Kutitë e votimit ‘kthejnë’ Enver Hoxhën
Aristir Lumezi
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, Edi Rama përplasen sërish për hapjen e kutive të votimit. Kreu i qeverisë konfirmoi qëndrimin për të mos dalë mbi vendimet e gjykatave, ndërsa kreu i opozitës, iu drejtua sërish kryeministrit nga sheshi i protestës për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Berisha
Duke folur nga një përurim rruge në Krujë, Berisha ftoi sërish opozitën për tu rikthyer në Parlament dhe për të marrë pjesë në miratimin e reformave që kërkojnë 84 vota. Por ndërsa bëri këtë ftesë, kryeministri u shpreh i sigurt në qëndrimin e tij për të mos hapur kutitë. Madje sipas tij edhe nëse kundërshtari i tij do të ngrejë ish diktatorin Hoxha nga varri, kutitë nuk do të hapen. “Dua t’i them këtu nga Kruja e Skënderbeut një gjë: Jam dhe do të mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit jetik, të rëndësishëm të opozitës dhe për bashkëpunim me të. Por, jo vetëm me qen të rrahur dhe me koska mafioze të tipit Gramoz Ruçi, por edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë apo mund të shkelmosh shtetin ligjor”, u shpreh Berisha. Sipas tij arsyeja përse nuk mund të hapen kutitë është fakti se për to është shprehur më parë gjykata. Berisha theksoi se vendimet e pushtetit gjyqësor janë të paprekshme, teksa i bëri thirrje Ramës të mos mashtrojë, siç e quajti kreu i maxhorancës, njerëzit për karrigen e tij. “Janë edhe rreth 1160 ditë, gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria”, theksoi më tej Berisha, që e quajti një protestë kundër vizave dhe miratimit të statusit të vendit kandidat, tubimin tre ditor të opozitës në Tiranë.
Rama
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Nga tribuna e vendosur në bulevardin që ndan Kryeministrinë nga Kuvendi, kreu i opozitës tha se Berisha me deklaratat e tij për Enverin fyeu qytetarët që kanë dalë në shesh për të kërkuar hapjen e kutive të 28 qershorit. "Sot në një çerek dritareje të hapur të kësaj godine shurdhe, ai që me votat e vjedhura të shqiptarëve quhet ende kryeministër i këtij vendi të marrë peng, u shfaq pas xhamit për t'i bërë turmës shenja me gishta, mu si një i marrë që ka humbur gojën e mendjen. Dhe si të mos mjaftonte kjo pantomimë e turpshme jo për një kryeministër, po edhe për një punëtor që merret me mirëmbajtjen e dritareve të kryeministrisë, ky kloun i tmerruar nga nxjerrja e së vërtetës prej kutive të votimit, fyen publikisht një popull të tërë duke thënë, "Edhe Enver Hoxha të ngjallet kutitë e votimit nuk hapen!"", u shpreh Rama. "Ky palo kryeministër që kalon nga turpi në turp dhe që jeton akoma me fantazmën e Enverit mbi krye, me siguri nuk është mjaftueshmërisht i qetë mendërisht sa të paktën të mos i tregojë popullit të vet adhurimin e fshehtë që ka për diktatorin komunist, të cilit i shërbeu si një lake i rëndomtë", theksoi më tej kreu i PS. Ai i bëri thirrje kryeministrit të tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të pranojë kushtin për hapjen e kutive. Sipas Ramës ky hap i Berishës duhet të hidhet sa nuk është vonë. "I bëjmë qetësisht thirrje të dëgjojë sa nuk është shumë vonë, dhe t'i hapë rrugë kërkesave kushtetuese, ligjore e demokratike të popullit opozitar". Në këtë dalje përpara protestuesve kreu i PS-së tha se ishin rreth 100 mijë vetë ata që të premten në mbrëmje mbushën rrugët e Tiranës për të kërkuar hapjen e kutive.