Kuvend - Berisha i përsërit apelin opozitës për reformën zgjedhore dhe parlamentare
Numërimi elektronik - ODIHR nuk pranon që kjo të jetë në shkallë vendi. Berisha: “Opozita të caktojë një qytet pilot”
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje opozitës për të miratuar reformën zgjedhore dhe atë parlamentare brenda afatit të caktuar nga Brukseli. Nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancës së djeshme plenare, kreu i qeverisë shprehu vlerësimin për ecurinë e deritanishme të ligjit elektoral, ndërsa inkurajoi përfaqësuesit e Partisë Socialiste të respektojë rekomandimet e ODIHR, për t’i dhënë fund kështu sagës së Kodit Zgjedhor.
Duke u ndalur specifikisht te problematika e hasur në diskutimin e reformës zgjedhore, numërimi elektronik, Berisha tha se ODIHR nuk pranon që kjo të jetë në shkallë vendi, ndërsa propozimi i mazhorancës është që të kalohet fillimisht në një projekt pilot. “Unë jam sot këtu për tu ftuar ju, të nderojmë këtë datë dhe detyrimet tona. Kemi një thirrje që me datën 24 maj të votojmë në Parlament reformën zgjedhore. Duke shprehur vlerësimin tim të palëkundur për punën serioze që kanë bërë grupet e ngarkuara në këtë detyrë, mendoj se reforma është tërësisht dhe lehtësisht e kompletueshme. Kanë mbetur këto probleme dhe cili është propozimi im! Ka mbetur problemi elektronik. Ne e kemi pranuar me bindjen më të thellë se nuk është i sigurt, por nuk na takonte neve ta refuzonim. Ju duhet të dini dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë, se katër muaj rresht në një ‘marrëveshje gentilmenash’ përfaqësuesit tuaj, ata dhe vetëm ata, kanë sjellë të gjitha amendamentet për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Shumë mirë. Unë e konsideroj shumë normale. Tani, e theksoj prapë, ODIHR-i nuk është se ka mungesë njohurish për sistemet dixhitale. Jo. I njeh shumë më mirë se ne, por ODIHR nuk i hedh poshtë ato, kërkon të fillohet me një studim pilot. Kërkon që me një studim pilot të krijohet besimi dhe ne jemi plotësisht dakord. ODIHR nuk pranon që kjo të jetë në shkallë vendi, sepse në vendin më të zhvilluar, sepse në një vend ku teknologjia është në krye të Europës, në një vend që ka klimën së paku 5-6 gradë më të freskët se Shqipëria, një vend që ka një traditë në të gjitha aspektet, sërish rastin e fundit, makinat u bllokuan, pati bllokim në makineri dhe pati mungesë elektriciteti. E bën militantët apo ndodhi nga rrufeja, atë nuk e dimë, por ja që pati. Çfarë propozojmë ne! Zgjidhni qytetin pilot që doni dhe ne ta fillojmë, është në interesin tuaj. Megjithatë mblidhuni dhe njëherë caktoni qytetin pilot . Jam plotësisht dakord dhe të përcaktoni rregulla në pamjen dhe kalimin elektronik të fletës së votimit dhe ka shumë mundësi të behët”, u shpreh kryeministri.
Ai i kujtoi përfaqësuesve të PS, sjelljen dhe mllefin e tyre kundër komisionerëve në dy zgjedhjet e fundit, ato parlamentare të 2009-s si dhe lokalet e 2011-s. “Ju keni tmerr nga komisionerët tuaj. Ka një kritikë, ndonëse sistemi i numërimit në Shqipëri është vlerësuar si më sakti në botë, sërish ka një kritikë. Kritika është kjo, se komisionerët i kalojnë shpejt. Siç keni vënë penalitet dhe rregulloren ushtarake që prutë për komisionerët, 8 vjet burg, vini 7 vjet burg po qe se i kalojnë 25 apo 35 fletë në minutë, dhe bëjeni të matshme këtë. Të blejmë aparaturën që mat çdo sekondë. 64 apo 66 qendra, sa janë gjithsej u provuan se e japin ngadalë rezultatin. Atëherë kaloni në ligj 100 apo 120 qendra. Por ju keni frikë nga komisionerët njëlloj si ai nga temjani, por atë se çlirojmë dot ne. Çdo gjë mund të bëjmë ne por komisionerë nuk ju jap dot unë ju”, theksoi Berisha.
