E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Balla: Korrupsioni bën kërdinë, Berisha: Ne e luftojmë, ju e nxisni

TIRANE - Në kuadër të interpelancës me kryeministrin Berisha për strategjinë antikorrupsion, deputeti i PS-së Taulant Balla e cilësoi të dështuar programin e qeverisë “Me duar të Pastra”, pasi sipas tij korrupsioni bën kërdinë në vend.  Balla deklaroi se strategjia antikorrupsion 2008-2013 e hartuar nga qeveria ka mbetur në sirtar, si shumë premtime të tjera.

“Kam në dorë programin e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. “Të vetmet strategji që miratuat e latë në harresë. Strategjia bashkë me 36 strategji të tjera ndër sektoriale përbëjnë ato strategji që nuk dihet se ku fshihen. Strategjia nuk ka afate, indikatore, nuk identifikon sektorët problematike. E vetmja që mund të mbahet mend nga kjo strategji janë dy numra telefoni që nuk u përgjigjen kurrë. E kam provuar gjithë ditën nuk punon por ka nja 3 vjet që nuk punon fare. A caktuat ndonjëherë fonde për këtë qëllim, a u shpërblye ndonjë qytetar që denoncoi korrupsionin.”- u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.

Deputeti socialist iu referua edhe raporteve vjetore te organizatës Transparency International, duke theksuar se indikatori i korrupsionit në vend është përkeqësuar në vitet e fundit.

Balla e nisi fjalën e tij me vendimin e gjykatës për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, të cilin e cilësoi si një tragjedi të dytë për familjarët e viktimave, por u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit, me pretendimin se kjo çështje nuk përputhej me temën për të cilën ishte kërkuar interpelanca. 

“Korrupsioni mbetet sëmundja më e rëndë e qeverisë tuaj. Sot është 4 vjetori i Gërdecit. Më lejoni tu them disa fjalë që lidhen me këtë krim shtetëror. Sot bëhen 4 vite që nga dita kur trafiku shtetëror i armëve dhe municioneve zhduku nga harta një fshat të tërë, vrau 26 shqiptarë, la jeton fëmijë dhe shkatërroi banesa. Nuk ka njeri dyshim se krimi ka për autor familjen që organizoi trafikun. Këta që bënë ligje për trafikun, këta që jepnin urdhra me telefon e me shkrim, këta që vendosnin njerëzit e tyre në pikat e kontrollit. Para dy ditësh Gërdeci shpërtheu sërish”, u shpreh Balla. Sipas tij, vendimi i gjykatës ishte një tjetër goditje për besimin e shqiptarëve.

Kërkesave të Ballës mbi korrupsionin, kryeministri Saliu Berisha iu përgjigj se qeveria vijon luftën ndaj këtij fenomeni, por opozita ka tentuar vazhdimisht ta bllokojë.

“Qeveria ka në epiqendër të saj luftën kundër korrupsionit. Ne vendosëm që korrupsionin ta luftojmë nisur nga vetja jonë, nga zyrat tona, këtë e bëmë me anën të shërbimeve operative. Kemi miratuar ligje të rëndësishme për të frenuar korrupsionin në administratë. Janë penalizuar mbi 380 zyrtarë për korrupsion që nga viti 2005. Cfarë bëtë ju gjithë këto vite për luftën kundër korrupsionit? Cfarë bëtë ju? Jua them unë, bllokuat imunitetin, bllokuat reformat, penalizuat vendin”. 

Kryeministri theksoi se opozita duhet të votojë ligjin per imunitetet. “E vërteta nuk duhet të lëndojë opozitën”.
“Nuk ka opozitë në botë që do të mbrojë qeverinë me imunitet. Ju jeni unikë. Po përse, por që opozita të mos votojë heqjen e imunitetit në historinë e partisë suaj unë besoj se do të vlerësohet si qëllimi më tinzar që mund të mbahej”.

Kreu i qeverisë përmendi si masa anti-korrupsion heqjen e trasnportit publik për funksionarët.
“Nga 3 200 vetura që gëzonin funksionarët e lartë të shtetit, me pjesë këmbimi që kushtonin 19 mijë dollarë në vit, sot kemi 7 vetura të tilla. Kjo reformë kjo e cila e rendit Shqipërinë në vendet më transparente në këtë fushë”.

