Strategjia, Rama mbledh deputetët dhe aleatët
Mbrëmjen e djeshme kryetari socialist ka kërkuar mendime nga deputetët socialistë por dhe aleatët e të majtë dhe të djathtë rreth strategjisë së mëtejshme që duhet të ketë për qëndrimin e opozitës. Mësohet se në këtë mbledhje, e cila u zhvillua në çadrën e ngritur në bulevard, mendimet kanë qenë të njëzëshme sa i takon përshkallëzimit të protestës. Por, mbi rrugët për t’ia arritur kësaj, ka pasur mendime të ndryshme. Disa kanë qenë më radikalë së të tjerat, ardhur kryesisht nga partitë e vogla aleate, kryesisht të djathta, por në fund ka mbizotëruar skenari i një ultimatumi që do t’i jepet qeverisë për të reflektuar. Ka pasur mendime që protesta të vazhdojë pa ndalim, por ky qëndrim është rrëzuar, me arsyetimin se një gjë e tillë do ti lodhte njerëzit që do të vinin duke u rralluar në shesh. Një mendim tjetër ishte për mbylljen e protestës ashtu siç ishte paracaktuar, të dielën pasdite por me një apel qeverisë që të reflektojë për kërkesat e tyre, përndryshe protestat do të rinisin. Socialistët hodhën dhe mendimin e bashkimit në një protestë të madhe në 5 dhjetor të arsyeve dhe kërkesave të pushtetarëve vendorë dhe kërkesave të opozitës për kutitë e votimit. Vendimi përfundimtar pritet të merret sot paradite, kur do të ketë dhe një takim mes deputetëve dhe aleatëve për të qartësuar qëndrimin e tyre për ditët në vijim.