Kuvend, debate për KQZ, Topalli: Ilirjan Muho ka mashtruar parlamentin, është shkarkuar si prokuror për lidhje me krimin
Seanca e sotme plenare nisi me vone nga sa ishte parashikuar dhe është karakterizuar nga debate të forta mazhorancëopozitë, pasi në rend të ditës është votimi për lirimin nga detyra i anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.
PD duket e palëkundur në nismën e saj ndërsa i ka propozuar parlamentit dy emra të rinj për të zënë vendin e Muhos, dy përfaqësues të Partisë Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Ndërkohë, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për integrim pritet të votojnë kundër kësaj, nisme të cilën në deklarata të ndryshmen e kanën cilësuar antiligjore dhe antikushtetuese, që bie në kundërshtim me kodin zgjedhor.
Ndërkaq, pritet që votave të mazorancës sot ti bashkohen edhe votat e tre ish-deputetëve socialistë, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.
Për demokratët nisma është tërësisht legjitime pasi largimi i LSI nga koalicioni qeveritar bën që të humbë baraspesha politike në KQZ.
Ndërkohë, PS ka mbledhur mëngjesin e sotëm grupin kuvendor për të diskutuar rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë, ndërsa pritet që qëndrimi i tyre të jetë i prerë.
Topalli: Ilirjan Muho ka mashtruar Parlamentin, është shkarkuar si prokuror nga Dhori Sollaku për lidhje me krimin
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj nga foltorja e Parlamentit e akuzoi Ilirjan Muhon se ka mashtruar me CV e tij, pasi sipas saj në vitin 2003 ai është shkarkuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me kërkesë të Kryeprokurorit Dhori Sollaku për lidhje me krimin.
Propozuesi që ka sjellë në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar parlamentin me CV e tij. Nuk tregon se është i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Emërimi i tij është i paligjshëm, pasi ai është i shkarkuar për lidhjet me krimin, tha Topalli.
Malaj: Një krizë e re politike do të rriste më tej krizën e varfërisë që ju përpiqeni ta fshihni
Deputeti i PS, Arben Malaj gjatë fjalës së tij akuzoi qeverinë se është përgjegjëse për krizën e rëndë ekonomike që po përjetojnë familjet shqiptare, dhe sipas tij kësaj krize, me lëvizjen e fundit në KQZ po i shton edhe një tjetër krizë politike që vetëm sa do ta përkeqësonte situatën
Fatkeqësisht, ajo që po ndodh me zhvillimet politike tek ne është e kundërta e asaj që presin shqiptarët. Korrupsioni, kapja e shtetit, pushtimi i administratës nga militantët vështirësojnë jetën e tyre. Testi i parë me të cilin një vend përballët me sfidat janë zgjojet e lira dhe demokratike, të cilat tashmë rrezikohen.
PD ndodhet në një moment kritik, përballë humbjes së pushtetit
dhe krizat e saj i vuajnë shqiptarët. Çdo premtim për ulje taksash, ulje të varfërisë, Shqipëria një euro janë një zero e madhe, pasi shteti është i kapur. Ju nuk dëgjoni asnjë ekspertizë apo këshillë që vijnë edhe nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë.
Një krizë e re politike do të rriste më tej krizën e varfërisë që ju përpiqeni ta fshiheni, tha Malaj.
Ahmetaj: Berisha ka fobi nga zgjedhjet e lira, synon manipulimin që ka bërë prej 22 vjetëve
Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas Ahmetajt, kryeministri Berisha po tregon se KQZ nuk do të jetë e pavarur, por nën komandën e një force politike.
Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike, tha Ahmetaj
Sipas deputetit të PS, me këtë lëvizje Berisha tregon se ka frikë nga një individ që është betuar në kuvend për zgjedhje të lira dhe demokratike siç është në këtë rast përfaqësuesi i LSI, Ilirjan Muho, pasi sipas tij kryeministri ka treguar gjithmonë se ka fobi nga zgjedhjet e lira dhe do të veprojë siç ka bërë në 22 vjet ku ka cenuar dhe manipuluar zgjedhjet.
Gjiknuri: Berisha po kërkon të uzurpojë institucionet. Mandati i anëtarëve të KQZ, fiks, kjo e bën të pavarur institucionin
Deputeti i PS, Damian Gjiknuri ka folur me tone të ashpra ndaj kërkesës së PD për shkarkimin e anëtarit të LSI në KQZ duke e cilësuar atë si një përpjekje të Berishës për të uzurpuar të gjitha institucionet e pavarura në vend, pasi sipas tij Berisha nuk bën dot zgjedhje po nuk e pati KQZ të vetën.
Qëllimi i Berishës është që të pushtohet KQZ në radhën e të gjitha institucioneve të pavarura, pasi ai nuk bën dot zgjedhje pa bërë KQZ partiake.
Kjo seancë është e papranueshme, nuk duhet të mbahet. Nuk mund të ndryshojë KQZ sa herë ndryshojnë mazhorancat në kuvend
Nuk mund të nisemi nga marrëveshja e 2003 kur kodi është ribërë edhe 5 herë të tjera. Anëtarë janë me mandat fiks, pikërisht kjo e bën institucionin të pavarur.
Barazpesha politike në KQZ, parimi që mban në këmbë administratën zgjedhore
Deputeti demokrat, Edi Paloka në nisje të seancës së sotme lexoi relacionin e PD-së lidhur me kërkesën për lirimin e anëtarit të LSI në KQZ dhe arsyet e që e çojnë PD në këtë kërkesë. Sipas Palokës, në të gjitha përcaktimet ligjore, kodi mbështetet në barazpeshimin politik të KQZ.
Është parimi kryesor që mban në këmbë gjithë administratën zgjedhore. Garanton suksesin dhe besimin te procesi zgjedhor duke ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë për procesin.
Në emër të grupit kërkoj që kjo situatë të zgjidhet menjëherë nga parlamenti në mënyrë që të mos cenohet procesi zgjedhor në një kohë që KQZ prej kohësh e ka nisur procesin zgjedhor duke marrë vendime të rëndësishme, tha Paloka.
15 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Kuvend, debate për KQZ, Topalli: Ilirjan Muho ka mashtruar parlamentin, është shkarkuar si prokuror për lidhje me krimin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email