Murinjo: Sfida me Çelsin? Nuk ka asgjë të veçantë
Vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe me mendjen te shorti i Champions League që u hodh në Nion. Megjithatë, Zhoze Murinjo kërkon të qetësojë tifozët e Interit në prag të sfidës me Lacion dhe për përballjen e muajit shkurt me ish-skuadrën e tij, Çelsin. "Çelsi? Kjo ndeshje nuk është aspak e veçantë", ishin fjalët e teknikut portugez, që me blutë ka fituar dy herë titullin në Premiership, por nuk ka arritur të fitojë trofeun më prestigjioz për klube. "Nuk kam asgjë për të thënë rreth kësaj sfide. Në Champions luajmë pas më shumë se dy muajsh, përpara kemi shumë ndeshje të tjera për të zhvilluar. Mund të them se ata janë një kundërshtar me peshë, shumë i vështirë. Do të jenë dy sfida të ekuilibruara. Në rregull, janë ish-skuadra ime, ish-tifozët e mi, por kjo nuk ka asgjë të veçantë". Për takimin me Lacion ai shtoi: "Zakonisht nuk bëjmë dy gabime radhazi. Nëse luajmë njësoj si në Pekin (për Superkupën e Italisë) do të fitojmë".