Kutitë qe kane fatin e Ruzhdies
Nga Lorenc VANGJELI
Nuk është vetëm kutia e fshatit Ruzhdie! Dhjetëra kuti të tjera votimi që mbahen në Lundër fshehin rezultate të “çuditshme”; nga Shkodra në Vlorë e Gjirokastër, kutitë në të cilat opozita nuk ka mundur të marrë asnjë votë përballë dhjetëra e qindra të tillave që ka marrë shumica e zotit Berisha. Në vijim është dhe hetimi për akuzën penale që ka bërë PDK-ja për qarkun e Shkodrës: “Na vodhën një mandat!”
Nuk është vetëm skandali i Ruzhdies! Ai është vetëm një emër që sot është kthyer në simbol të mashtrimit elektoral, njëlloj si Dushku i djeshëm. Në dhjetëra kuti të tjera votimi vazhdon të ndryhet e fshehta që ka paralajmëruar që prej tetë muajsh opozita, moszbulimi i së cilës e la kaq gjatë jashtë Kuvendit. “Hapni kutitë!” duket se do të jetë një histori që do të vazhdojë gjatë, për më tepër e shtuar dhe me provat e reja që po dalin në dritë. Skandali i ri i pritshëm paralajmërohet edhe me një kontroll të thjeshtë në të dhënat zyrtare të rezultateve elektorale të 28 qershorit. Burime zyrtare pohojnë për revistën “MAPO” se dhjetëra kuti të tjera votimi që ndodhen të “burgosura” në Lundër, në magazinën e KQZ-së, strehojnë rezultate po aq të “çuditshme” sa kutia e fshatit Ruzhdie. Gjeografikisht ato vijnë nga Veriu në Jug, nga qarku i Shkodrës në atë të Vlorës. Si për ironi të fatit, të gjitha kutitë me shenjë kanë një gjë të përbashkët: rezultatin zero vota apo më pak se dhjetë vota për opozitën dhe nga disa dhjetëra deri në qindra vota për maxhorancën. Një situatë krejt e papranueshme, nisur kjo nga fakti që të paktën nga dy partitë më të mëdha, me një shtrirje kapilare të përkrahësve të tyre, ka edhe kuti votimi në të cilat nuk gjenden as votat e komisionerëve të njërës parti. Hetimi i pritshëm parlamentar në pritje për të nisur, ka kështu një bazë pothuaj të gatshme parashqyrtimi; pas precedentit “Ruzhdie”, kërkimi i së vërtetës mund të shtrihet dhe në dhjetëra kuti të tjera. Apo dhe për më tej, të bëjë të rivlerësohet akuza, tashmë e vjetër penale e partisë së zotit Ndoka. PDK-ja, pesë muaj më parë dha prova të qarta se të paktën në qarkun e Shkodrës ka humbur një mandat deputeti. Sipas zotit Ndoka, koalicionit “Poli i lirisë” në të cilin bënte pjesë partia e tij në zgjedhje, i janë “transferuar” në shumicë dërrmuese për llogari të PD-së, minimalisht 5873 vota. Prokuroria e Shkodrës, që ka nisur një hetim për këtë çështje, ende nuk e ka mbyllur dosjen, por në të njëjtën kohë, kolegët e tyre fierakë, në një hetim të ngjashëm, kanë vërtetuar pa hezitim e në mënyrë indirekte akuzën për manipulim të rezultatit elektoral në fshatin Ruzhdie.
