Beqja: Transparenca bëhet duke hetuar materialet zgjedhore

Opozita kërkon që hetimi i materialeve të bëhet nga një komision hetimor parlamentar i posaçëm. PS-ja përjashton në mënyrë kategorike shqyrtimin e tyre pas arkivimit
TIRANË- Hetimin e materialeve zgjedhore, Partia Socialiste e shikon si rrugën kryesore që mund të bëjë të mundur transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.Sipas përfaqësuesve të opozitës, ky hetim duhet të bëhet nga një komision hetimor parlamentar që të merret posaçërisht me këtë çështje dhe sipas tyre nuk do të ishte e udhës që shqyrtimi i materialeve të bëhet pasi janë depozituar në Arkivin Qendror të Shtetit, siç propozoi para dy ditësh edhe Kryeministri Sali Berisha, teksa citoi nenin 178 të Kodit Zgjedhor.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja lënda për hetimin e zgjedhjeve parlamentare ekziston dhe për këtë duhet të fillojë procesi hetimor ndërkohë që sipas tij, asgjësimi i fletëve të votimit është absurd dhe i palogjikshëm. "Ne vazhdojmë të insistojmë që duam të bëjmë një transparencë të plotë të procesit zgjedhor.
Në kushtet kur botërisht është pranuar që ka lëndë për hetim, ka objekt për hetim, personalisht më duket jo logjike që një pjesë e këtij hetimi të asgjësohet pa filluar hetimi",- tha dje Beqja.
Sipas deputetit të opozitës të dyja forcat politike kanë pranuar në parim hetimin e materialeve zgjedhore dhe hetimi i tyre sipas Beqjat, do të bëjë të mundur që manipulimi i zgjedhjeve të zbulohet tërësisht me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen normalisht.
"Të dyja palët kanë pranuar që do të hetohen deri më sot materialet zgjedhore që do të thotë se unë personalisht jam shumë i qetë që do të zbulohen të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë dhe që në Shqipëri nuk do të ketë më Ruzhdie",- u shpreh ai.
Ilir Beqja theksoi më tej se opozita insiston për të kryer një transparencë të plotë që shkelësit e zgjedhjeve të shkuara të vihen para drejtësisë në mënyrë që në Shqipëri të rrëzohet edhe fenomeni i mos ndëshkueshmërisë. Kjo sipas tij, duhet të pasohet edhe me ndryshimet e përmirësimet përkatëse të Kodit Zgjedhor për t'u paraprirë zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Ai shtoi se në rast nuk arrihet një kompromis politik me mazhorancën për hapjen e materialeve zgjedhore, opozita do t'i rikthehet sërish protestave për të realizuar transparencën e plotë të zgjedhjeve të qershorit. "Ruzhdiet janë zbuluar nga materialet zgjedhore.
Duam transparencë të plotë, duam vënien para përgjegjësive të shkelësve, duam të rrëzojmë institucionin e mosndëshkueshmërisë në Shqipëri dhe padyshim të përgatitemi për ndryshimet eventuale të procesit të ardhshëm zgjedhor. Po t'i referohemi edhe deklaratës që unë sapo bëra edhe sot mbas arritjeve goxha në Strasburg, sërish është hap kutitë ose largohu",- përfundoi Beqja.
Deputeti i PD-së e shikon transparencën në qëllim të një rikorrigjimi të Kodit Zgjedhor
Alibeaj: Fletët e votimit do të digjen
TIRANË-Mazhoranca qeverisëse këmbëngul në asgjësimin e fletëve të votimit. Në një deklarim për mediat, deputeti i PD-së, Enkeledi Alibeaj vuri në dukje se fletët e votimit do të asgjësohen dhe për këtë sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të zbatojë nenin përkatës të Kodit Zgjedhor.
"Deri më tani është arritur ajo që mazhoranca e ka thënë që në krye të herës hapja e kutive të materialeve zgjedhore, shqyrtimi dhe mbikëqyrja e tyre. Unë besoj që zgjidhja do të jetë ajo çfarë është thënë; kalimi nëpërmjet Gjykatës dhe Komisionit të Venecias...
Nuk është problemi do të digjen apo nuk do të digjen fletët e votimit, sepse nuk ka kush frikë fletët e votimit... Sigurisht që ka një ligj, i cili duhet të zbatohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve",- tha dje Alibeaj.
