Berisha: Të ndëshkohet e përbuzet modeli i dhunës në familje
TIRANË- Duke e konsideruar si një problem shumë serioz dhunën në familje, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se ajo duhet të kthehet në një çështje shumë të rëndësishme dhe masat për ndëshkimin e saj duhet të jenë efikase.
"Shoqëria duhet të ndëshkojë, përçmojë dhe përbuzë modelin e dhunës familjare. Familja, bashkëshortja nuk është skllave e as plaçkë, përkundrazi është një personalitet kryesor i familjes, ndaj dhe shpresoj që kjo konferencë të shërbejë si thirrje për ndërgjen e gjithë shqiptarëve në luftën për parandalimin, trajtimin dhe ndëshkimin e saj"- tha Berisha gjatë fjalës së tij në seminarimn kundër dhunës ndaj gruas.
Sipas tij, strukturat e ligjit duhet të përparësojnë qëndrimin e tyre në lidhje me parandalimin e dhunës në familje. Por në të njëjtën kohë duhet që të krijohet edhe një opinion i ri, sipas tij, jo i bazuar mbi diskriminimin shekullor gjinor mes gruas dhe burrit, por në nivelin e respektueshëm të barazisë gjinore.
"Dhuna në familje, natyrisht që ka shkaqet e veta dhe zbutja e efekteve ekonomike-sociale është një nga mënyrat e saj të parandalimit se skamja është nëna e të gjithave. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë", tha ai.
Në fjalën e sotme Berisha ka shmangur përsëritjen e akuzave të ditëve më parë, për liderin e opozitës e opozitën, por ka theksuar se për trajtimin e dhunës nuk duhet të ketë asnjë ndroje.