E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kuvend, Komisioni i Politikës së Jashtme: Të miratojmë me unanimitet rezolutën në mbështetje të Ukrainës

Shumica socialiste në Kuvend, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të opozitës dhe pozitës, që të miratojnë rezolutën, në mbështetje të Ukrainës. Kjo rezolutë dënon agresionin rus. Kryetarja e komisionit për politikën e jashtme në Kuvend, Mimi Kodheli, u shpreh se kjo rezolutë është në përputhje me rezolutën e Asamblesë së OKB të 1 marsit, si dhe në unanimitet me qëndrimet e BE e SHBA.

“Komisioni i Politikës së Jashtme sapo kaloi këtë rezolutë. Uroj ta votojmë në unanimitet. Dënojmë agresionin rus ndaj Ukrainës. Ju falënderoj për gjithçka kemi bërë dhe do bëjmë, siç e meriton dinjiteti i këtij parlamenti dhe çdo shqiptari. Kjo rezolutë është në mbështetje të rezolutës së Asambles së OKB të dalë më 1 mars të këtij viti, mbi agresionin mbi Ukrainës. Referuar akteve ndërkombëtare, kjo është një rezolutë që mban parasysh kartën e Kombeve të Bashkuara dhe është në unanimitet të plotë me Parlamentin Evropian, që doli me një rezolutë tjetër më 1 mars dhe është në unanimitet me qëndrimet e BE dhe SHBA. Ne sot jemi në anën e drejtë të historisë”, tha Kodheli.

Basha: PD mbështet rezolutën për Ukrainën

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij, ka shprehur mbështetjen e PD-së për rezolutën e dënimit të agresionit rus në Ukrainë.

“Jemi mbledhur në një ngjarje unike për t’i dhënë mbështetjen popullit të Ukrainës, që ndodhen përballë agresionit të pashembullt nga Rusia. Jam i bindur që populli ukrainas do të vazhdojë të luftojë dhe ta shohë këtë akt mbështetje nga ne si një mbështetje të të gjithë kombit shqiptar. Këto janë ditë të errëta për Ukrainën, Evropën, që lufton të jetojë në paqe. Me këtë rezolutë i japim përfaqësisë tonë në KS shtysën për të bërë çdo gjë me aleatët për t’i dhënë fund kësaj çmendurie”, deklaroi Basha. 

Peleshi: Sot duhet të bashkohemi. Të lemë mënjanë të gjitha axhendat tona

Apel për unitet midis deputetëve të Kuvendit, për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, ka kërkuar edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai i kërkoi ligjvënësve shqiptarë që të lënë mënjanë çështjet e vendit, pasi sot është dita për të treguar përgjegjshmëri dhe për të bërë strategji kombëtare.

“Do të donim të flisnin të gjithë në të njëjtën gjuhë, për Ukrainën. Ne kemi sfidat tona të sigurisë kombëtare e të mbrojtjes. Jemi në nevojë për shkak të situatës së krijuar për të rishikuar dokumentet tona strategjike. Por sot është dita e Ukrainës. Çdo përpjekje për të marrë nga kjo çështje kredo politike, nuk është e drejtë. Të tregojmë si jemi një faktor në gjithë Rajonin drejt perëndimit. Nuk është dita të flasim për çështje tonat shumë të mëdha, por për Ukrainën. Sot duhet të bashkohemi. Të lemë mënjanë të gjitha axhendat tona. Mos të merremi me ngritjen e çmimeve, me rritjen e çmimit të naftës. Të tregojmë përgjegjshmëri politike. Të bëjmë strategji kombëtare. Të tregojmë se dimë të bëjmë pakte kombëtare për çështje të mëdha. Duhet t’i themi Perëndimit që jemi të gjithë bashkë. Nuk e meritojmë ne e shqiptarët të ndahemi në këtë ditë. Ne jemi të gjithë bashkë, jemi me Ukrainën. Ukraina sot nuk po lufton për Ukrainën, por për lirinë e të gjithëve”, tha Peleshi.

Projektrezoluta

PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS  DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE

Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentat e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mos-përhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim të tyre të nënshkruar në vitin 2015;

Duke shprehur shqetësim te thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas Luftës së dytë Botërore, janë cenuar rendë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës;

Në mbështetje të plotë qendrimit të vendeve të tjera në të gjithë botën, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese;

Në respekt dhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit në rajonin tonë të agresionit rus në Ukrainë  me pasojë demotivimin e perspektivës euroatlantike të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike  dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane; Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›