“Shkurtuam shpenzimet me telefona që bëheshin për biseda, për orgjia”, tha me tej Berisha.

Sipas Berishes, efekt ndaj luftes anti-korrupsion ishte dhe ndryshimi ne prokurorimet publike.

Berisha tha se në tetë vite Shqipëria kishte marrë 38 milion dollarë investime të huaja. “Le tu referohemi fakteve. Ato dëshmonin se në Shqipëri 75% e të gjitha prokurimeve ishin direkte. Pra le tu referohemi fakteve. Asnjë i dënuar nga drejtësia. Kjo ishte situata se si erdhëm ne në pushtet dhe e shndërruam në kalë beteje kryesore. Për të luftuar korrupsionin në Shqipëri dhe kudo në botë ka dy drejtime themelore. Reformat gjithëpërfshirëse që kanë synim vendimtar rritjen e transparencës dhe së dyti penalizmin e korrupsionit. Në këtë kontekst bëmë një program ambicioz që konsistonte në zvogëlimin maksimal të mundshëm të administratës shtetërore”, theksoi Berisha.

Kryeministri u shpreh më tej se “nuk them që nuk ka korrupsion. Nuk marr shembuj poshtë e përpjetë. Ligji i artë është të shohësh në oborrin tënd”.

Balla-Berishës: Nga vijnë të ardhurat e djalit tuaj, Shkëlzen? 
Pas fjalës së parë të Berishës, Balla kërkoi nga kryeministri të japë llogari për të ardhurat e djalit të tij, Shkëlzen Berisha që arrijnë 200 mijë euro në vit.
“Yt bir Shkëlzen Berisha deklaron të ardhura neto nga aktiviteti privat 200 mijë euro si sekser. Mungon emërtimi i kompanisë, statusi, natyra e organizimit të veprimtarisë së yt biri. Duhet të na thuash çfarë aktiviteti është ky që bën 200 mijë euro duke qëndruar në kafenetë e Tiranës. Je bërë sekser gjyqtarësh dhe urdhëron mos zbatimin e vendimeve të gjykatave".
“Si Sanaderi në Kroaci je bërë edhe ti në Shqipëri. Po pengon vendin. Pa sanaderizimin e Shqipërisë nuk ka integrim. Pa zbardhjen e krimeve shtetërore nuk mund të ketë një histori suksesi të Shqipërisë sonë në luftën ndaj korrupsionit. Kam një këshillë për ty, merr kurajën dhe dorëzo edhe ti imunitetin tënd. Eja me mua bashkë përpara prokurorisë dhe sqaro pozicionin tënd për Gërdecin e 21 janarin”, theksoi Balla.

Berisha iu pergjigj se Balla shpif dhe se per kete ka dhe nje ceshtje gjyqesore te hapur.
"Balla akuzohet për shpifje dhe ulet në Kuvend si i vetmi deputet i dënuar me shpifje. Në një stan ku jeton sa më shumë shpif, aq më shumë lartësohet”.
Kryeministri theksoi se të ardhurat e djalit të tij nuk vijnë nga sektori publik.
“Sulmi personal që i bëhet ndaj djalit tim, me Ballën kemi një proces gjyqësor të hapur. Kryeministri ka dhënë një urdhër që fëmijët e tij të deklarojnë pasurinë. Meqënëse im bir ka deklaruar shifrën, nëqoftëse vetëm 1 euro e ka të garantuar në marredhëniet me sektorin publik unë kërkoj t’i konfiskohen që të gjitha. Ka një kod në familjen time, nuk mund të ketë asnjë lidhje me sektorin publik”.

“Sa të jem unë në qeveri, korrupsonin do ta luftojë më gjithë forcën dhe potencilalin” .

(er.nu.d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topalli: Ju vratë 4 të rinj në kufi, Ruci: Nuk ka ndodhur, po reciton Kuvend, miratohen disa projektligje VIDEO: Berisha-Balla, debat në kuvend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›