Deputeti i shumicës në pushtet, transparencën e zgjedhjeve të kërkuar nga opozita e shikon vetëm si një rikorrigjim të Kodit Zgjedhor, ndryshe nga Partia Socialiste e cila nëpërmjet transparencës kërkon që zgjedhjet e ardhshme të mos cënohen nga manipulimi dhe deformimi i votës gjatë numërimit të saj.
"Unë besoj që e gjithë kjo histori e transparencës, e identifikimit të defekteve të aq sa janë dhe atje ku janë të procesit zgjedhor, do të duhet të shërbejë për diçka. Do të duhet të shërbejë për rikorrigjimin e aktit bazë zgjedhor, Kodit Zgjedhor",- u shpreh ai.
Gjithë ecurinë e zhvillimeve politike si dhe negociatat e fundit midis mazhorancës dhe opozitës, Alibeaj e shikon si fundin e një politike jo normale të kreut të opozitës Edi Rama, që sipas deputetit të PD-së, fakti që kryesocialisti u ul në tryezën e bisedimeve të Strasburgut tregoi se ai tashmë i ka thirrur zërit të arsyes.
"Ajo që u arrit deri më tani ishte që përfundimisht, një sjellje politike prej kaçaku e zotit Rama, më në fund u thye edhe ajo sepse deri me grevën e urisë konsiderohej që ishte njeriu që nuk mund të dëgjonte zërin e arsyes.
Fakti që u detyrua të ulej në negociata tregoi që zoti Rama ka ardhur tashmë në atë që quhet trualli i arsyes dhe që do t'i bindet pa diskutim arsyetimit dhe argumentimit politik që mbi të gjitha është ligjor dhe Kushtetues",- përfundoi Alibeaj.
Kryetari i selisë rozë ka thirrur një takim me të gjithë ata burra dhe gra që pranuan të bëhen pjesë e sakrificës 19 ditore
**************************************
Negociatat në Strasburg, Rama informon sot grevistët
TIRANË- Kreu socialist Edi Rama pritet të informojë sot grevistët e urisë mbi ecurinë e negociatave për zgjidhjen e krizës politike. Për këtë qëllim, kryetari i selisë rozë ka thirrur një takim me të gjithë ata burra dhe gra që pranuan të bëhen pjesë e sakrificës 19 ditore për transparencën e zgjedhjeve.
Takimi do të mbahet sot rreth orës 11.00 në një nga ambientet private në periferi të Tiranës, aty ku zakonisht zhvillohen mbledhjet Asambleja Kombëtare. Pjesë e këtij takimi janë ftuar të jenë dhe deputetët socialistë, jo vetëm ata që drejtuan grevën e urisë në çadra, por edhe gjithë ata të tjerët që i dhanë mbështetje asaj nga jashtë tyre, duke organizuar valën e protestës qytetarë çdo ditë në Tiranë dhe në rrethe.
Në këtë takim mësohet se kreu socialist pritet të falenderojë të 203 të vetëflijuarit për çështjen e transparencës së zgjedhjeve, për këtë sakrificë, që siç u shpreh ai gjatë ditëve të grevës e konsideroi sublime dhe që do të hynte në histori.
Më pas, burimet bëjnë të ditur se Rama do të bëjë më dije edhe një përmbledhje të asaj çfarë u arrit në Strasburg në negociatat e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët, por natyrisht pa dhënë detaje të shumta rreth darkës.
Ajo që dihet të paktën tashmë edhe publikisht lidhur me këto negociata është fakti se palët në këtë tryezë kanë rënë dakord në parim për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, ndërsa janë në diskutime në lidhje me metodologjinë, që do të ndiqet për të bërë të mundur këtë gjë. Ajo që mbetet ende një çështje e pazgjidhur dhe që u kërkua fortë nga grevistët dhe e gjithë opozita janë kutitë e fletëve të votimit.
Gjithashtu pjesë e këtij raportimi do të jetë dhe informimi në lidhje me atë se çfarë do të duhet të bëjë më tej PS-ja dhe opozita si në lidhje me çështjen e kutive ,ashtu edhe me qëndrimet e mundshme, që duhet të mbahet në lidhje me institucionet e vendit.
Nuk dihet nëse Rama do të japë ose jo një mesazh të qartë për qëndrimin, që do të mbajë për Kuvendin, pavarësisht se dy ditë më parë gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ai iu shmang pyetjes nëse PS-ja do të kthehet që këtë javë në të apo jo.