperohet në kohë për "duelin" me Milanin
Juve, Bufon rikuperohet në kohë për "duelin" me Milanin
Pas operacionit në gju, portieri i Juventusit, Xhanluixhi Bufon mund të rikuperohet në kohë për "duelin" që skuadra e Çiro Ferrarës do të luajë më 10 janar kundër Milanit. 31-vjeçari, që të dielën e kaluar iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për të kuruar një problem të vjetër në menisk, po rehabilitohet më shpejt nga sa ishte parashikuar. Mediat italiane raportonin se "gardiani" ka dhënë sinjale mjaft pozitive gjatë programit specifik stërvitor që po ndjek me stafin mjekësor të bardhezinjve. Fillimisht, ishte menduar që Bufon do të zbriste në fushë më 24 janar, në ndeshjen kundër Romës. Por, mjekët e Juventusit janë shfaqur mjaft të kënaqur me punën e portierit, i cili mund të jetë i gatshëm dy javë përpara afatit të përcaktuar. Operacioni ishte më i thjeshtë nga sa pritej: ai zgjati vetëm 15 minuta, duke krijuar idenë se problemi nuk ishte shumë serioz. Bufon ka deklaruar se rikuperimi i tij "po ecën shumë mirë" dhe se Aleks Maninger "do të jetë në lartësinë e duhur".