E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, draftet që duan votën e PS-së

Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend do të mundësonte edhe miratimin e disa projektligjeve të rëndësishme


TIRANË- Rikthimi i mundshëm i opozitës në Kuvend do të bënte të mundur që mazhoranca nga ana tjetër të rifuste në rendin e ditës së veprimtarisë parlamentare një sërë ligjesh, që prej më shumë se një viti ose qëndrojnë të bllokuara në sirtarët e kryeparlamentares Jozefina Topalli, ose në rastin më të keq nuk janë paraqitur fare për proces legjislativ.


Pavarësisht se mazhoranca dhe drejtuesit më të lartë të saj nuk kanë dashur të pranojnë ngërçin që ka përcjellë kriza politike edhe në funksionimin e institucioneve të vendit, mbetet fakt se bojkoti i opozitës ka bllokuar vendimmarrjen e Kuvendit për çështjet më të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë, që nga ligjet organike e deri tek ripërtëritja e një sërë institucioneve, siç është KLD-ja, Avokati i Popullit apo edhe shumë shpejt KLSH-ja.


Për këtë arsye, jo pa qëllim mazhoranca vendosi të enjten e shkuar rikthimin e Kuvendit në sistemin e mëparshëm me dy seanca plenare në javë, duke kërkuar ta vërë në provë sa më parë vullnetin e opozitës për të respektuar institucionet.


Kështu, në pritje të rikthimit të socialistëve në jetën parlamentare, jo vetëm në seanca, por edhe në komisione, në Kuvend gjenden një sërë projektligjesh të rëndësishme, ku natyrisht nder më kryesorët mbetet ai për Gjykatën Administrative, ose siç njihet ndryshe drafti i gjykatës së gjobave të bizneseve.


Me gjithë këmbënguljen e aktorëve të biznesit legjislativi nuk ka mundur dot të miratojë ende këtë nismë ligjore, kjo pasi gjatë legjislaturës së shkuar mazhoranca e djathtë kërkoi ta kalojë në mënyrë të njëanshme, ndërsa gjatë kësaj legjislature ajo nuk ka siguruar dot numrat e duhur në Kuvend, pasi miratimi i tij kërkon 84 vota.


Një tjetër projektligj tepër i rëndësishëm i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që për shkak të mungesës së numrave nuk është paraqitur ende në Kuvend është ai "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare".


Përsa i përket ligjeve që presin votat e opozitës janë dhe një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Civil që kanë dalë si nevojë gjatë diskutimeve të ligjeve të tjera në komisionet parlamentare.


Një tjetër ligj, për miratimin e të cilit është angazhuar kjo mazhorancë, është edhe ai për kufizimin apo heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përfshi këtu edhe atë të deputetit.


Prej më shumë se tre vjetësh shumica e djathtë ka synuar në vazhdimësi që të miratojë një ligj të tillë, por verdikti i Komisionit të Venecias e detyroi atë që të mos e miratojë një nismë të tillë pa votat e opozitës.


Për këtë qëllim, gjatë vitit të shkuar, në legjislaturën paraardhëse, të dyja palët ranë në ujdi për të hartuar një draft konsensual, por pa mundur të përfundojnë në një produkt konkret. Prej atëherë, mazhoranca qeverisëse nuk ka tentuar më që të kalojë një ligj të tillë, pasi, tashmë, asaj i duhet bashkëpunimi i opozitës jo vetëm për miratimin, por edhe për hartimin e tij.


Paralel me këtë nismë, një sfidë tjetër për këtë shumicë mbetet ligji. "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve në postet publike", ose siç njihet rëndom ligji i dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, i cili, gjithashtu, u konsiderua nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese si në kundërshtim me Kushtetutën.


Ndërkohë, duke parë se 2011-ta do të jetë sërish një vit zgjedhor, ku do të zgjidhen drejtuesit e pushtetit vendor, bëhet e domosdoshme që politika shqiptare të bëjë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Rikthimi i socialistëve në Kuvend do të bënte të mundur që mazhoranca të hapte dhe procedurën për zëvendësimin e Ermir Dobjanit në postin e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›