Kutitë “sekrete”
Në të vërtetë nuk janë fare sekret, edhe pse vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të mungesës së vullnetit politik të shumicës për të bërë transparencën e kërkuar me të gjitha mjetet dhe mënyrat nga pakica. Janë rreth 35 kuti “simbolike”, të cilat, në rastin më të mirë, shkaktojnë dyshime të thella. Sa për të cituar vetëm disa raste nga shifrat që ka në dispozicion revista “MAPO”:
Në qarkun e Shkodrës janë të paktën katër qendra votimi ku opozita nuk ka marrë asnjë votë. Respektivisht, në Qendrën e Votimit 0038, rezultati ka qenë 153 me 0, në QV Nr. 0075, rezultati është 111 me 0, në QV Nr. 0186, rezultati është 93 me 0, në QV Nr. 0187, rezultati është 17 me 0. Në Kukës, në QV me numër 36, rezultati është 41 me 0, në qarkun e Dibrës, në QV Nr. 1048, rezultati është 130 me 0, në qarkun e Vlorës, në QV Nr. 4725, rezultati është 134 me 0, në qarkun e Korçës, në QV Nr. 4013, rezultati është 38 me 0. Por rekordet e habitshme në “të zezë” garantohen në Tiranë. Në tri qendra votimi të qarkut të Tiranës, përkatësisht në QV-të me 1968, 1987 dhe 1598, rezultatet shkojnë në shifrat 267 me 0; 291 me 0 dhe 398 me 0. Të gjitha zona periferike rreth qytetit në Kamzë dhe Paskuqan. Pikërisht ato më të kontestuarat nga opozita.
Shifrat e tjera afrojnë po të njëjtën histori. Por në rreth 35 kuti të studiuara del qartë se opozita nuk ka “marrë” as votat e komisionerëve të saj.
Shpërndarja gjeografike
Shpërndarja gjeografike prek të gjithë Shqipërinë, nga qarku i Shkodrës deri në atë të Vlorës. Vetëm Shkodra ka të paktën nëntë kuti të tilla, Kukësi dhjetë kuti të dyshimta, Dibra, katër kuti, Fieri një të tillë (pa numëruar kutinë e zezë të Ruzhdies, tashmë zyrtarisht në hetim), Vlora, dy kuti, Gjirokastra dhe Korça nga një kuti dhe Tirana, të paktën tri kuti me këtë lloj rezultati elektoral. Rezultati më i dyshimtë është në Tiranë, ku në 398 vota të njërës kuti, asnjë prej tyre nuk rezultonte për opozitën, kurse një tjetër rezultat qesharak në Burrel, në një fshat në të cilin votonte vetëm një familje, u gjendën 34 vota për Partinë Demokratike në kuti, nga më pak se shtatë votues të regjistruar.
Shkodra nën hetim, akuzon PDK-ja
Pak ditë mbas shpërthimit të skandalit të kutisë së manipuluar të Ruzhdies, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, rikujton se një denoncim të ngjashëm partia e tij ka bërë për qarkun e Shkodrës. Një hetim për fatin e të cilit nuk ka asnjë njoftim, përveç faktit që vetë zoti Ndoka konfirmon se KQZ-ja “nuk ka bashkëpunuar sipas asaj që kërkon ligji për të vënë në dispozicion të prokurorisë dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e çështjes”. Por që këtej, Ndoka shkon dhe më tutje në akuzën e tij, kësaj radhe ndaj organit të akuzës: “Ne disponojmë informacione se prokurorët e çështjes, të vënë përballë presionit të gjithanshëm të pushtetit, po e zvarrisin çështjen pafundësisht, duke mos i dhënë asnjë përgjigje për denoncimin e Partisë Demokristiane”. Por çfarë ka ndodhur realisht. Në nëntor të vitit të kaluar, PDK-ja nisi një operacion delikat të verifikimit të votës së saj, duke u përqendruar kryesisht në qarkun e Shkodrës. Një grup specialistësh të informatikës shqyrtuan CD-të e filmimeve të realizuara në qendrat e numërimit të votave. CD-të u tërhoqën në mënyrë zyrtare nga KQZ-ja për KZAZ-të me numër 40, 41, 42, 43 dhe 44. Rezultatet e hetimit partiak, tashmë të bëra publike, ishin vërtet tronditëse. Sipas PDK-së dhe asaj çfarë rezultonte realisht nga shqyrtimi i pamjeve filmike, dilte se vetëm në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike, nëpërmjet komisionerëve të saj, i kishte shtuar rezultatit të PD-së rreth 11 784 vota. Prej tyre, koalicionit “Poli i lirisë”, pjesë e të cilit ishte PDK-ja në zgjedhje, i janë grabitur 5 873 vota, që në rezultatin final përkthehet me një mandat të grabitur ndaj kësaj partie.
