E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Ruçi: 100-vjetori e gjen vendin në krizë, kapja e shtetit, evidente

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë nisi pasditen e së hënës punimet e sesionit të VI-të të Legjislaturës së XVIII-të. Në fjalën hapëse kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi si pozitiv bilancin e sesionit parlamentar të vitit 2011 ndërkohë që u shpreh optimiste për vitin 2012.

“Ky që po fillojnë është sesioni i 6 i kësaj legjislature. Bilanci ka qenë i sukseshëm, pasi me votën tuaj është kaluar ligji për lëvizjen e lirë. Gjatë këtij mandati janë miratuar 400 ligje. Këto reforma na kanë shpëtuar nga kriza që ka mbërthyer Europën. Në këtë 100 vjetor kemi arsye të themi që Shqipëria ia ka dalë, sdhe se rritja ekonomike është inkurajuese”,- u shpreh Topalli.

Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se kalendari i punës për sesionin e ri parlamentar parashikon miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ndaj kërkoi bashkëpunimin e opozitës.

“Kalendari, ka disa ligje që kërkojnë votën e opozitës, pa votën e tyre ato nuk miratohen. Ekonomia dhe përmisimi i jetës, ulja e varfërisë është synimi jonë për këtë vit. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë”,- u shpreh Topalli.

Në seancën e sotme, e para për këtë vit, deputetët pritet të miratojnë programin e punës së Kuvendit për periudhën (16 janar-24 shkurt), si dhe kalendarin trejavor për periudhën 16 janar-3 shkurt. Të enjten konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare miratoi vetëm me votat e maxhorancës kalendarin 3-javor, ndërkohë që opozita u shpreh kundër përfshirjes në rendin e ditës së ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave.

RUÇI: 100-VJETORI E GJEN VENDIN NË KRIZË
Kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi se 100-vjetori i pavarësisë e gjen vendin me demokraci të rrezikuar dhe në krizë ekonomike.

“Ky 100-vjetor e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të qytetarëve. E gjen vendin në krizë, ku rritja ekonomike ka ndalur, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit jane evidente,. E gjen me një papunësi në rritje, me një varfëri të shtuar dhe mbi të gjitha me një të ardhshme të rrezikuar. 100- vjetori e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqyin: diktaturë bjelloruse apo rrugë drej Europës.”- deklaroi Ruçi.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit socialist nënvizoi se axhenda e PS-së për këtë vit ka në qëndër kontributin per demokratizimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.

KUVENDI NIS SOT SESIONIN E RI PARLAMENTAR
Parlamenti pritet të nisë sot pasdite, punimet për këtë sesion. Seanca e parë plenare e sesionit të ri është lajmëruar të mbahet në orën 17.00.
Ashtu si në çdo fillim sesioni, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të mbajë fjalën përshëndetëse, ndërsa pas kësaj pritet diskutimi dhe miratimi i kalendarit 3-javor. Pritet që në seancën e parë të ketë debate mes mazhorancës dhe opozitës, për shkak edhe të situatës së krijuar së fundmi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Grupeve Parlamentare. Tri ditë më parë, sipas njoftimit të bërë nga Kryesia e Kuvendit, u miratua kalendari i punës, ku janë përcaktuar edhe kalimi për diskutim i ligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011-të, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare.

Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre pr/ligjeve, datën 2 shkurt 2012-të, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil. “Për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto pr/ ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensus”,- thuhej në njoftimin e Kuvendit. Ndërsa më pas, në emër të grupit parlamentar të PSsë, sekretari Taulant Balla u shpreh se, “Të gjitha këto projektligje janë prej kohësh tashmë pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria”. Grupi socialist nënvizoi, se ngutja e mazhorancës dhe arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve, nuk e justifikojnë qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars.

(er.nu/el.me/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›