Kreu i ekzekutivit e cilësoi absurd propozimin e socialistëve, për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së nga Avokati i Popullit. Berisha tha se synimi i opozitës është delegjitimimi i mazhorancës dhe krijimi i një minorance bllokuese në KQZ. “Kërkoni që Avokati i Popullit të propozojë kryetarin e KQZ-së. Ju këtu e bëni gabimin. Mos e lëndoni atë. Avokati i Popullit ka një detyrë, ai erdhi nga selia e Partisë Socialiste, e votuam me zëmër të hapur. Detyra e tij është të provojë që është Avokati i Popullit i të gjithë shqiptarëve, lëreni të përmbushë këtë detyrë. Se me këtë tregoni se doni të përdorni kërrabën për të marrë gjithnjë nga vetja juaj. Gjeni një mënyrë tjetër propozimesh dhe ne jemi dakord. Ka një problem të fundit që është çështja e dy komisionerëve. Nëse ka opozitë që në momente të caktuara funksionon kundër saj, absolutisht jeni ju. Çfarë kërkoni ju?! Ju kërkuat që 80 për qind e vendimeve të jenë 5 me 2 dhe unë këtë e kuptoj si të drejtë. Pse? Sepse ju kërkoni të keni minorancë bllokuese dhe unë ju jap të drejtë. Kanë mbetur disa vendime me votim 4 me 3 e tani kërkoni të ngrini themelin e gjithë këtij sistemi me dy partiak. Kjo nuk bëhet. Ka një vendim gjykate. Ju e keni provuar që ne nuk lëvizim nga vendimi i Gjykatës. Vendimi i Gjykatës është vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Bashkërisht kemi rënë dakord në mënyrë përfundimtare për këtë Kolegj Zgjedhor që ka tagrin për të gjykuar të gjitha problemet zgjedhore. Unë nuk them që të hiqni dorë, por nuk ka interes më jetik për opozitën sesa të sigurohet. Se mazhoranca nëse do të abuzoje me 2 vetë, abuzon dy herë më shumë se opozita, prandaj merrni vendimin e Gjykatës, përcaktoni rregullat e funksionimit të këtyre dy vendimeve, nuk jam kundër, por ka rregulla të cilat nuk mund të përdoren për abuzim. Por nëse ti thua se KQZ nuk ka asnjë pune me këta të dy, ti i ke dhënë autoritetin për të gjithë procesin zgjedhor dy vetëve. Të gjithë ata, të cilët e njohin procesin zgjedhor e kuptojnë se ky është mekanizmi i shtyrjes në kalendat e pafundme të finalizimit të procesit zgjedhor. Po ju them se ju bëni një gabim të rëndë, sepse me këtë kërkesë kërcënoni më shumë se çdo gjë tjetër opozitën. Juve ju duket se mund ta përdorni ju, por mos harroni se një ditë mund ta përdorë qeveria. Gjykata ka përcaktuar se kërkesa e dy komisionerëve e pabazuar në fakte nuk mund të pranohet. Në qoftë se ju kërkoni që të shkelmohet vendimi këtë ne nuk mund ta pranojmë, por nëse ju kërkoni që vendimi të mishërohet në nen dhe të ecet përpara ne jemi plotësisht dakord. Unë e pranoj që në variantin e fundit keni bërë një hap para, prandaj dhe ju përgëzoj. Tani vijmë tek problemi tjetër, deklarata e djeshme e z. Rama. Ai tha se, ‘Berisha nuk do të mbyllë reformën për shkak të zgjedhjes së presidentit’. More zotërinj, pse ju duket vetja juve president këtë muaj! Rrini gjithë ditën duke hedhur fall me letra. Asnjëri prej jush nuk bëhet president jua them me bindje këtë, sepse nuk votoni njëri-tjetrin juve. Ky është problemi. Por për presidentin do të flasim kur të vijmë tek presidenti”, tha kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë u ndal dhe tek rregullorja e Kuvendit, ku i cilësoi kërkesat e PS qesharake, të paqëndrueshme, si dhe antikushtetuese. “Gjeni një Kushtetutë të vendit që e ka dhe Shqipëria do të jetë e dyta. Ju mendoni se Berisha kërkon miratimin e reformave se ka ethet e zgjedhjes së Presidentit. Iu siguroj që si kam këto ethe, ndryshe nga ju, që të gjithë jeni përfshirë nga ky siklet dhe rrini gjithë ditën duke hedhur fall se kush do bëhet president. Asnjëri nga ju s’do bëhet ua them unë. S’do bëheni sepse ju nuk votoni njëri-tjetrin”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.