PDK-ja dorëzoi në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin e saj dhe provat që kishte mundur të siguronte. Ato përfshinin pamjet filmike të procesit të numërimit të votave dhe procesverbalet e firmosura nga grupet e numërimit, ku dallohen qartazi diferenca mes rezultatit të firmosur dhe atij të verifikuar nga pamjet filmike.
Sipas Ndokës, PDK-ja ka denoncuar që ditën e votimit parregullsitë e vëna re të cilat përfshinin një sërë elementesh të falsifikuara apo që kishin ndikuar në një rezultat të manipuluar.
Kutitë e Pandorës
Askush nuk mund të thotë se si do të gdhihej të nesërmen Shqipëria mbas një hapjeje eventuale të kutive të votimit. Që nga 28 qershori, në fakt, ka fituar gjithmonë e më shumë terren ideja se rezultati final i shpallur nga KQZ-ja dhe pushteti që ka derivuar prej këtij rezultati, kanë probleme dhe largësi relative nga vullneti i votuesit shqiptar. Edhe fraza “magjike“ e raportit të OSBE/ODIHR-it, se është vënë re “numërim i keq ose shumë i keq në një të tretën e qendrave të numërimit”, dëshmon pothuaj të njëjtën gjë: është votuar përgjithësisht qetë si në “Zvicër“ në datën 28 qershor dhe më pas vota është numëruar si në Ruzhdiet shqiptare në ditët në vijim.
Të enjten e shkuar, në ditën e hyrjes në Kuvend mbas gjashtë muajsh bojkoti të Kuvendit, Partia Socialiste, nëpërmjet Gramoz Ruçit, lëshoi një sfidë të jashtëzakonshme për terrenin shqiptar: “Vëmë në bast gjithçka për një kuti të vetme”! Thënë me fjalët e Ruçit: “Largohem nga politika me gjithë deputetët e qarkut të Fierit, PS-ja heq dorë nga kauza e saj për transparencë të votave në rast se Berisha hap kutinë e Ruzhdies dhe ajo del në rregull”!
Vetëm pak orë pas fjalës së Ruçit, kutia e Ruzhdies u “hap“ publikisht dhe pisllëku që ajo mbante brenda ka ditë të tëra që po ndot ambientin politik shqiptar. Në një botë skeptike si Shqipëria, ku dyshimi nuk shkon në dobi të të dyshuarit, qeveria shqiptare po tregohet çdo ditë e më shumë me gisht, të paktën nga opozita, si banditi që e di se nuk duhet të kthehet në vendin e krimit.
Tabelë,
Qarku i Shkodrës
ZAZ Nr. 42 PD-PS
Qendra e Votimit 0186 93 0
Qendra e Votimit 0187 17 0
ZAZ Nr. 44
Qendra e Votimit Nr. 0038 153 0
Qendra e Votimit Nr. 0075 111 0
QARKU I KUKËSIT
ZAZ Nr. 36
Qendra e Votimit Nr. 0458 41 0
QARKU I DIBRËS
ZAZ Nr. 7
Qendra e Votimit Nr. 1048 130 0
QARKU I FIERIT
ZAZ Nr. 21
Qendra e Votimit 2860 243 2
Qendra e Votimit 3052 (Ruzhdija)
QARKU I VLORËS
ZAZ Nr. 65
Qendra e Votimit Nr. 4725 134 0
QARKU I KORÇËS
ZAZ Nr. 29
Qendra e Votimit Nr. 4013 38 0
QARKU I TIRANËS
ZAZ Nr. 53
Qendra e Votimit Nr. 1968 267 0
ZAZ Nr. 54
Qendra e Votimit Nr. 1987 291 0
ZAZ Nr. 56
Qendra e Votimit Nr. 1598 398 0
Marrë nga revista “MAPO”
8 Mars 2010